Ndërlidhjet

Mbahet testi provues për maturantët


Ilustrim
Ilustrim
Rreth 35 mijë maturantë të rregullt dhe ata që nuk kanë mundur ta kalojnë testin vitin e kaluar, të shtunën dhe më 23 qershor sprovojnë dijen në testin provues, i cili, për dallim nga viti i kaluar, këtë vit ka 200 pyetje, nga të cilat 60 nga lëndët e përgjithshme mësimore dhe 40 nga lëndët e zgjedhura.

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, i cili vizitoi njërën nga shkollat e mesmet të kryeqytetit, tha se në përgjithësi procesi i testit po kalon në mënyrë të qetë dhe pa probleme të mëdha.

“Është një ditë e veçantë, sepse sot mbajmë testin e maturës dhe më besoni se të gjithë jemi ngapak në stres se si do të kalojë ky test. Kështu që, besojmë që do të shkojë mirë. Ka aty-këtu probleme teknike, por megjithatë janë të tejkaluara dhe të përballueshme”, tha ministri Buja.

Komisioni Shtetëror i Maturës njoftoi se janë angazhuar 900 komisione, 2 mijë e 600 administrues, të cilët drejtpërdrejt do të merren me administrimin dhe së paku 300 monitorues nga Universiteti Prishtinës.

Ndryshe, në vitin e kaluar këtë test e patën kaluar vetëm 42 për qind e maturantëve. Për këtë, ekspertët e arsimit e patën kritikuar sistemin e arsimit kosovar, duke thënë se “kjo tregon jo-efikasitetin e sistemit të arsimit në vend”.

Sipas ekspertëve, personeli mësimor, aktualisht nuk është i motivuar, nuk monitorohet dhe nuk vlerësohet mbi bazën e performancës.

Një faktor tjetër që, thanë ekspertët, është duke ndikuar në nivelin jo të duhur të arsimit në Kosovë, është se plan-programet e tashme, të cilat janë në arsim, në arsimin parauniversitar në përgjithësi, por edhe në arsimin e mesëm të lartë, janë jashtëzakonisht të vjetruara dhe të ngarkuara.

Ministri i Arsimit, Ramë Buja, tha se testet e këtij viti janë testet më të mira të mundshme të hartuara deri më tash.

“Unë besoj që testet e kësaj radhe janë testet më të mira që kanë mundur të jenë. Nuk themi që janë të përkryera dhe të mos ketë asnjë gabim të mundshëm, por janë me më pak të mundshme. Sivjet besoj që testi do të dalë më i mirë, për faktin se do të jetë edhe në dy faza”.

“Ky i ditës së parë do të jetë i përgjithshëm, ndërsa i fazës së dytë do të jetë më profesional- apo i përshtatshëm për profesione të caktuara. Unë besoj që do të kemi më shumë suksese ne, si institucione, dhe gjithsesi në organizim dhe menaxhim, ndërsa edhe nxënësit si të angazhuar për të arritur rezultate më të mira në atë që kanë mësuar gjatë viteve”, theksoi Buja.

Ndërkohë, Jonuz Salihaj, drejtues i Departamentit për Arsim në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kritikoi Ministrinë e Arsimit, për mënyrën e hartimit e testeve. Sipas tij, deri më tash është dashur të ketë një test të standardizuar, e jo, siç tha ai, për çdo vit të ndryshohet ai.

“Testi i maturës nga 2008 deri tash vazhdimisht ka ndryshuar. Pra, nuk është i standardizuar numri i lëndëve që është obliguese për një test të jashtëm. Po ta shikoni sivjet gjimnazin matematiko-informatikë, ju do ta gjeni aty informatikën që është lëndë kyçe, po nuk ka informatikë. Dhe, këtë nuk mund ta konsideroj askush dezinformatë, por kjo është informatë që mund ta merrni nga pyetësori i MASHT-it”, tha Salihaj.

Për më tepër, Salihaj vlerësoi se zyrtarët e ministrisë nuk po mund t’i dallojnë lëndët e përgjithshme nga ato profesionale.

“Asnjë lëndë në test, në shkollat profesionale, nuk është profesionale, të gjitha janë të përgjithshme. Po ashtu, edhe te gjimnazet e keni matematikën që është mbajtur sot, më 23 prapë mbahet matematikë me 10 pikë supozojmë ose gjuha shqipe”.

“Do të duhej që titulli i lëndës të ndërrojë. P.sh për Gjimnazin informatikë- matematikor, do të duhej të kishte kapituj të zgjedhur nga matematika, algjebra ose gjeometri, jo matematikë. Pra, kemi të bëjmë me një mishmash, një përzierje që e bëjnë vetëm njerëzit joprofesionalë”,
u shpreh Salihaj.

Ndryshe, zyrtarët e MASHT-it, këto pohime të zyrtarëve të AAK-së i konsiderojnë si deklarata pa bazë dhe të cilat përsëriten çdo vit pas mbajtjes e testeve.

Sido që të jetë, nga testi i së shtunës, 9 qershor, vetëm ata nxënës që u janë përgjigjur më shumë se 50 për qind, të 120 pyetjeve, do të mund t’i nënshtrohen testi tjetër që pritet të mbahet më 23 qershore me 80 pyetje.

Publikimi i rezultatit të testit, pritet të bëhet më 30 qershor.
XS
SM
MD
LG