Ndërlidhjet

Kosovë: Përleshje deputetësh në ambientet e Kuvendit


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi
Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, ka reaguar ndaj “përleshjes së deputetëve në ambientet e Kuvendit të Kosovës”.

“Dhuna që shpërtheu të enjten në ambientet e Kuvendit të Kosovës, së pari mes deputetit Latif Gashi dhe Rexhep Selimi, e pastaj edhe mes deputetëve Florin Krasniqi e Bekim Haxhiu, e ka historinë e vet, dhe buron pikërisht nga përdorimi i vazhdueshëm i një gjuhe të papranueshme për demokracinë parlamentare”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Në komunikatën e lëshuar për media, kjo organizatë joqeveritare, e cila monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar nga partitë politike “që kanë ulëse në Kuvend që të ndikojnë në uljen e tensioneve mes grupacioneve të ndryshme formale dhe joformale, sepse kjo reflekton pasiguri te qytetarët e vendit”.

KDI gjithashtu kërkon nga Presidentja e vendit “që në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese, të thërrasë një tryezë të partive politike parlamentare për të dalë nga ngërçi i armiqësive, përmes debatit demokratik si preventivë që përplasjet mes deputetëve të mos nxisin përleshje në rrugë mes militantëve të pushtetit dhe të opozitës”.

Latif Gashi dhe Bekim Haxhiu janë deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, kurse Rexhep Selimi dhe Florin Krasniqi të Lëvizjes Vetëvendosje.

Bekim Haxhiu e ka cilësuar përplasjen si hakmarrje ndaj tij për, siç ka thënë për mediat vendore, demaskimin që i ka bërë ai Lëvizjes Vetëvendosje.

"Rexhep Selimi, pabesisht, me truprojat e tij, më ka sulmuar në hapësirën e parkingut të Kuvendit”, ka theksuar Haxhiu.

Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se “pa provokimin më të vogël, deputeti Latif Gashi është munduar ta kërcënojë deputetin Rexhep Selimi që të mos flasë për SHIK-un gjatë një prononcimi për media”.

“Fatkeqësisht, provokimi i zotit Gashi dhe tentativa e tij për të ngulfatur fjalën e lirë të deputetëve, dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ka eskaluar në një përleshje fizike, për të cilën Lëvizja Vetëvendosje shpreh keqardhje. Në atë moment, në përleshjen fizike është përfshirë edhe agjenti tjetër i SHIK-ut në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili e ka përsëritur provokimin e Gashit”, thuhet në komunikatën e VV-së. (a.v.)

Video: Rrokum TV



XS
SM
MD
LG