Ndërlidhjet

Familja Rama pa kulm mbi kokë (?)


Kushtet e vështira të familjes Rama
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:52 0:00

Kushtet e vështira të familjes Rama

Jo shumë larg qendrës së Prishtinës, në lagjen “Gallapi”, jeton familja gjashtë anëtarëshe Rama. Kushtet në të cilat jeton kjo familje, në të vërtetë, nuk i ngjajnë një jetese normale.

Shtëpia ku ata jetojnë, ishte djegur gjatë luftës së fundit në Kosovë, dhe kjo shtëpi i takonte një familjeje të komunitetit rom.

Dhoma ku ata jetojnë është shumë e vogël për të jetuar gjashtë persona, por siç thonë anëtarët e kësaj familjeje, “edhe kështu po jetonte njeriu”.

Tani, halli më i madh i tyre është se edhe këtë shtëpi duhet ta lirojnë.

Nuk ju ka mbetur shumë kohë për ta bërë këtë, janë vetëm edhe pak ditë.

Pronari e ka shitur shtëpinë, dhe tashmë janë të detyruar të gjejnë strehë diku tjetër, gjë që, siç thonë ata, është shumë vështirë.

Ndërtimi i shtëpisë me mjete të veta, sipas kryefamiljarit Nuhi Rama, është një gjë e pamundur.

Na kanë thënë para 1 jave të largohemi, por u kam thënë që fëmijët janë në shkollë dhe ma dhanë mundësinë që të rri këtu, deri kur fëmijët ta përfundojnë shkollën. Fëmijët mësimin e përfundojnë më 22 qershor, dhe nga kjo datë, unë mbetëm i pastrehë. Kam kërkuar një barakë te Fusha e Pajtimit, por edhe atje nuk kish asgjë”, shprehet Nuhi Rama.

Ai është 37 vjeçar, i papunë. Thotë se punon kur gjen punë diku, por nuk ka punë të përhershme.

Me paratë që ai i fiton nga puna që bën, si punëtor krahu, nuk arrin t’i sigurojë as gjërat elementare për 4 fëmijët.

Në sofër, ata thonë se kanë vetëm bukë dhe asgjë tjetër. Zonja e shtëpisë, Ilire Rama, thotë se nuk arrijnë të blejnë asgjë më shumë për fëmijët.

Kushtet në të cilat jetojnë i quajnë të papërballueshme, por me e keqja, siç thonë ata, po mbesin pa kulm mbi kokë.

Nuk di nuk di se ku do t’i strehoj fëmijët”, shprehet Ilire Rama, derisa fshinte lotët.

Kush të mundet, një shtëpi me dy dhoma t’i kem, më shumë nuk kisha dashur. I kisha lutur me gjithë shpirt ata që kanë mundësi, me na falë një a dy ari truall, veç dhe një shpi, një kulm, mos të pikojë. Po e shihni edhe vet atje si u bë t’u pikë, tani po bie plafoni poshtë”, thotë ajo.

Familja Rama është nga fshati Keqekollë. Në këtë fshat ata nuk kanë asgjë, pasi që e kanë shitur çdo gjë që kanë pasur.

Nuhi Rama thotë se familja e tij ka shitur gjithçka për të liruar nga burgu, pasi që ai ishte i burgosur nga policia serbe gjatë luftës.

Kam qenë i burgosur, më ka burgosur polica serbe. Në katund nuk kam asgjë, dhe tani nuk kemi asgjë atje, krejt çka kanë pasur e kanë shitur për të më liruar nga burgu”, thotë ai.

Rama ka trokitur në çdo derë të zyrtarëve komunalë dhe ka kërkuar ndihmë, por deri më tani, askush nuk e ka ndihmuar.

Deri para një viti, kjo familje ka marrë ndihmë sociale, por tani as këtë ndihmë nuk e kanë.

Ilirja, tregon se si i kanë larguar nga ndihma sociale:

Jo, askush nuk na ndihmon. Më parë kemi marrë ndihma sociale, por sa i bëri djali i vogël 5 vjet, na larguan nga kjo ndihmë, na thanë se nuk na takon. Jemi munduar të ju tregojmë që jemi të varfër, por askush nuk mendon për neve”, shprehet ajo.

Të gjithë fëmijët e kësaj familjeje shkojnë në shkollë, dhe janë nxënës të shkëlqyeshëm.

Ilirja krenohet dhe është e lumtur që fëmijët e saj shkojnë në shkollë.

Ajo thotë se është e kënaqur që ata po mësojnë, dhe shpreson që një ditë ata do të arrijnë të bëjnë një jetë më të mirë.
XS
SM
MD
LG