Ndërlidhjet

Gordon: Kosova është një vend demokratik, sovran dhe i pavarur


Filip Gordon
Filip Gordon
Një zyrtar i lartë amerikan i ka bërë thirrje Serbisë që të pranojë "realitetin" e pavarësisë së Kosovës, edhe në qoftë se Beogradi nuk e njeh formalisht pavarësinë.

"As ne, as Bashkimi Evropian nuk pret që Serbia ta njohë Kosovën në këtë pikë. Nuk do ta bëjë këtë", ka thënë ndihmëssekretari amerikan për çështjet Evropiane Filip Gordon, në kuadër të një samiti që po mbahet në Dubrovnik.

“Megjithatë, Serbia do të duhet të kuptojë realitetin se Kosova është një vend demokratik, sovran, i pavarur e multi-etnik brenda kufijve aktualë. Ndarja nuk opsion“, është shprehur Gordon, duke përsëritur mbështetjen e Uashingtonit për Serbinë dhe dëshirën e Kosovës që t’i bashkohet Unionit Evropian.

Bashkimi Evropian ia ka dhënë në muajin mars, statusin e kandidates Serbisë, por e ka kushtëzuar përparimin e mëtejmë të saj drejt integrimit, me normalizimin e raporteve me Kosovën.

Fuqitë perëndimore, përfshirë Uashingtonin, janë pajtuar në këtë javë që të përfundojnë mbikëqyrjen e pavarësisë në muajin shtator, katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, por trupat e NATO-s dhe misioni i BE-së, do të mbeten edhe më tej në Kosovë, ku tensionet etnike, shpërthejnë herë pas here.

Gordon, që udhëton në Beograd dhe në Prishtinë në javën e ardhshme, i është bashkuar Unionit Evropian në thirrjen që Serbia të ndalojë mbështetjen për strukturat paralele serbe në veriun e Kosovës.

"Beogradi duhet t’i japë fund mbështetjes për strukturat e paligjshme paralele të sigurisë dhe gjyqësisë në Kosovën veriore dhe duhet të sigurojë lirinë e lëvizjes për të gjithë,” ka thënë Filip Gordon.

Samiti dyditor në Dubrovnik të Kroacisë ka mbledhur kryeministrat, ministrat dhe zyrtarë të tjerë nga Evropa, SHBA-ja, NATO dhe organizata tjera.

Të premten, në samit ka arritur edhe ish-presidenti serb, Boris Tadiq.

Pas lajmit se Tadiq ka arritur në Dubrovnik, e përditshmja e Zagrebit, “Veçernji list” në faqen e saj të internetit shkruan se “takimi që Tadiq e shmangu sa ishte president, megjithatë do të ndodhë sot”.

“Edhe pse Tadiqi është ish-president, ai edhe më tej është politikani i nivelit më të lartë serb që takohet me kryeministrin e Kosovës në takimet ndërkombëtare”, shkruan gazeta.

Edhe pse është ftuar në konferencën dyditore në Dubrovnik, Serbia nuk e ka dërguar asnjë përfaqësues zyrtar të saj.

Për shkak të pranisë së kryeministrit të Kosovës, asnjë zyrtar i Serbisë nuk ka marrë pjesë në këtë samit, sikurse as në takimet e viteve të kaluara. Kryeministri Hashim Thaçi merr pjesë edhe këtë vit, derisa në margjina të samitit, ai është takuar me liderët shtetërorë të Kroacisë.(a.i.)

(Përpiluar nga agjencitë e huaja të lajmeve)
XS
SM
MD
LG