Ndërlidhjet

Klinton: Në Egjipt të bëhet transfer i plotë demokratik


Hillari Klinton
Hillari Klinton
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, thotë se Shtetet e Bashkuara presin që në Egjipt të ndodhë transferi i plotë i autoritetit nga Këshilli ushtarak në qeverinë civile të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Duke qëndruar me përkushtimet, që Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura i ka bërë para popullit egjiptian, ne presim të shohim transfer të plotë të autoritetit te qeveria civile e zgjedhur në mënyrë demokratike. Nuk mund të ketë kthim prapa, pasi populli egjiptian ka kërkuar tranzicion demokratik”, tha Hillari Klinton, mbrëmë vonë në Uashington.

Këto komente u bënë pasi Gjykata Supreme e Egjiptit ka vendosur që ta shpërndajë parlamentin e ri të zgjedhur, i cili udhëhiqej nga islamistët.

Gjykata ka konstatuar se një e treta e kandidatëve ishin zgjedhur ilegalisht, pasi ata ishin anëtarë të partisë, që kishin garuar për ulëset parlamentare për kandidatët e pavarur.

Gjykata, po ashtu, ka vendosur që ish kryeministri në pushtetin e ish presidentit Hosni Mubarak, ka të drejtë të garoj në zgjedhjet për president, këtë fundjavë.

Ky vendim u mor, përkundër legjislacionit të miratuar në Parlament, muajin e kaluar, që ish zyrtarët e nivelit të lartë të Mubarakut nuk i lejon që të garojnë për poste të larta.

Këtë vendim, politikanët islamikë e kanë cilësuar si “komplot” nga establishmenti i udhëhequr nga ushtria, që është ende e mbushur me zyrtarë të periudhës së Mubarakut.

Disa qindra njerëz ishin mbledhur në Sheshin Tahrir në Kajro, për ta kundërshtuar vendimin e gjykatës dhe për të protestuar kundër ish kryeministrit Ahmed Shafiq.

Kandidati presidencial i Vëllazërisë Myslimane, Muhamad Morsi, që garon kundër zotit Shafiq, tha se është i pakënaqur me vendimet e gjykatës, por i pranon ato.

Vëllazëria Myslimane e ka fituar afro gjysmën e vendeve të deputetëve në zgjedhjet parlamentare, që janë mbajtur pjesë-pjesë, në periudhën nëntor-janar. Këto ishin zgjedhjet e para demokratike në Egjipt për disa gjenerata.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, tha se Uashingtoni shpreson se zgjedhjet e fundjavës në Egjipt, do të kalojnë në atmosferë “paqësore, korrekte dhe të lirë”.

Nëpër këtë proces, Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar në mbështetje të aspiratave të popullit të Egjiptit për tranzicion demokratik paqësor, të besueshëm dhe të përhershëm. Tash, përfundimisht i takon popullit të Egjiptit ta përcaktoj të ardhmen e vet. Ne presim që zgjedhjet presidenciale të fundjavës do të mbahen në atmosferë që ato të jenë paqësore, korrekte dhe të lira”, tha Hillari Klinton.

Pas vendimeve të gjykatës, ish kryeministri Ahmed Shafiq, foli në një tubim të mbështetësve të tij, që nga shumë media u përshkrua si festim i fitores.

Makinat ushtarake të enjten kalonin nëpër rrugët e Kajros, nga të cilat dëgjohej muzikë patriotike, ndërsa ushtarët shpërndanin letra në të cilat u bëhej thirrje shtetasve të Egjiptit, që të dalin në zgjedhjet e fundjavës.

Vendimet e gjykatës u bënë një ditë pasi qeveria e nominuar nga ushtria u dha të drejtë forcave të sigurisë që të arrestojnë civilë për një varg krimesh, me përshkrim të paqartë, siç janë shkatërrimi i trafikut dhe ekonomia. (f. b.)
XS
SM
MD
LG