Ndërlidhjet

Sektori bankar ngufat zhvillimin ekonomik


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Sektori bankar në Kosovë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, nuk është në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe të ekonomive familjare, për shkak se kamatat e larta nuk mund të përballohen nga bizneset.

Ata thonë se derisa bizneset në Kosovë po ngarkohen me kamata të larta, nuk mund të pritet një zhvillim i hovshëm ekonomik.

Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë se kamatat e larta
mund t’i përballojnë vetëm një pjesë e ndërmarrjeve të cilat merren me tregti, ndërsa sa i përket ndërmarrjeve shërbyese dhe prodhuese, mundësia e kthimit të kredive dhe përballimit të këtyre kamatave aq të larta, sipas Gashit është jashtëzakonisht i vështirë.

Sektori bankar në Kosovë në 10 vjetët e fundit ka marrë një hov dhe është zhvilluar vetëm për veten e tij, është një sistem bankar i sigurt, mirëpo nga këndvështrimi se sa janë të favorshme për komunitetin e biznesit, me kuptimin e plotë të fjalës mund të them se nuk janë në favor të zhvillimit ekonomik. Mirëpo, nuk janë në favor edhe të familjeve të Kosovës, për arsyeje se shumica e kamatave në bankat në Kosovë sillen 10, 12, 13 për qind dhe këto kamata jo që janë më të larta në rajon, por edhe në Evropë”, thekson ai.

Gashi, thotë se nëse kamatat do të vazhdojnë të jenë të tilla, zhvillimi i ndërmarrësisë në Kosovë do të jetë shumë i vështirë si dhe do te ketë një reduktim të numrit të atyre bizneseve që mund të përballojnë kamatat kaq të larta.

Unë kisha propozuar që për uljen e kamatave në Kosovë duhet të intervenojë shtetit, jo intervenimi i shtetit që duhet urdhërohet që të ulen kamata për arsye se ne jemi një ekonomi e tregut të lirë, ku dominon oferta dhe kërkesa. Mirëpo, këto mund të ulen përmes ofertës e kapitalit në treg. Nëse, ta zëmë që fondi i privatizimit kthehet në Kosovë dhe tu jepen bankave komerciale në Kosovë, përmes linjave kreditore me kamatë shumë të ulët, përmes ofertës së kapitalit në treg mund të ndikohen në uljen e kamatave”, shprehet Gashi.

Sipas analizës të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), thuhet se gjatë tremujorit të parë të vitit 2012, vërehet ngadalësim i normës së rritjes te kreditë e lëshuara për ndërmarrjet të cilat në mars 2012 shënuan rritje vjetore prej 8.4 për qind, krahasuar me rritjen prej 13.8 për qind në mars 2011.

Sipas raportit të BQK-së, struktura e kredive të lëshuara për ndërmarrjet deri në mars 2012, u dominua nga kreditë për sektorin e tregtisë, të cilat përfaqësuan 52.4 për qind të gjithsej kredive për ndërmarrjet.

Agron Demi drejtor ekzekutiv në Institutin për Hulumtime të Avancuara, thotë se problemi më i theksuar mbetet se bankat në Kosovë nuk ofrojnë kredi për biznese të reja.

Sipas Demit, kjo nuk po e lejon as zhvillimin e atij biznesi dhe rrjedhimisht po ndikon edhe në moszhvillimin ekonomik.

Sektori bankar nuk ka qenë shumë mbështetës qoftë për biznese të reja apo ato të konsoliduara për shkak të normave të larta të kredive, mandej normat për biznese janë shumë më të larta se sa normat e interesit për kredi personale. Në bazë të një hulumtimi të GAP-it, shumë biznese kanë marrë kredi personale ndërsa i kanë shfrytëzuar për biznes”, thekson ai.

Ajo se çfarë duhet mund të bëjë Qeveria e Kosovës në uljen e kamatave, sipas Demit, është forcimi i sistemit gjyqësor, për shkak se një prej ankesave të bankave komerciale është se ato nuk mund të lëshojnë kredi me kamata më të ulëta, për shkak se rrezikshmëria është e lartë në rast se dikush nuk mund ta kthejë kredinë.

Në fushatën e fundit zgjedhore për zgjedhjet nacionale ka pasur premtime se Qeverisa e Kosovës do të mbështesë duke paguar një pjesë të interesit për bizneset e reja, e sidomos në ato fusha ku Kosova ka nevojë si në agrikulturë dhe bujqësi, kjo nuk ka rezultuar e saktë, pasi që edhe sot kamata në bujqësi kanë norma deri në 25 për qind të interesit”, thotë Demi.

Sipas raportit të BQK-së, pjesëmarrje më të ulët vazhdojnë të kenë kreditë për sektorin e bujqësisë, të cilat në tremujorin e parë të vitit 2012 përfaqësuan 3.5 për qind të gjithsej kredive për ndërmarrjet.

Përndryshe, në tremujorin e parë 2012, sistemi bankar i Kosovës realizoi profit neto në vlerë prej 7.4 milionë euro, deri në mars të vitit 2012, krahasuar me 5.4 milionë euro të realizuara deri në mars të vitit 2011.
XS
SM
MD
LG