Ndërlidhjet

Kosova pa kontroll të duhur të ilaçeve


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Përfaqësuesit e Shoqatës Farmaceutike të Kosovës, thonë se kontrolli i barnave që hynë në Kosovë është në nivel të ulët.

Mungesa e kontrollit të duhur, sipas tyre, mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve.

Kryetari i shoqatës, Besim Muzaqi, tha për Radion Evropa e Lirë se në vazhdimësi nga institucionet kompetente është kërkuar një kontroll më i madh për medikamentet e importuara, por kjo deri më tash nuk është bërë.

Kemi bërë thirrje disa herë pranë AKPM-së, që kontrolli i barnave të bëhet më shumë, për barnat të cilat importohen në Kosovë, por fatkeqësisht deri më tani ky laborator nuk ka treguar ndonjë rezultat, apo punë shumë efikase. Prandaj, edhe po kemi raste të cilat çdo ditë po na paraqiten në tregun farmaceutik”, tha Muzaqi.

Kurse, shefi ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, Ilir Dushi, tha se kontrolli i barnave që hynë në Kosovës, behët njësoj si në gjithë boten, duke iu nënshkruar një kontrolli të trefishtë.

Pjesa e parë përfshin regjistrimin e produktit, dosjet, dokumentacionin regjistrues dhe atëherë fiton lejen për me t’u plasuar në treg. Pasi të plasohet në treg, kontrollohet përmes laboratorit- analizat kuantitative –kualitative të produktit. Dhe kontrolla e tretë është kur raportohet për efektet anësore të cilat nuk mund te gjinden në analiza, mirëpo shfaqen persona të ndryshëm që e përdorin produktin, p. sh temperatura, lëndët pirogene, ndodhen shpeshherë në sasi aq minimale, sa që është gati e pamundur të detektohen metodat e analizës”, shpjegoi Dushi.

Por, sa i takon çështjes se a ka kontroll të mirëfilltë të medikamenteve në Kosovë, drejtori AKPM-së, Dushi shpjegon:

Se a është i mirëfilltë apo jo kontrolli, nuk kisha me thënë. Mirëpo, ky është një proces dinamik ku vazhdimisht shkojnë duke u kontrolluar me metoda të reja, forma të reja. Dhe në baza mujore apo vjetore, shtrëngohet sistemi për të krijuar një kualitet sa më të mirë të produkteve në treg”, tha Dushi.

Ndryshe, siç raportohet në mediat kosovare, nga disa analiza që i ka bërë agjencia amerikane për ushqim dhe ilaçe FDA, është zbuluar se bimët e kompanisë farmaceutike serbe Hemofarm, kanë baktere të rrezikshme, të cilat shkaktojnë ndërprerjen e punës së mushkërive dhe vdekjen.

Udhëheqësi i Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale tha se produktet e Hemofarm-it, për shkaqe dokumentacioni, që nga janari i këtij viti janë ndaluar të importohen në Kosovë.

Nuk ka shumë medikamente të kësaj kompanie në treg, sepse këto janë ndaluar qysh në janar, jo me çështjen në fjalë, por për shkak të çështjes së dokumentacionit”, tha ai.

Megjithatë, medikamentet që i ka prodhuar kjo kompani, kanë hyrë në Kosovë para vitit 2012 dhe në depo të farmacive ende ekzistojnë artikuj që prodhon kjo kompani nga Serbia.

Ndryshe, autoritetet policore dhe doganore, tregojnë se mallrat e kontrabanduara nga Serbia në rrugë ilegale, janë derivatet e naftës dhe produktet medicinale.

AKPM-ja në veri të Kosovës deri më tash nuk ka pasur qasje dhe nuk ka kontrolluar asnjëherë medikamentet që kanë hyre nga Serbia.

Në mënyrë që të ketë një kontroll mbi barnat që hyjnë në Kosovë, Shoqata Farmaceutike e Kosovës, i ka bërë thirrje Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, që në të gjitha vendkalimet kufitare të vendosen pika statike për marrjen e mostrave të barnave të cilat hyjnë në Kosovë.

Deri më tani, kjo metodë nuk është aplikuar. Janë kërkuar nga importuesit që të sillen disa mostra për kontroll, mirëpo gjithmonë duhet të shkojmë nga ajo që të i mos besojmë askujt, t’i besojmë vetëm kontrollit”, tha Muzaqi.
XS
SM
MD
LG