Ndërlidhjet

Kosovë: Rrezikohen reformat kushtetuese e zgjedhore


Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se do ta respektojnë interpretimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, por tërheqin vërejtjen se ajo po rrezikon gjithë reformat kushtetuese e zgjedhore.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërcënon se do t’i bllokojë proceset e reformave kushtetuese dhe zgjedhore, nëse nuk respektohet marrëveshja e arritur në prill të vitit të kaluar mes PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, që pati nxjerrë vendin nga kriza institucionale.

LDK-ja, aktualisht ka këtë qëndrim, pasi që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të premten e kaluar ka bërë të ditur interpretimin e saj se propozimi për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të presidentes së Kosovës, nuk është në pajtim me Kushtetutën.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri konsideron se LDK-ja është tradhtuar nga kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, sa i takon marrëveshjes së vitit të kaluar.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese më shumë i ngjason një vendimi politik sesa interpretim juridik e kushtetues. Më vjen keq ta them, po është një e vërtetë e madhe që prapa kësaj konsiderojmë se vet nxitimi për ta përkrahur ketë mendim të gjykatës për LDK-në, zoti Thaçi mund të jetë një ndër lojtarët për të ndodhur kjo që po ndodh. Dhe po ashtu, po del që nuk është njeri i fjalës dhe marrëveshjeve. Sigurisht që është vota ajo që do të vendosë, do të ketë bllokadë dhe nuk do te ketë mundësi të ecet përpara”, tha Beqiri.

Kurse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha të hënën se vendimet e Gjykatës Kushtetues duhet të respektohen.

Ai, nuk ka dashur të komentojë gjatë këtë çështje, duke thënë se vetë marrëveshja e arritur në mes të tri partive politike në atë kohë, ka qenë jo kushtetuese.

Unë nuk dua t’i paragjykoj gjërat. Këtë çështje duhet ta shpjegojnë ata që e kanë bërë marrëveshjen. Unë kam thënë që në fillim që marrëveshja ka qenë jo kushtetuese. Kurse, sa i takon rezolutës që është miratuar në Kuvend, në asnjë rast rezoluta nuk mund ta ketë fuqinë ligjore më të fuqishme se sa që e ka Kushtetuta”, deklaroi Krasniqi.

Ismet Beqiri ka thënë po ashtu se interpretimi i Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç është dhënë për mandatin e presidentes, është i paqartë dhe jo konkret, sepse nuk citon ndonjë nen të Kushtetutës.

Mendimi i gjykatës është i pa precizuar, ju e shihini si njoftim që ka qenë është shumë i paqartë. Për ne ky mendim i gjykatës nuk është obligativ dhe obligative për ne është rezoluta e Kuvendit”, tha Beqiri.

Edhe në partia tjetër, e cila ka arritur marrëveshja në prillin e vitit të kaluar, Aleanca Kosova e Re, kërkohet që marrëveshja ndërmjet tre liderë e vitit 2011 të respektohet.

Kurse, në partinë tjetër opozitare, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen.

Ardian Gjini, nga ky subjekt politik, deklaroi se marrëveshja e arritur vitin e kaluar në mes të partive politike ka qenë me qëllime jo të mira.

I gjithë procesi ka filluar për arsye të gabuar, nuk ka filluar për shkak se është provuar të rregullohet Kushtetua ose sistemi zgjedhor, po ka filluar se është dashur të trajtohet ego e njerëzve në kohen kur është gjetur se zoti Pacolli, është zgjedhur në mënyrë jo të rregullt si president. Mendojmë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është ai që është, dhe nuk kemi rrugë tjetër veç ta respektojmë”, tha Gjini.

Marrëveshja politike Thaçi – Mustafa – Pacolli, e kthyer më vonë në Rezolutë të Kuvendit, kishte paraparë që zgjedhjet presidenciale të mbahen 6 deri 9 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese.

Por, tash ka dalë si çështje interpretimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilës, ndërprerja e parakohshme e mandatit të presidentes nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën.

Ndryshe, kryetar i Komisionit ad- hoc për amandamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, në reagimin e tij ka thënë se interpretimi i Gjykatës Kushtetuese mund të paraqet një precedent në të ardhmen, sa i përket qasjes ndaj ndryshimeve kushtetuese.
XS
SM
MD
LG