Ndërlidhjet

Pajtueshmëri për ndryshime politike në Siri


Kofi Anan (i dyti majtas) bisedon me Sergei Lavrovin (i dyti djathats) dhe me Kethrin Eshton para takimit në Gjenevë
Kofi Anan (i dyti majtas) bisedon me Sergei Lavrovin (i dyti djathats) dhe me Kethrin Eshton para takimit në Gjenevë
Fuqitë perëndimore dhe fqinjët e Sirisë, në takimin ndërkombëtar, të mbajtur mbrëmë në Gjenevë të Zvicrës, u pajtuan për një orar për tranzicion politik në Siri, për ta përfunduar gjakderdhjen 16 mujore në këtë vend, por mbetet e hapur çështja e pjesëmarrjes apo mospjesëmarrjes së presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, në këtë proces.

Pas takimit në Gjenevë, i dërguari ndërkombëtar për Sirinë, Kofi Anan, tha se qeveria e ardhshme do të duhej të formohej nëpërmjet bisedimeve dhe negociatave.

“Mendoj se njerëzit me gjak në duart e tyre nuk janë të vetmit në Siri. Mendoj se qeveria duhet të formohet nëpërmjet bisedimeve, negociatave dhe me pëlqim reciprok”, tha Kofi Anan.

Shpërthim në Damask...
Shpërthim në Damask...
Ai është shprehur se nuk beson se njerëzit në Siri do t’i zgjedhin ata që kanë gjak në duar për t’i udhëhequr.

Sipas planit të Kombeve të Bashkuara, qeveria tranzicionale do ta mbikëqyrë propozimin për Kushtetutën e re dhe zgjedhjet.

Zoti Anan tërhoqi vërejtjen se dështimi për ta zgjidhur krizën në Siri mund të shkaktojë krizë në rajon.

Anan theksoi:

“Ne jemi të përkushtuar për të punuar së bashku urgjentisht dhe në mënyrë intensive për ta përfunduar dhunën dhe shkeljet e të drejtave të njeriut dhe për të lansuar një proces të udhëhequr nga sirianët, që do të çonte në tranzicion, që i plotëson aspiratat legjitime të popullit të Sirisë dhe u mundëson atyre që në mënyrë të pavarur dhe demokratike ta përcaktojnë të ardhmen e tyre”.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, tha se Uashingtoni dhe aleatët kanë bërë ndryshime të vogla në tekst, por megjithatë, sipas saj, ditët e presidentit Asad janë të numëruara.

“Duke vendosur të pranojmë ndryshime të vogla tekstuale, ne dhe partnerët tanë e kemi bërë absolutisht të qartë te Rusia dhe Kina se tash është detyrë e tyre për t’i treguar Asadit se ka dështuar”.

“Nuk besoj se ndokush në regjimin e Asadit ndonjëherë ka menduar se ne mund të arrijmë deklaratë të përbashkët, me të cilën shprehim jo vetëm shqetësime, por edhe rrugën përpara që do të përfshijë edhe Rusinë dhe Kinën, dhe ai duhet të dëgjojë zëshëm dhe qartas se ditët e tij janë të numëruara”,
tha Hillari Klinton.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, megjithatë, theksoi se u takon sirianëve e jo Kombeve të Bashkuara, që të vendosin se kush do ta qeverisë vendin e tyre.

Bombardimet në Damask...
Bombardimet në Damask...
“Në versionin origjinal ishte një fjali se duhet të përjashtohen njerëzit që qëndronin në rrugën e paqes ose që e parandalonin paqen. Kjo nuk është në harmoni me gjithëpërfshirjen parimore të procesit politik në Siri”.

“Nuk është në harmoni me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara për mosndërhyrje në punët e brendshme të shteteve sovrane dhe nuk është në harmoni me logjikën e dokumentit të miratuar, që thotë se fati i vendit duhet të vendoset nga vetë sirianët”,
u shpreh Lavrov.

Ministri i Jashtëm kinez, Jang Jieçi, u bëri thirrje të gjitha palëve që ta përfundojnë dhunën “pa asnjë kush të ri”.

Drejtori i Vëzhgimit sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, Rami Abdul-Rahman, tha se opozita siriane nuk do të marrë pjesë në asnjë qeveri tranzicionale “derisa Asadi është ende në pushtet”.

Sekretari i Jashtëm britanik, Uilliem Hejg, theksoi se sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, u ka thënë diplomatëve se misioni monitorues i OKB-së në Siri duhet të tërhiqet, nëse nuk gjendet zgjidhje diplomatike. (f. b.)
XS
SM
MD
LG