Ndërlidhjet

Dy veto ndaj rezolutës për Sirinë


Generic - Red card football, undated
Generic - Red card football, undated
Rusia e Kina kanë përdorur veto-n ndaj draft-rezolutës mbi zgjidhjen e krizës në Siri, njoftuan agjencitë e lajmeve.

Votimi mbi këtë çështje u bë gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku po diskutohen zhvillimet aktuale në Siri.

Draft-dokumenti ishte dorëzuar, gjatë javës së kaluar, nga Britania në Këshillin e Sigurimit, nërsa bën thirrje për sanksione ndaj regjimit të presidentit, Bashar Al Asad.

Trupat e ushtrisë siriane dhe luftëtarët e opozitës, ndërkaq, po vazhdojnë luftimet në afërsi të selisë së qeverisë në Damask, një ditë pasi nga një sulm vetëvrasës u vranë tre anëtarë të rrethit të ngushtë të presidentit, Bashar Al Asad.

Banorët e Damaskut thonë se ushtria siriane po e përdorë artilerinë në pjesët përreth kryeqytetit të vendit, ku forcat qeveritare janë duke luftuar me rebelët që nga e diela.

Bombardimet e zonave si Tadamon dhe Midan detyruan qindra banorë ta braktisin vendin gjatë së enjtes. Raportet thonë se luftëtarët mbështetës të Asadit të quajtur “shabbiha” po kryenin gjithashtu bastisje në bastionet e opozitës në kryeqytetin e Sirisë.

Me zotimin se “për ta pastruar Damaskun nga terroristët” në kohën kur nis muaji Ramazan, ushtria siriane u dha banorëve 48 orë për t’u larguar.

Ndërkohë, televizioni shtetëror i vendit raporton se janë “rebelë të armatosur” e të veshur me uniforma të ushtrisë se Gardës Republikane, ata që po sulmojnë shtëpitë e banorët në kryeqytet.

Aktivistët e opozitës hedhin poshtë këto raporte duke thënë se forcat e regjimit janë duke kryer “sulme hakmarrëse” për shpërthimin e së mërkurës, nga i cili u vra ministri i Mbrojtjes dhe zëvendësi i tij-kunati i Asadit, dhe shefi i menaxhimit të krizave në Siri.

Ministri i Brendshëm, Ibrahm Al Shar, dhe shefi për Siguri Kombëtare, gjenerali Hisham Iktijar, thuhet se morën plagë serioze nga sulmi.

Kreu i Këshillit Kombëtar Sirian-pjesë e opozitës, Abdelbaset Sida, tha të mërkurën mbrëma se shpërthimi ishte një “pikë kthyese” në protestat kundër regjimit të Asadit, nga i cili sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara janë vrarë të paktën 17 mijë njerëz.

“E mërkura është një pikë kthyese në historinë e Sirisë. Grupi i vënë në shënjestër nga sulmuesi janë njerëzit që qëndrojnë prapa vrasjes së sirianëve në 16 muajt e fundit. Ne mendojmë se sirianët janë çliruar pas këtij sulmi”, u shpreh ai.

Pas sulmit të së mërkurës, Asad nuk ka dhënë ndonjë deklaratë publike e as nuk është shfaqur në publik, ndërsa mbetet e paqartë se ku ndodhet për momentin.

Sipas burimeve të pakonfirmuara të opozitës dhe një diplomati ndërkombëtar, Asad ka lëshuar Damaskun menjëherë pas sulmit të së mërkurës dhe ka udhëtuar në qytetin bregdetar Latakia, prej nga po urdhëronte kundërpërgjigjen ushtarake ndaj sulmit.

Një ndihmës i lartë i presidentit rus, Vlladimir Putin, hodhi poshtë të gjitha raportet që flasin për mbajtjen e diskutimeve rreth mundësisë së pranimit në Rusi të Asadit.

Këshilltari për politikë të jashtme i Rusisë, Juri Ushakov, tha se nuk ka pasur bisedime për vendin ku do të mund të qëndronte Asadi në rast të largimit të tij nga Siria.

Major-gjenerali, Robert Mud, udhëheqës i misionit monitorues të Kombeve të Bashkuara në Siri tërhoqi vërejtjen se dhuna në Siri ka shkuar përtej kufirit të kontrollit.


Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë tha se sulmi me bombë që vrau katër anëtarë të lartë të regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Asad, tregon se Asad po e “humb kontrollin.”

Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje gjithashtu komunitetit ndërkombëtar që të bashkohet rreth një plani për ta larguar Asadin nga pushteti.

Shefi i OKB-së, Ban Ki mun tha se e “dënon fuqishëm” sulmin.

Ban dhe i dërguari ndërkombëtar për konfliktin në Siri, Kofi Anan, i bënë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ndërmarrë veprime të fuqishme në Siri para një votimi të një rezolute të mbështetur nga Perëndimi, e cila bën thirrje për sanksione të ashpra.

Votimi i planifikuar për të mërkurën, u shty për një ditë për shkak të shpërthimeve.

Ban tha se është një “nevojë urgjente” që të ndërmerren veprime, në mënyrë që qeveria dhe forcat opozitare ta ndalin dhunën.

Anan tha se këshilli duhet të ndërmarrë veprime “vendimtare” mbi konfliktin.

Rusia dhe Kina pritet të vënë veton mbi projekt-rezolutën, e cila pritet të votohet të enjten.

Shtëpia e Bardhë tha po ashtu se presidenti Barak Obama e ka thirrur homologun rus, Vlladimir Putin, për të diskutuar për situatën.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, përsëriti megjithatë, një ditë më parë, kundërshtimin rus ndaj rezolutës së OKB-së, duke thënë se sanksionet ndërkombëtare do të rrisnin” një mbështetje të plotë për lëvizjen revolucionare”.

Në Damask, forcat besnike të sigurisë të Asadit kanë vërshuar rrugët pas shpërthimit, dhe snajperët janë pozicionuar në kulmet e larta.

Megjithatë, festime spontane të publikut kanë shpërthyer pas raporteve të televizionit sirian, me gjithë luftimet e egra përreth kryeqytetit.

Armata e Lirë Siriane e opozitës e mori përgjegjësinë, por ngjashëm bëri edhe një grup islamik i quajtur Liua Al-Islam, ose “Brigada e Islamit”.

Komandanti i kryengritësve të Sirisë, Riad al-Asad, duke folur nga Turqia, tha se forcat e tij e kishin vendosur bombën brenda dhomës ku zhvillohej takimi.

Radvan Ziadeh, zyrtar për marrëdhënie me jashtë i Këshillit Kombëtar Sirian, i tha Reuters-it nga Uashingtoni se sulmi shënon fillimin e fundit të regjimit të Asadit.

“Kjo do të jetë pikë kthese. Sepse, regjimi i Asadit do ta dijë, se ai do të luftojë deri në fund”, tha Ziadeh.

Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj 29 zyrtarëve tjerë sirianë dhe gjashtë kompanive të këtij vendi, duke e zgjeruar kështu listën e zezë.(e.p. & a.i.)
XS
SM
MD
LG