Ndërlidhjet

SHBA kërkon bashkëpunim për zgjidhjen e sfidave në veri


Afër Mitrovicës...
Afër Mitrovicës...
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të analizojnë se çfarë do të thotë fitorja e Tomisllav Nikolliqit në Serbi për Kosovën dhe rajonin, por në të njëjtën kohë mirëpresin angazhimin e tij për të ardhmen evropiane të vendit.

Kështu ka deklaruar ndihmësi i sekretares amerikane të shtetit për çështjet evropiane, Filip Gordon, në konferencën vjetore të Qendrës për SHBA-në dhe Evropën, në Uashington.

“Edhe pse vazhdojmë të analizojmë se çfarë do të thotë zgjedhja e Tomisllav Nikolliqit për Kosovën dhe rajonin e gjerë, ne përshëndesim angazhimin e tij të shprehur për të ardhmen evropiane të Serbisë dhe i bëjmë thirrje që të punojë në mënyrë konstruktive me qeverinë e re, për arritjen e këtij qëllimi”, ka thënë Gordon.

Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre në Evropë duhet të bashkëpunojnë me udhëheqësit e vendeve të rajonit “rreth ideve të reja” për “zgjidhjen e sfidave në veri të Kosovës”.

“Stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit Perëndimor do të varet nga ajo nëse shtetet e këtij rajoni realizojnë reformat e nevojshme për euro-integrime”, ka theksuar Gordon.

Nikolliq ka mundur presidentin e deritashëm të Serbisë, Boris Tadiq, në balotazhin e 20 majit.


Politika serbe ndaj Kosovës "nuk ndryshon"

Ndërkaq, shefi i Zyrës për Informim në Qeverinë e Serbisë, Millivoje Mihajlloviq, ka shprehur bindjen se nuk do të ketë ndryshime të politikës serbe ndaj Kosovës.

Mihajlloviq ka thënë se duhen kërkuar zgjidhje pragmatike për të përmirësuar jetën e njerëzve dhe se nuk duhen pritur “ndryshime të papritura të politikës”.

Duke folur për mediat serbe, ai ka thënë se “problemi i Kosovës nuk është cilësuar rastësisht si interesi më i madh kombëtar dhe shtetëror, andaj zgjidhjen e tij nuk mund ta vërë në pikëpyetje ndryshimi i qeverisë në Beograd”.

Sipas Mihajlloviqit, Serbia ka dëshmuar se është e mundur formula “Edhe Kosova, edhe Evropa” dhe se me një politikë të tillë duhet të vazhdohet.

“Kjo është e vetmja formulë që mund ta lërë Serbinë në lojë kur është fjala edhe te Bashkimi Evropian, edhe te Kosova. Qëllimi i Serbisë nuk është vetëm anëtarësimi në BE. BE-ja është instrument serioz për zgjidhjen e problemeve në Kosovë”, ka thënë Mihajlloviq.

Serbia është në pritje të formimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të 6 majit.(v.t.)
XS
SM
MD
LG