Ndërlidhjet

Banka Botërore parasheh paqëndrueshmëri të gjatë ekonomike


Banka Botërore - Uashington
Banka Botërore - Uashington
Vendet në zhvillim duhet të përgatiten për një periudhë të gjatë të paqëndrueshmërisë ekonomike dhe për kohë edhe më të ashpra, thuhet në raportin e ri të Bankës Botërore, që mban titullin “Perspektivat Globale Ekonomike”.

Sipas tij, zhvillimet ekonomike të vitit të kaluar kanë qenë të paqëndrueshme dhe të prekura nga fatkeqësi natyrore, por, për dallim, lajmet ekonomike gjatë katër muajve të parë të 2012-ës kanë qenë në përgjithësi më pozitive.

“Politikat e rëndësishme strukturore, fiskale dhe monetare në Evropë gjatë çerekut të katërt të 2011-ës dhe çerekut të parë të 2012-ës kanë kontribuar në përmirësime të rëndësishme të tregut”, thuhet në raport.

Me gjithë prodhimin e përmirësuar industrial, raporti parasheh rënie në 3.3 për qind të bruto prodhimit vendor në Evropë dhe Azinë qendrore, nga 5.6 për qind sa ka qenë në vitin 2011.

Po sipas raportit, disa ekonomi të rajonit do të kenë nevoja të mëdha financiare gjatë këtij viti, çfarë i zhvendos ato në pozicione të rrezikshme për një ndryshim të papritur të kushteve globale.

Për rrjedhojë, shtetet e Evropës dhe të Azisë qendrore do të jenë më të cenueshme nga një krizë akute, vlerëson raporti, duke nënvizuar se kriza greke mund të prekë Bullgarinë, Maqedoninë dhe Serbinë.

“Bankat greke kanë prezencë të madhe në Shqipëri, Bullgari, Maqedoni, Rumani dhe Serbi dhe kanë aksione të mëdha të aseteve të brendshme në këto ekonomi”.

“Një rikthim në politika më neutrale makroekonomike do të ndihmonte vendet në zhvillim të reduktojnë dobësinë e tyre ndaj goditjeve të jashtme, duke rindërtuar hapësirë fiskale, duke zvogëluar borxhet afatshkurtra dhe duke krijuar atë lloj mbulese që u ka mundësuar atyre të reagojnë në mënyrë elastike ndaj krizës së viteve 2008/09”, thuhet në raport.

I njëjti parasheh rritje të remitencave të punëtorëve gjatë këtij viti, derisa çmimet e naftës të mbeten të larta.

“Remitencat janë burim i rëndësishëm për vendet në zhvillim të Evropës dhe Azisë qendrore. Ato përfaqësojnë më shumë se 20 për qind të bruto prodhimit të brendshëm në Kirgizi, Moldavi dhe Taxhikistan. Ato janë rritur për 12.6 për qind në vitin 2011, me gjithë problemet e vazhdueshme në vendet e Evropës perëndimore”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Institucioni financiar ndërkombëtar po ashtu kujton se rritja e tyre ka ardhur nga vendet e tjera në zhvillim, posaçërisht Rusia, të cilat, sipas Bankës Botërore, përbëjnë 30 për qind të remitencave në rajon.

Ndonëse çmimet e larta të naftës pritet të ndihmojnë aktivitetin ekonomik në vendet eksportuese të naftës, rritja në Rusi dhe Kazakistan, megjithatë, pritet të shënojë një ngadalësim të butë. Bruto prodhimi vendor, sipas gjetjeve, do të shënojë rënie edhe në Turqi – vendin i cili varet nga kushtet globale financiare dhe treguesit e ndryshëm makroekonomikë.

Përveç Turqisë, vijon raporti, edhe ekonomitë e tjera në rajon do të vazhdojnë të jenë peng i rritjes së dobët në Evropë. Investimet e huaja direkte po ashtu pritet të zvogëlohen gjatë 2012-ës, çfarë mund shkaktojë kufizime edhe të investimeve bruto në vendet si Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova, nënvizon Banka Botërore.

Sipas saj, bruto prodhimi vendor në rajon do të rritej për 4.4 për qind në vitin 2014, vetëm nën supozimin se kriza e borxheve në Evropë do të zgjidhej në fund të 2012-ës dhe kushtet globale ekonomike do të përmirësoheshin.

“Ekonomitë, të cilat vazhdojnë të shërohen nga kriza e viteve 2008-2009 do të ballafaqohen me sfidat e politikave strukturore, që parashohin balancimin e nevojës për arritjen e maturisë fiskale me adresimin e reformave të tregjeve të punës, kujdesit shëndetësor dhe arsimit”.

“Zgjedhjet në vitin 2012 dhe 2013 mund të vonojnë përparimin në rregullimet e nevojshme fiskale”, thuhet veç tjerash në raportin më të ri të Bankës Botërore. (v.t.)
XS
SM
MD
LG