Ndërlidhjet

Dhuna në familje: Problem ri-integrimi i viktimave


Ilustrim
Ilustrim
Dhuna në familje, përfshirë abuzimin bashkëshortor, mbetet problem serioz dhe i vazhdueshëm në Kosovë, vlerësojnë përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Sipas tyre, për viktimat e dhunës në familje, mungon edhe përkrahja institucionale.

Naime Sherifi nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, thotë se 90 për qind e viktimave të dhunës në familje janë femrat, ndërkaq një përqindje shumë e vogël janë viktima meshkuj.

“Çështja e dhunës në familje është mjaft serioze në Kosovë dhe nuk mund ta anashkalojmë, t’i mbyllim sytë dhe të themi gjithçka është në rregull. Në fakt, vetëm strehimorja e regjionit të Prishtinës që nga viti 2000 deri më tani ka strehuar 1925 raste dhe 801 janë të dhunës në familje. Domethënë në proporcion me format tjera të dhunës, dhuna në familje është më e theksuar dhe mjaft shqetësuese”, thotë Sherifi.

Vetëm në vitin 2011, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, janë paraqitur 1042 raste të dhunës në familje. Prej tyre 813 femra dhe 239 meshkuj.

Krahasuar me vitin 2010 ky numër ka shënuar rritje. Në vitin 2010, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje ishte 944.

Tahire Haxholli, udhëheqëse e Njësitit Kundër Dhunës në Familje në Policinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se shqetësimi më i madh i dhunës në familje mbetet te bashkëshortësia.

“Në bazë të statistikave që i kemi, mbi 90 për qind e dhunës së familjes janë të papunësuara dhe janë të varura ekonomikisht, janë në nivel të ulët të arsimit dhe nuk ka ndonjë kurs të aftësimit të tyre, pastaj këto viktima nuk mund të punësohen apo të aftësohen diku. Këto viktima mbesin çdo herë të varura”, bën të ditur Haxholli.

Një problem mjaft i theksuar, sipas Haxhollit, është edhe ri-integrimi i viktimave të dhunës në familje. Shumë gra viktima të dhunës fizike nga bashkëshorti, shumë herë ndodh të kthehen në familjen e burrit.

“Ri-integrimi është një problem mjaft i madh. Këto viktima nuk arrijnë të gjejnë një punë që të kenë një pagë ku mund të mbajë ekonomikisht veten dhe fëmijët e saj. Ato detyrohen të kthen te burri apo familja e saj”, sqaron Haxholli.

Edhe Naime Sherifi nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve thotë se mungon intervenimi i shtetit në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Sipas saj, ligji për parandalimin e dhunës në familje nuk ka gjetur zbatim në Kosovë.

“Implementimi i ligjit fatkeqësisht është duke shkuar shumë ngadalë. Institucionet janë duke u marrë me hartimin mekanizmave sekondarë të implementimit të ligjit dhe kjo çështje ka shumë hendikep në këtë drejtim, sepse po shkakton vonesa në asistencën direkte të viktimave”.

“Në bazë të ligjit është e paraparë që të ngrihet një fond i qeverisë për ndihmë dhe mbrojtje të këtyre viktimave, por deri më tani kemi shumë pak intervenim të shtetit në këtë drejtim”
, thotë Sherifi.

Sipas Naime Sherifit, si pasojë e dhunës në familje në Kosovë ka 5 deri në 6 raste të vdekjeve.

Dhuna në familje në Kosovë, edhe sipas raporteve ndërkombëtare, është cilësuar si një problem mjaft shqetësues. Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se qëndrimet tradicionale shoqërore ndaj femrave në shoqërinë e dominuar nga meshkujt, i kanë kontribuar nivelit të lartë të abuzimit në familje dhe numrit të vogël të rasteve të raportuara.

Ndryshe, në pajtim me të drejtën e ndërkombëtare, parimet e të drejtave të njeriut dhe kornizën ekzistuese ligjore në Kosovë, institucionet janë të obliguara për të hetuar, ndjekur dhe dënuar kryerësit e veprave të dhunës në familje, në të njëjtën kohë duke ofruar zgjidhje efektive për viktimat.
XS
SM
MD
LG