Ndërlidhjet

Egjipt: Muhamed Morsi dhe intervista e trilluar


Muhamed Morsi
Muhamed Morsi

Një ditë pasi Muhamed Morsi u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale të Egjiptit, agjencia e lajmeve Fars e Iranit lëshoi një intervistë, që tha se e kishte bërë më te, në të cilën presidenti i zgjedhur shprehu interes në forcimin e lidhjeve me Teheranin.

Artikulli i diskutueshëm, në të cilin Morsi citohet gjithashtu të ketë thënë se dëshiron të rishikojë traktatin e paqes mes Egjiptit dhe Izraelit, u mor shpejt nga mediat e mëdha si Reuters, Christian Science Monitor, dhe e përditshmja izraelite Haaretz.

Ky dukej të ishte një ‘scoop’ për agjencinë gjysmë-zyrtare të lajmeve, e cila pretendonte se reporteri i saj kishte folur me Morsin disa orë para se të shpallej fitues. Fars, megjithatë, nuk iu gëzua kësaj shije gjatë.

Vërtetësia e intervistës u vu në pikëpyetje nga mediat e ndryshme përfshirë BBC-në në arabisht dhe Al-Arabiya-n, të cilat cituan një zëdhënës të Morsit të ketë mohuar se presidenti i zgjedhur kishte folur për agjencinë Fars.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Egjiptit MENA, raportoi se intervista ishte e rreme.

Por ndoshta më e rëndësishmja, agjencia zyrtare shtetërore e lajmeve e Iranit, IRNA ka qenë gjithashtu e shpejtë për të hedhur dyshime mbi intervistën.

Incidenti jep shembullin më të fundit se si në betejën e vazhdueshme për pushtet në Iran, agjencia IRNA, e cila është pro-presidentit Mahmud Ahmadinexhad, iu vu përballë agjencisë Fars, e cila thuhet se është e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit(IRGC).

Intervista e Morsit në Fars
Intervista e Morsit në Fars
Ashtu si BBC në arabisht dhe Al-Arabiya, IRNA njoftoi se zëdhënësi i Morsit tha në një deklaratë se presidenti i sapozgjedhur nuk kishte dhënë ndonjë intervistë për agjencinë Fars para ose pas fitores së tij.

IRNA gjithashtu pohoi se në incizimin e intervistës së supozuar, që u vu në dispozicion nga Farsi, në faqen e saj të internetit, nuk ishte fare zëri i Morsit.

Fars, ndërkaq, refuzoi të tërhiqet, derisa postoi në faqen e saj të internetit mbulimin e madh, që ia bënë intervistës mediat rajonale dhe ndërkombëtare.

Agjencia e vijës së ashpër sulmoi agjencinë IRNA, duke e quajtur atë “anti-revolucionare”, që përpiqet të denoncojë intervistën dhe “pikat e saj kyçe dhe të vlefshme.

Në muajt e fundit, artikujt e Farsit kanë sulmuar rrethin e brendshëm të Ahmedinexhadit, që ekstremistët i përshkruajnë se i përkasin një rryme që devijon nga politika iraniane.

Për të mos mbetur pas, IRNA javën e kaluar lëshoi një listë të asaj që ajo i quajti ‘gaffe’ të vazhdueshme të Farsit, të cilat tha se mund të çojnë në “keqkuptime për sigurinë" brenda republikës islamike.

Në listë përfshihej një artikull i Farsit në lidhje me një stërvitje të madhe të përbashkët ushtarake nga Irani, Kina, Rusia dhe Siria, ku pretendohej se ishin përfshirë 90 mijë trupa dhe qindra anije, tanke dhe aeroplanë lufte. Siria dhe Kina më vonë e mohuan raportin.

IRNA akuzoi gjithashtu Farsin se më 2011 e ka trilluar një intervistë me atëbotë, shefin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Muhamed el Baradein. Zyra e tij gjithashtu e mohoi intervistën.

Në muajin shkurt, Fars trilloi se regjisori i filmit iranian Asghar Farhadi gjatë pranimit të çmimit Oskar, i referohej programit të ndjeshëm bërthamor të Iranit.

Disa iranianë i referohen agjencisë “si False news” apo “Lajme të rreme”.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, një gazetar e pyeti zëdhënësen e Departamentit të Shtetit Viktoria Nuland për reagimin e saj ndaj intervistës së pretenduar.

Uashingtoni është i kujdesshëm ndaj ndikimit iranian në Lindjen e Mesme dhe po punon për të siguruar mbijetesën e traktatit të paqes mes Egjiptit dhe Izraelit.

Nuland u përgjigj duke theksuar të kaluarën e agjencisë Fars.

Natyrisht ne presim të flasim me presidentin e zgjedhur (Muhammed) Morsi dhe qeverinë e tij në përgjithësi në lidhje me marrëdhëniet e Egjiptit me fqinjët, për respektimin e obligimeve të tij ndërkombëtare, duke përfshirë detyrimet vizavi Iranit. Por, unë nuk besoj në asgjë çfarë shkruhet në Fars”, tha Nuland.

IRNA, me sa duket, ka gjetur një pikë të rrallë të pajtimit me qeverinë amerikane.(a.i.)
XS
SM
MD
LG