Ndërlidhjet

Strukturat paralele "kërcënojnë" Zyrën Civile në Mitrovicë


Veri...
Veri...

Zyra Civile Administrative, ndonëse jo me një ceremoni të veçantë ose hapje solemne, ka nisur punën në veri të Mitrovicës.

Por, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, kanë reaguar lidhur me fillimin e punës së kësaj zyre, duke e kundërshtuar atë, si dhe duke thënë se një zyrë e tillë nuk është e nevojshme për qytetarët serbë që jetojnë në atë pjesë të vendit.

Lideri i serbëve të veriut, Marko Jakshiq, i cili është edhe deputet në Kuvendin e Serbisë, thekson për Radion Evropa e Lirë se serbët në veri të Mitrovicës tashmë i kanë, sipas tij, dy komuna, njërën të UNMIK-ut dhe tjetrën, të dalë nga zgjedhjet serbe.

Zyra Civile Administrative, si gurë-themel i komunës së re të veriut të Mitrovicës, sipas tij, nuk i duhet serbëve të veriut.

Mendoj që serbëve nuk ju duhet një gjë e tillë. Nëse kemi një komunë të tillë, atëherë nuk do ta kemi shtetin e Serbisë. Nëse e dëshirojmë shtetin e Serbisë, atëherë komuna e tillë nuk na nevojitet. Personalisht mendoj se te serbët do të funksionojnë ndërgjegjja dhe vetëdija, ashti siç ka ngjarë edhe në referendum dhe se në mënyrë absolute do ta injorojnë një institucion të tillë, i cili nënkupton largimin nga shteti ynë amë që quhet Serbi”, thotë Jakshiq.

Ndërkaq, Millan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb në veri të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se serbët e kësaj pjese të vendit janë deklaruar me referendum se nuk i pranojnë institucionet e Kosovës dhe kjo vlen edhe për Zyrën Civile Administrative.

Ne po shohim se ata po e hapin një zyre shqiptare në pjesën veriore. Ata po sjellin vendime që të na e marrin identitetin, shtetësinë dhe dokumentet dhe targat tona dhe po tentojnë që dhunshëm t’i zbatojnë vendimet e tilla, të cilat ne nuk i pranojmë. Kjo mund të nënkuptohet si rrezikim i interesave tona vitale dhe mendoj se me një ndjenjë të tillë të rrezikimit, e cila ka bazë reale, reagimi do të mund të jetë i pakontrolluar dhe një provokim i vogël këtu mund të nxitë destabilizimin dhe trazirat”, shprehet Ivanoviq.

Në anën tjetër, shefja e Zyrës Civile Administrative, Adrijana Hoxhiq, i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë se një numër i madh i qytetarëve të veriut të Mitrovicës, përfshirë edhe ata të bashkësisë serbe, janë mjaft të interesuar që të bëhen pjesë e kësaj administrate.

Por, disa përfaqësues të serbëve edhe më parë i kanë kërcënuar qytetarët serbë, se nëse do të punësohen në Zyrën Civile Administrative, ata do të ndëshkohen sipas ligjeve të Serbisë.

Por, zyrtarët e Policisë së Kosovës, thonë se janë ndërmarrë masat e sigurisë për Zyrën Civile Administrative. Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, besim Hoti, thotë Radios Evropa e Lirë se, tash e sa kohë, dy njësi patrulluese të policisë janë prezentë pranë Zyrës Civile Administrative.

Kjo prezencë e jona fizike, para kësaj ndërtese, është tash e një periudhë bukur të gjatë kohore, me qëllim të parandalimit të çfarëdo lloj incidenti. Gjithë se si, ne do të vazhdojmë të jemi prezent aty edhe me fillimin e punës zyrtare të stafit administrativ”.

Ne jemi të vetëdijshëm se funksionimi i kësaj zyre me personelin dhe në rrethanat në të cilat gjendet, mund të kaloj edhe me kërcënime të ndryshme, por ne gjithsesi jemi aty dhe deri në këtë fazë, nuk kemi të raportuar diçka serioze”, shprehet Hoti.

Ndryshe, Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës dhe ata të Zyrës Administrative në veri, të martën kanë pasur një takim të përbashkët me bashkëpunëtorët e tyre. Ata kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në të mirë të qytetarëve.
XS
SM
MD
LG