Ndërlidhjet

Hoxhiq në krye të Zyrës Administrative në veri


Veri...
Veri...
Qeveria e Kosovës emëroi në mbledhjen e saj të radhës Adrijana Hoxhiqin në krye të Zyrës Administrative të Mitrovicës së Veriut.

Emërimi i saj në këtë post vjen gati një muaj pas vendimit për themelimin e zyrës me të cilën qeveria e Kosovës synon ta integrojë pjesën veriore në jetën shoqërore e institucionale të vendit.

Në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes së qeverisë, zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherazi ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, shprehu bindjen se me punën e saj Hoxhiq do ta bëjë gati terrenin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në atë pjesë të vendit.

Duke folur për kërcënimet e deritashme të disa serbëve të veriut, sipas të cilave do të ndërmerren të gjitha masat në përputhje me kushtetutën e Serbisë ndaj atyre që do të punësohen në këtë zyrë, Petroviq u shpreh:

Kjo zyrë është në interes dhe me rëndësi të madhe për qytetarët që jetojnë në veri të Kosovës. Kjo zyrë do të ketë mundësi të zbatojë të gjitha projektet që do të forcojnë cilësinë e jetës për qytetarët tanë. Përgjigjja më e mirë për krejt kërcënimet që vijnë nga veriu është numri i aplikacioneve për punë në këtë zyrë”, tha ai.

Zyra Administrativë në Mitrovicën e Veriut parashihet të ketë 80 punonjës të cilët për zbatimin e projekteve me qëllim përmirësimin e shërbimeve dhe të infrastrukturës do të kenë në dispozicion 4 milionë euro në vit-sa dhe do të jetë buxheti i zyrës.

Mirëpo, përfaqësuesit e serbëve të zonave në veri, që vazhdojnë të kundërshtojnë institucionet shtetërore të Kosovës, e quajtën të panevojshme zyrën. Njëri nga ata, Marko Jakshiq, tha se Zyra Administrative nuk do të jetë në gjendje të përmbush nevojat e banorëve serbë.

Kjo komunë të cilën e ka formuar qeveria e Kosovës është komunë për një shtet i cili është formuar mbi fatkeqësinë e serbëve në Kosovë. Kjo komunë ia merr lirinë serbëve dhe nuk të përmbush nevojat e serbëve”, tha Jakshiq.

Mësohet se, deri më tani, në qeverinë e Kosovës kanë arritur më shumë se 700 aplikacione për vendet e lira të punës në Zyrën Administrative në Mitrovicën Veriore në mesin e të cilave janë më shumë se 100 të dorëzuara nga qytetarët e komunitetit serb.

Komunikimi me këta të fundit vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore për autoritetet kosovare në pjesën veriore të Mitrovicës për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të tyre ndaj Prishtinës zyrtare dhe varshmërinë ende të madhe nga shteti serb.
XS
SM
MD
LG