Ndërlidhjet

Pushimi me pasoja i Kuvendit


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Mbyllja e hershme e sesionit të punës së Kuvendit të Kosovës deri në muajin shtator, do të mund të reflektojë negativisht në procesin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së vendit në muajin shtator, si dhe në mospërmbushjen e agjendës evropiane për integrime, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike-kushtetuese dhe njohësit e rrethanave të integrimeve.

Mallzum Baraliu, ekspert i çështjeve juridike-kushtetuese, thotë se pushimi i hershëm në Kuvendin e Kosovës mund të ndikojë që të mos kompletohen ligjet e nevojshme për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së vendit, dhe një gjë e tillë mund të ndikojë drejtpërdrejt në këtë proces.

Çdo vonesë e kryerjes së obligimeve, përmbylljes së planeve të punës, në këtë rast edhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës, mund të ndikojë në rrumbullakimin e miratimit të ligjeve, të cilat janë të detyrueshme për Kuvendin e Kosovës deri në shtator, atëherë kur pritet që Grupi Ndërkombëtar i Mbikëqyrjes të mbajë mbledhjen përfundimtare në Prishtinë, për të përmbyllur atë që quhej pavarësi e kushtëzuar dhe për të pasur Kosova përfundimisht, si shtet, statusin sovran të një shteti sovran në të ardhmen”, shprehet Baraliu.

Ai shton se mosrrumbullakimi i ligjeve deri në shtator, do ta komplikojë situatën ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe faktorit ndërkombëtarë.

Në qoftë se nuk respektohet dinamika e koordinuar dhe e planifikuar në mënyrë të përbashkët nga institucionet tona dhe ndërkombëtarëve, veçanërisht Grupit Ndërkombëtar i Mbikëqyrjes, e cila dinamikë është planifikuar dhe respektuar, padyshim që do të ketë rrjedhoja".

"Padyshim që mund të ketë influencë jo të dëshiruar sepse do të mund të vlerësohej si diçka që nuk paraqet seriozitet të institucioneve tona në respektimin e dinamikës dhe planit të paraparë për të përmbyllur pavarësinë e kushtëzuar”, thotë ai.

Ndryshe, pushimit të hershëm të Kuvendin e Kosovës, vendi mund t’ia sheh sherrin edhe në proceset integruese evropiane, vlerëson Shenoll Muharremi, njohës i rrethanave integruese.

Sipas tij, stina e verës këtë vit është më e ngjeshura sa i përket integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, për shkak se në muajin tetor pritet vlerësimi i Bashkimit Evropian se a është ose jo e gatshme Kosova që të fillojë negociatat për marrëveshjet për Stabilizim Asociim.

Janë përmendur, një kohë të gjatë, pesë reforma kyçe që Kosova duhet t’i ndërmarrë. Fakti që Kuvendi shkon në pushim, do të thotë që Kosova nuk do të arrijë t’i zbatojë këto pesë kushte dhe ne tani dyshojmë nëse mund ta marrim ndonjë vlerësim pozitiv”.

Duke e ditur që pushteti e ka shumicën në Kuvend dhe ndikimin, të cilin e ka përdorë në raste siç janë: çështja për privatizimin e telekomin apo çështja e autostradës, është për keqardhje që ata nuk janë angazhuar që ta bëjnë një agjendë të përbashkët me Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të sigurohemi se ne i ndërmarrim reformat e nevojshme dhe marrim dritë jeshile për ti filluar negociatat për marrëveshjen për stabilizim asocim”.

Sipas Muharremit, janë dy skenarë të pritur se mund të ndodhin në tetor.

Ai thotë se mund të pritet që Kosovës t’i thuhet se është e gatshme për t’i filluar negociatat për Stabilizim Asociim ose e kundërta dhe që është opsion më i besueshëm të ndodhë, t’i tregohet përsëri se cilat janë reformat që duhet t’i ndërmarrë në mënyrë që të jetë e gatshme që t’i fillojë negociatat.

“Është për keqardhje, për shkak se edhe ashtu Kosova vazhdon ët jetë e fundit në rajon. Kosova edhe ashtu ka humbur shumë kohë dhe ne me të vërtetë kemi shpresuar që ta marrim dritën jeshile dhe ta zëmë hapin me vendet tjera të Ballkanit perëndimor”.

Ne tash kemi drojë që në tetor nuk do ta marrim dritën jeshile, por do ta marrim listën e reformave, të cilat ne nuk i kemi ndërmarrë dhe për të cilat qe një kohë të gjatë i dimë se cilat janë. Kjo do të mund t’ia humbë Kosovës, qytetarëve dhe bizneseve të vendit, rreth 2 vite të procesit të integrimeve edhe ashtu tepër të stërvonuar për qytetarët e Kosovës”, thekson Muharremi.

Sido që të jetë, Muharremi shprehet se e gjithë kjo që po ndodhë, e vë në dyshim sinqeritetin, dëshirën dhe vullnetin politik të pushtetit për integrimet evropiane.
XS
SM
MD
LG