Ndërlidhjet

Prishtinë - Beograd: Dialog me kushte


Ilustrim
Ilustrim
Rinisja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të varet nga zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun e deritashëm në Bruksel, të cilat nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Robert Kuper, si ndërmjetësues i dialogut, janë prezantuar si konkluza.

Ky është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës, të cilin e ka ritheksuar Hajredin Kuqi, zëvendëskryeministër në këtë qeveri.

Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Serbia duhet të tregojë vullnet për përmbushjen e konkluzave, para se dialogu eventualisht të rifillojë.

Hajredin Kuqi
Hajredin Kuqi
Qeveria e Kosovës do ta ketë këtë qëndrim dhe e ka. Edhe javën e kaluar, unë në takimin në Bruksel me zotin Kuper, kam përmendur të njëjtat gjëra, që besoj se, më shumë ose më pak, edhe BE-ja e ka të njëjtin qëndrim”.

Pra, duhet të tregohet vullnet për implementimin e asaj që është arritur deri më tash dhe pastaj të hapërohet tutje. Por, gjithmonë në raportet ndërshtetërore, në raportet që respektojnë kuptimin e plotë, si sovranitet ndaj sovranitetit”, u shpreh Kuqi.

Ndërkaq, njohësit e rrethanave politike në Kosovë edhe më parë kanë theksuar se Kosova duhet të këmbëngulë në faktin që Serbia duhet t’i zbatojë marrëveshjet e arritura, para se të rinisë çfarëdo dialogun me të.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë që Qeveria e Kosovës duhet të vë kushte për rinisjen e dialogut, por jo të tilla që i bllokojnë tërësisht bisedimet me palën serbe.

Shteti sovran do të duhej t’i kishte kushtet e veta. Kushte elementare, siç janë për shembull, zbatimi i marrëveshjeve të deritashme, zbardhja e fatit të pagjeturve, heqjen e strukturave paralele të Beogradit nga pjesa veriore e Kosovës, për të krijuar kushte që të bisedohet me serbët kosovarë dhe me përfaqësuesit e tyre në veri të Kosovës”, tha Matoshi.

Ai ka shtuar se edhe më parë, Qeveria e Kosovës i është nënshtruar presionit ndërkombëtarë për çështje të caktuara dhe ajo ka qenë e dëgjueshme.

Sipas tij, pritet që dialogu eventual të rinisë me formë tjetër nga ai i deritashëm, që ishte quajtur teknik.

Unë po mendoj se Qeveria e Kosovës do të përpiqet që përmes faktorit ndërkombëtarë ta detyrojë Serbinë që t’i zbatoj marrëveshjet, përkatësisht, konkluzat e arritura deri më sot në negociatat e Brukselit”.

Halil Matoshi
Halil Matoshi
Mirëpo, Brukseli është i interesuar jetësisht që t’i rifillojë këto negociata dhe në këto negociata, natyrisht që tema kryesore në agjendën e tyre do të jetë pjesa veriore e Kosovës, përkatësisht tri komunat në veri të Kosovës”, theksoi Matoshi.

Ndryshe, se a do ta përballonte Kosova një presion ndërkombëtar që të rinisë dialogun me Serbinë, edhe në rast se kjo e fundit nuk do t’i zbatojë marrëveshjet e arritura, zëvendëskryeministri Kuqi, ka theksuar se lidhur me këtë çështje, Kosova do ta luaj rolin e partneritetit të plotë me faktorin ndërkombëtarë.

Kosova do të vazhdojë të luajë rolin e partneritetit të plotë me BE-në dhe me SHBA-të. Ka qenë një fat i madh që zhvillimet tona nacionale dhe të vendit kanë qenë në përputhje edhe me frymën e zhvillimeve që ka pasur BE-ja dhe SHBA-të. Unë besoj që Kosova i kryen dhe do t’i kryejë konsultimet e domosdoshme me BE-në dhe me SHBA-të dhe do të jemi në vija të njëjta që të tregohet cilësi në dialog”.

Tani, do të thosha, më shumë ose më pak, është ‘topi’ në dorën e BE-së, që ata të bëjnë një presion pozitiv për implementimin e marrëveshjeve të arritura. Nuk është diçka që Kosova i vë kushte dikujt tjetër, por Kosova është diçka që kërkon një dinjitet dhe një respektim të plotë të arriturave në dialog”, tha Kuqi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë aktualisht është pezulluar për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Serbi, të cilat janë mbajtur në Serbi.

Ndryshe, në 9 raunde negociatash në Bruksel, janë arritur 7 marrëveshje, zbatimi i të cilave edhe më tej lë shumë për të dëshiruar, me palët që fajësojnë njëra-tjetrën për ngecjen e tyre.
XS
SM
MD
LG