Ndërlidhjet

Trajkoviq: Frikësohem nga heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë


Rada Trajkoviq
Rada Trajkoviq

“Prishtina dhe Beogradi duhet të përgatiten për zgjidhjen në mënyrë të civilizuar të problemit në veri të Kosovës dhe mënyra e vetme është përmes bisedimeve”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe.


RADIO EVROPA E LIRË
Ka kaluar tashmë një vit që kur institucionet e Kosovës kanë vendosur kontrollin mbi vendkalimet kufitare në veri të Kosovës. Si kundërpërgjigje, serbët e veriut i kanë bllokuar rrugët me barrikada, gjë që ende vazhdon në disa rrugë. Cilat kanë qenë efektet e gjithë kësaj situate dhe a mendoni se ky “pat” pozicion mund të zgjasë ende?

RADA TRAJKOVIQ
Unë mendoj që barrikadat, si mënyrë dhe mjet për t’u përgjigjur, janë tejkaluar që moti. Po të kisha fuqinë, unë që në fillim do të isha kundër kësaj mënyre të demonstrimit të mospajtimeve me vendimet e ekipit bisedues, që janë arritur në Bruksel. Mendoj se dalë nga dalë, vetëdija e të gjithëve duhet të jetë në nivel, në kuptimin e përgatitjes për zgjidhjen në mënyrë të civilizuar të problemit në veri të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila mendoni se është kjo mënyrë e civilizuar për ta zgjidhur problemin?

RADA TRAJKOVIQ
Mënyra e vetme është, në thelb, ajo me të cilën përfundojnë të gjitha luftërat, siç thuhet, madje edhe të armiqve më të mëdhenj në botë. Do të thotë, përmes bisedimeve, kompromiseve, negociatave, marrëveshjeve, të cilat do të rezultojnë zgjidhjen, me të cilën nuk do të jenë të kënaqur të gjithë në mënyrë të njëjtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, megjithatë, serbët e veriut nuk kanë treguar gatishmëri për bisedime të tilla...

RADA TRAJKOVIQ
Unë mendoj që as nga ana e institucioneve të Prishtinës nuk ka pasur iniciativa të përgatitura dhe të menduara seriozisht, të cilat do të ishin në funksion të përafrimit të interesave të serbëve, në anën jugore të lumit Ibër.

Është aq domethënëse që institucionet të tregojnë se dëshirojnë ta ruajnë dinjitetin e popullatës dhe në fakt, marrëdhënia e institucioneve të Prishtinës me serbët nën lumin Ibër, të jetë rekomandimi më i mirë për serbët mbi lumin Ibër. Nga asnjëra anë nuk ka përgjegjësi të mjaftueshme për normalizimin e marrëdhënieve.

Ndërkaq, më duket se edhe faktorët ndërkombëtar, të cilët, në esencë, nuk e di çfarë rëndësie kanë dhe veprojnë në kundërshti me njëri tjetrin, disi nuk kanë pasur konsensus të vërtetë në kuptimin e përkrahjes së bisedimeve të tilla dhe zgjidhjes në veri të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ngjarjet në veri, në njëfarë mënyre i kanë ndarë serbët që jetojnë në anën jugore të lumit Ibër nga ata që jetojnë në veri?

RADA TRAJKOVIQ
Më vjet trishtim që ta them, por kjo është e vërtetë. Pavarësisht se sa, ne që jemi nën lumin Ibër, e kuptojmë frikën e bashkëkombësve tanë në veri dhe sado që dëshirojmë që ta demonstrojmë solidaritetin, ne para së gjithash, nuk kemi mundësi që t’ua ofrojmë mbështetjen në mënyrën se si ata e bëjnë në veri, në kuptimin e vënies së barrikadave ose nxitjes së aktiviteteve të tilla, të cilat ndonjëherë përfundojnë edhe me të shtëna. Thjeshtë, nuk mund ta bëjmë sepse gjendemi në një rreth specifik.

RADIO EVROPA E LIRË
Pushteti në Serbi është ndërruar. Çfarë qasje mund të pritet realisht nga Qeveria e re e Serbisë ndaj Kosovës, sepse derisa pushteti i tashëm ka qenë në opozitë, ka pasur mjaft vërejtje lidhur me politikën e Serbisë ndaj Kosovës, si dhe dialogut dhe marrëveshjeve me të?

RADA TRAJKOVIQ
Unë mendoj se sa u përket proceseve politike në Kosovë, bartësit kryesor do të jenë Partia Përparimtare dhe Partia Socialiste ose konkretisht, zoti Daçiq dhe kryetari i Serbisë, zoti Nikolliq. Ne po e përcjellim vazhdimësinë e deklaratave të tyre, për të cilat, veçanërisht për kryetarin Nikolliq, nuk mund të themi se janë deklarata pikërisht të vazhdimësisë.

Por, ka deklarata që sikur janë në kundërshti me njëra tjetrën. Ngjashëm vepron edhe zoti Daçiq me idetë e tij për ndarjen e Kosovës dhe natyrisht mbështetjen në këtë mënyrë për serbët në veri të Kosovë. Por, unë mendoj se kjo më shumë është rezultat i mospasjes së politikës “si dhe çfarë do të bëjmë me Kosovën”, se sa i orientimit të tyre që proceset që kanë rrjedhur deri më tash, në kuptimin e qetësimit të situatës përmes bisedimeve, kompromiseve, marrëveshjeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat janë mbajtur në Bruksel dhe se megjithatë do të shkohet në drejtim të vazhdimit të bisedimeve të tilla.

Natyrisht, zoti Nikolliq, e jep si prioritet ngritjen e bisedimeve në nivel më të lartë dhe politik dhe jo vetëm teknik, gjë që flet se janë të gatshëm për diçka që nënkupton zgjidhjen e kësaj çështjeje në një mënyrë serioze dhe afatgjatë. Unë dua të besoj se kështu do të jetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në shtator pritet të përfundoj mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. A mendoni se kjo mund të ndikoj në çfarëdo mënyre në situatën në Kosovë?

RADA TRAJKOVIQ
Unë mendoj se mund të ndikoj shumë fuqishëm, posaçërisht nëse institucionet e Prishtinës nuk e tregojnë orientimin e vërtetë për stabilitet dhe mbijetesë të serbëve, por edhe të popujve tjerë që jetojnë në këtë hapësirë. Ndryshe, unë tepër i frikësohem heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë. Thjeshtë për shkak se mendoj në sistemin, veçanërisht sistemin e sigurisë.

Mendoj konkretisht në policinë, e cila duhet të jetë bartësja kryesore e luftës kudër kriminalitetit ekonomik, por edhe në masë mjaft domethënëse edhe kundër kriminalitetit etnik, që nënkupton edhe efikasitetin në gjetjen e njerëzve që vrasin serbët dhe që i maltretojnë dhe jo që policia të jetë në funksion, ashtu siç është tash një pjesë e policisë së Kosovës, veçanërisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë e organizuar sipas principit etnik, e cila e ka sistemin e saj paralel, përmes të cilit në mënyrë të drejtë për drejtë i ngacmon, kontrollon dhe maltretion serbët.

Kjo është ajo nga e cila frikohem më së shumti. Ndërkaq, në anën tjetër, deri në shtator, sigurisht që çështja e veriut nuk do të zgjidhet. Po ashtu, mjaft probleme për sigurinë në veri, po të mos ishte KFOR-i, ato do të ishin mjaft të komplikuara. Kështu që frikësohem që adresat të cilat na mbeten, e ato janë Bashkimi Evropian, Amerika dhe nuk di se cilat vende tjera, si dhe zyrat dhe ambasadat e tyre, nuk mund ta ndërrojnë një trup, i cili duhet të funksionojë dhe të ketë kompetenca ekzekutive ende brenda Qeverisë së Kosovës, sepse është krejtësisht e qartë se ajo nuk ka kapacitete për një projekt të qëndrueshëm të pavarësisë së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ka ardhur koha që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe a ekzistojnë rrethana të tilla?

RADA TRAJKOVIQ
Mendoj se nuk e di se cila e ardhme do të jetë realitet, por tash për tash gjithsesi që jo. Por, kjo nuk i pengon asnjërën palë që të jenë të mençur mjaftueshëm, siç kanë qenë të mençur Gjermanët që të vendosin dhe të ngritin nivelin e bashkëpunimit të tyre.

Për mua, vërtetë, nuk paraqet kurrfarë problemi as shkëmbimi i disa zyrave tregtare ose ekonomike, të cilat do të ishin në Prishtinë dhe Beograd, ku ekonomistët në mënyrë legale dhe krejtësisht transparente do të mund të bashkëpunonin, të lidheshin, të jenë sa më shumë së bashku dhe të kontribuojnë në njëfarë mënyre për demilitarizimin e kësaj hapësire.

Dhe, të qojnë drejt procesit të bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe vendit dhe adresës ku do të mblidheshin dhe do të mund të bënin projekte të dobishme për popullatën e re të papunësuar nga të dyja anët e vijës kufitare.
XS
SM
MD
LG