Ndërlidhjet

Klinton: SHBA-të e mbështesin tranzicionin në Egjipt


Hillari Klinton
Hillari Klinton

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, ka shprehur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për tranzicionin demokratik në Egjipt.

Këto komente ajo i bëri të shtunën në Kajro, pas bisedimeve me presidentin e Egjiptit, Muhamed Morsi, i cili muajin e kaluar u zgjodh në këtë post si presidenti i parë civil islamik.

Hillari Klinton tha se e kishte përgëzuar presidentin e Egjiptit, Muhamad Morsi, për premtimin e tij se do të jetë president i të gjithë Egjiptianëve dhe se do t’i mbroj të drejtat e grave dhe të minoriteteve.

Presidenti dhe unë diskutuam për rëndësinë e mbajtjes që tranzicioni demokratik i Egjiptit të lëvizë përpara dhe unë e përgëzova atë për premtimin e tij për t’u shërbyer të gjithë egjiptianëve, përfshirë femrat dhe minoritetet dhe për t’i mbrojtur të drejtat e të gjithë egjiptianëve”, tha Hillari Klinton në Kajro

Zonja Klinton, po ashtu, e ka përgëzuar edhe ushtrinë për mbrojtjen e popullit dhe e ka dënuar Sirinë, ushtria e së cilës po “e vranë popullin e vet”.

Kjo para se gjithash është çështje për popullin e Egjiptit, por Shtetet e Bashkuara e mbështesin tranzicionin e plotë te udhëheqja civile me të gjitha ato që ajo i sjellë dhe ne e kemi përgëzuar Këshillin Suprem të Forcave të Armatosura të Egjiptit për përfaqësim të popullit të Egjiptit në revolucion, derisa e krahasojmë me atë që ne po e shohim në Siri, ku ushtria po i vranë njerëzit e vet. Këtu Këshilli e mbrojti kombin egjiptian dhe ne i përgëzojmë ata për mbikëqyrjen e procesit të zgjedhjeve të lira dhe korrekte. Por, ka më tepër punë përpara”, tha Hillari Klinton.

Zonja Klinton ka kërkuar nga Morsi që ta filloj dialogun politik me gjeneralët, që e kanë sunduar këtë vend, prej përmbysjes së ish presidentit Hosni Mubarak, vitin e kaluar.

Demokracia është e vështirë. Ne kemi qenë në këtë situatë për më tepër se 236 vjet dhe ajo kërkon dialog dhe kompromis dhe politikë reale. Prandaj, ne jemi të inkurajuar dhe ne dëshirojmë të ndihmojmë, por e dimë se nuk u takon Shteteve të Bashkuara që të vendosin, por populli i Egjiptit duhet të vendosë”, tha Hillari Klinton.

Presidenti Morsi, po ashtu, është i përfshirë në mospajtime me sistemit e drejtësisë së Egjiptit, pasi ai e ka ripërtërirë Parlamentin, duke mos e respektuar vendimin e gjykatës më të lartë në këtë vend, e cila këtë legjislaturë e kishte shpallur të pavlefshme.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, është takuar edhe me liderin më të lartë ushtarak në Egjipt, Marshalin Husein Tantavi, i cili kishte shërbyer si udhëheqës i përkohshëm i Egjiptit, pas përmbysjes së Hosni Mubarakut.

Zyrtarja e lartë amerikane tha se Uashingtoni do t’i japë kredi Egjiptit 250 milionë dollarë për tregti dhe do ta krijoj një fond investues prej 60 milionë dollarësh për këtë vend. (f. b.)
XS
SM
MD
LG