Ndërlidhjet

Tuberkulozi ende kërcënon jetët në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim
Tuberkulozi në Kosovë ka qenë një problem i madh shëndetësor dhe social, por që në vitet e fundit ka shënuar rënie, edhe pse ende paraqet kërcënim për popullatën, thonë profesionistë shëndetësor.

Kosova ka rreth 55 mjekë specialistë për sëmundje të mushkërive dhe tuberkuloz, gjë që mund të konsiderohet se ka kapacitet të mjaftueshëm për të mbuluar territorin e Kosovës.

Rukije Mehmeti, pulmologe, zyrtare për tuberkuloz në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, pohon se janë 43 raste në 100 mijë banorë të prekur me tuberkuloz në Kosovë.

Numri i të sëmurëve me tuberkuloz është zvogëluar, nëse krahasohet me vitet paraprake. Këtë vit janë 860 raste, që do të thotë kemi pasur 43 raste të sëmurë me tuberkuloz në 100 mijë banorë. Por kjo nuk duhet të jetë një kënaqësi, pasi që 1 rast i vetëm mund të paraqesë problem. Në Kosovë janë 4 raste me tuberkuloz rezistent që ne i dimë, e që nuk kemi mjekim për ta. Fondi global ka mbuluar vazhdimisht shpenzimet për ta", shprehet Mehmeti.

Në klinikën e mushkërive tash për tash janë të shtrirë gjithsej 20 pacientë, aq sa ka edhe shtretër, thotë doktoresha Mehmeti.

Ndërkaq projekti i Fondit Global në Kosovë paraqet mbështetjen kryesore në luftën kundër tuberkulozit.

Shuma e fondit global është 5 milionë dollarë, për 5 vjet dhe janë të përfshira shumë aktivitete, gjë që ka ndikuar në rënien e kësaj sëmundjeje, duke u nisur nga sigurimi i barnave e deri tek aparatura e duhur.

Bahri Tigani, menaxher i projektit të Fondit Global, komponenti i tuberkulozit, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky fond ka dhënë kontribut të posaçëm, i cili ka filluar të implementohet në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë që nga viti 2005.

Është një ndihmë shumë e madhe, pasi që Ministria e Shëndetësisë nuk ndan shumë mjete për luftë kundër tuberkulozit. Gati në tërësi përkrahja realizohet përmes fondit global, si blerja e barnave të rendit të parë dhe të dytë, blerja e ragjencave, trajnimet, pjesëmarrja në konferenca e shumë mbulime tjera që ndërlidhen me luftën kundër tuberkulozit në Kosovë”.

Zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, kanë theksuar faktin se tuberkulozi edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet kërcënim serioz për shëndetin publik global.

Nga tuberkulozi çdo vit në botë vdesin 1.5 milion njerëz, apo rreth 3 mijë e 800 persona në ditë.

Sidoqoftë, tuberkulozi është një sëmundje ngjitëse që përhapet përmes ajrit, nga i sëmuri te personi i shëndoshë përmes, pështymës, teshtitjes dhe kollitjes.

Shenjat e paraqitjes së tuberkulozit janë, plogështia dhe zbehja, humbja e oreksit si dhe temperatura e lartë.
XS
SM
MD
LG