Ndërlidhjet

Parlamenti Evropian diskuton rolin e EULEX-it


Policia e EULEX-it
Policia e EULEX-it

Në Komitetin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian është zhvilluar të enjten një debat për rikonfigurimin e vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë, në të cilin kanë marrë pjesë deputetë të Parlamentit Evropian, por edhe zyrtarë të Këshillit të BE-së, sikur edhe të shërbimit të politikës të jashtme të Bashkimit Evropian.

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Ksavier de Marnak, ka thënë se misioni po kalon përmes një faze të konfigurimit dhe në të ardhmen pritet të fokusohet më shumë në veri të Kosovës dhe në Prishtinë.

Ai ka paralajmëruar që do të forcohet edhe bashkëpunimi me autoritetet e Kosovës, sidomos në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Duke folur për situatën në veri, Marnak ka thënë që ajo pjesë do të vazhdojë të jetë prioritet për EULEX-in, ku, sipas tij, duhet të punohet më shumë që të sigurohet liria e plotë e lëvizjes për misionin e EULEX-it, që, siç ka thënë, ende nuk është e siguruar.

Edhe komandanti për operacionet civile në BE, Hansjorg Haber, ka folur për atë që ai e ka quajtur arritje të EULEX-it, duke numëruar disa raste të krimeve të luftës, hetimet për vrasje, si dhe rihapjen e gjykatave të veriut.

Ai ka theksuar se misioni po kalon nëpërmes vështirësive, sidomos në veri të Kosovës, ku është edhe fokusi më i madh i mediave, dhe se kjo duhet të merret parasysh, kur të vlerësohen performancat e EULEX-it.

Nga Kosova në këtë debat ka folur Engjëllushe Morina, nga shoqëria civile, e cila ka përmendur problemin me reputacion që ka EULEX-i në Kosovë, problemin e mos-ndëshkueshmërisë dhe problemin që vazhdon ta paraqesë për Kosovën, fakti se pesë vende të BE-së nuk po e njohin atë.

Ajo ka thënë se qytetarët e thjeshtë të Kosovës nuk janë ata që kërcënojnë sigurinë, por këtë e bëjnë strukturat e caktuara, ku përfshihen edhe ato politike.

Është vështirë të arsyetohet se si një mision kaq i madh, nuk mund të zgjidhë problemin e një zone aq të vogël, siç është veriu i Kosovës, ka theksuar Morina.

Edhe shumë deputetë të Parlamentit Evropian kanë kritikuar EULEX-in për mungesë të rezultateve më të mëdha në fushën e rendit dhe ligjit, e sidomos për situatën në veri, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë.

Kështu, Doris Pak nga Gjermania, ka thënë se pas viteve të pafata të UNMIK-ut, në Kosovë kishte pasur pritje që EULEX-i do të jetë shumë më i suksesshëm, por ato pritje nuk janë realizuar.

Disa deputetë kanë pyetur pse nuk po luftohet krimi dhe korrupsioni i lartë në nivele politike.

Duke iu përgjigjur në këto kritika, Haber ka thënë se jopopullariteti i EULEX-it në këto momente në Kosovë, është edhe rezultat i pritjeve të tepruara që kanë pasur, sepse krimet, të cilat po i heton EULEX-i, janë serioze dhe kërkojnë kohë për t’u përmbyllur.

Në debat është shprehur edhe frika që EULEX-i të ndihmojë Kosovën në dialogun për rendin dhe ligjin, që ka nisur të mërkurën me Bashkimin Evropian, dikur edhe në procesin e përmbushjes së kushteve për liberalizimin e vizave.

EULEX-i ka thënë se gradualisht do të fillojë të bartë disa përgjegjësi tek autoritetet e Kosovës, duke marrë një funksion më shumë këshillëdhënës dhe monitorues, por duke mbajtur në disa fusha ende fuqinë ekzekutive.
XS
SM
MD
LG