Ndërlidhjet

SHBA: Flamujt në gjysmështizë


Uashington (Foto arkiv)
Uashington (Foto arkiv)
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka urdhëruar që flamujt në Shtëpinë e Bardhë dhe në të gjitha institucionet shtetërore, në ambasada dhe në bazat ushtarake, të ulen në gjysmë shtize, në nderim të viktimave të sulmit në një sallë të kinemasë në Kolorado.

Në këtë pozitë flamujt do të qëndrojnë deri më 25 të këtij muaji.

Barak Obama duke folur për ngjarjen në Kolorado...
Barak Obama duke folur për ngjarjen në Kolorado...
Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, theksohet se me këtë gjest nderohen viktimat e “dhunës së pakuptimtë” në Aurora të Denverit, me ç’rast një person i armatosur i ka vrarë 12 vetë dhe plagosur 58 të tjerë.

Sulmuesi Xhejms Holms, 24-vjeçar, është arrestuar nga policia.

Incidenti ishte ndër më vdekjeprurësit në historinë e re të Shteteve të Bashkuara.

Dan Ots, shef i policisë në Aurora të Denverit, ku ndodhi sulmi, tha se 30 nga të plagosurit ende mbeten në spital, ndërsa 11 prej tyre janë në gjendje kritike.

Sulmuesi Holms kishte hyrë në sallë në premierën e filmit të ri Betmen, “Ngritjet e kalorësit të errësirës”, që filloi të enjten në mesnatë.

I veshur në të zeza anti-plumb deri në këmbë, me maskë të gazit në fytyrë, i dyshuari i aktivizoi dy shishe me gaz, para se të hapte zjarr në sallën përplot me shikues.

Dëshmitë mjekoligjore tregojnë se sulmuesi Xhejms Holms i kishte përdorur dy pushkë dhe një revole gjatë sulmit.

Shefi i policisë Dan Ots tha se të enjten në mbrëmje, sulmuesi Holms kishte siguruar mijëra plumba për arsenalin e tij të armatimit.

“Ai kishte blerë katër armë në një shitore lokale të armatimit dhe nëpërmjet Internetit kishte blerë mijëra municione për armatimin që e posedonte”, tha Ots në konferencën për shtyp.

Xhejms Holms 24 vjeçar
Xhejms Holms 24 vjeçar
Sulmuesi Holms u ishte dorëzuar policëve që kishin hyrë në skenën e krimit.

Personi Stifen Parton, që i mbijetoi sulmit, duke shpëtuar vetëm me një lëndim të lehtë, kështu e përshkruan sulmin.

“Njerëzit ia filluan të klithnin, ishte një kaos i vërtetë. Unë dhe shokët e mi u ulëm poshtë. Nuk e di, ndoshta ai i zbrazi afro 25 plumba. Përfundimisht, kur të shtënat u ndalën u ngrita dhe pashë shumë njerëz që vraponin kah dalja. Unë iu bashkova atyre”, tha Stifen Parton, që i mbijetoi sulmit në sallën e kinemasë në Aurora të Denverit, të premten në mëngjes.

Shefi i policisë, Ots, tha se hetuesit janë në proces të shkatërrimit “të një mori pajisjesh kimike dhe të zjarrit, qartazi me tela të zgjatur”, që ishin gjetur të gatshëm të eksplodojnë në banesën e sulmuesit Xhejms Holms.

Ndërtesat e afërta janë evakuuar dhe shefi i policisë, Ots, tha se pastrimi i banesës së të dyshuarit mund të zgjasë disa ditë.

Agjencia FBI ka njoftuar se nuk ka lidhje të qartë të Holmsit, ish-student i diplomuar në neurologji, dhe të ndonjë organizate terroriste.

Pentagoni tha se së paku tre ushtarë ishin në mesin e personave të plagosur, ndërsa nuk dihet se çka ka ndodhur me një pjesëtar të marinës amerikane.

Pentagoni tha, po ashtu, se Xhejms Holms, asnjëherë nuk ka shërbyer në çfarëdo dege të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.

Policia thyen xhamin e dritares së apartamentit të Xhejms Holmsit, ku u gjet armatim...
Policia thyen xhamin e dritares së apartamentit të Xhejms Holmsit, ku u gjet armatim...
Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se ishte i “shokuar dhe i pikëlluar” nga vrasjet e pakuptimta.

“Ne do të ndërmarrim çdo hap të mundshëm për të pasur siguri për të gjithë njerëzit tanë. Ne do të qëndrojmë me fqinjët tanë në Kolorado gjatë kësaj kohe jashtëzakonisht të vështirë”, deklaroi Barak Obama.

Presidenti Barak Obama dhe rivali i tij republikan Mit Romni, i anuluan fjalimet në kuadër të fushatës për zgjedhjet presidenciale, dhe mbajtën fjalime ku kanë shprehur ngushëllime dhe nderim për viktimat.

Regjisori i filmit Betmen “Ngritjet e kalorësit të errësirës”, Kristofer Nolan, me anë të një deklarate në emër të ekipit, shprehu “pikëllim të thellë lidhur me këtë tragjedi të pakuptimtë”.

Incidenti i rëndë me të shtëna në Aurora të Denverit, ka shkaktuar edhe anulimin e premierës së filmit në Paris. (f. b.)
XS
SM
MD
LG