Ndërlidhjet

Egjipt: Vëllazëria Myslimane shpalli fitore


Një mbështetës i Vëllazërisë Myslimane në Egjipt...
Një mbështetës i Vëllazërisë Myslimane në Egjipt...
Partia për Liri dhe Drejtësi në Egjipt, që është krah politik i Vëllazërisë Myslimane, ka shpallur të hënën herët në mëngjes, se kandidati i saj, Mohamed Mursi, ka fituar në zgjedhjet presidenciale.

Shpallja u bë nëpërmjet faqes Twitter në Internet të kësaj partie. Në faqen e vet në Internet, kjo parti e shpallit Mursin “presidentin e parë egjiptian të zgjedhur nga populli”.

Në paraqitjen e tij para mbështetësve në selinë partiake, Mursi u premtoi “të gjithëve, gjithë Egjiptit me të gjitha grupet, myslimanëve dhe të krishterëve, se do të jetë president për të gjithë egjiptianët, shërbyes i tyre”.

Sipas rezultateve jozyrtare të publikuara në deklaratën e fitore së Vëllazërisë Myslimane, me 95% të fletvotimeve të numëruara, Mursi ka fituar 52%, ndërsa ish kryeministri Ahmed Shafiq, 48%.

Në Sheshin Tahrir në Kajro mbështetësin e zotit Mursi ishin të entuziazmuar.

Ja se çka tha personi me emrin Fati:

Ky është presidenti i parë ndonjëherë i zgjedhur në Egjipt. Pra, personalisht jam shumë i gëzuar. Nuk mund ta përshkruaj gëzimin tim”, tha Fati.

Por, ekipi i fushatës së zotit Shafik tha se është jashtëzakonisht “i befasuar” nga deklarata e fitores së Vëllazërisë Myslimane, dhe ka theksuar se vetëm Komisioni Zgjedhor mund ta publikojë rezultatin e votimeve.

Dejvid Dreier, është anëtar i Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Ai e ka monitoruar procesin e votimeve në zgjedhjet presidenciale në Egjipt, në vendvotimet në Kajro. Ai thotë:

E di se ka shqetësime në të dy palët, të cilat janë ngritur dhe ndjenja ime është se ajo që duhet të bëhet është që ne të jemi të sigurt se vazhojmë rrugën kah gjithnjë e më tepër demokraci, dhe gjithnjë e më tepër liri, për të qenë të sigurt se nuk po shkojmë prapa. Mendoj se lëvizja prapa, nuk është opsion”, tha Dejvid Dreier.

Njëherësh, Këshilli Suprem dhe Forcat e Armatosura në Egjipt, e kanë shpallur një “deklaratë kushtetuese” me të cilën vetvetes i japin autoritet legjislativ dhe mbikëqyrje financiare.

Në këtë dokument thuhet se këshilli do ta caktojë një grup prej 100 anëtarësh për ta paraqitur propozimin e tekstit për Kushtetutën e re të Egjiptit, dhe se zgjedhjet e reja parlamentare nuk do të mbahen, derisa të miratohet Kushtetuta e re.

Këshilli Ushtarak udhëhiqet nga marshali Husein Tantavi, i cili ka shërbyer si ministër i mbrojtjes për 20 vjet, nën ish presidentin Hosni Mubarak.

Një zëdhënës i Vëllazërisë Myslimane tha se partia nuk e njeh vendimin aktual gjyqësor, me të cilin përbërja e zgjedhur e parlamentit u shpall jolegjitime dhe deklaratën kushtetuese të këshillit.

Mbështetësit e Vëllazërisë Myslimane kanë brohoritur “poshtë sundimi ushtarak”!

Fushata presidenciale në Egjipt ishte tejet e ashpër dhe përçarëse.

Shumë e shohin zotit Shafik, ish kamandant i Forcës Ajrore dhe kryeministër i fundit i Mubarakut, si vazhdimësi të regjimit të vjetër, përkundër kryengritjes, nga e cila u përmbys Mubaraku, në vitin 2011.

Megjithatë, ka edhe të atillë që shprehin shqetësime se Vëllazëria Myslimane synon ta kthejë Egjiptin në një shtet islamik dhe të miratojë poilitika që i zvogëlojnë të drejtat e të krishterëve dhe të femrave. (f. b.)
XS
SM
MD
LG