Ndërlidhjet

Shtëpia e Operës dhe Baletit, projekt i “ngrirë”


Ilustrim
Ilustrim
Projekti për ndërtimin e Shtëpisë së Operës dhe Baletit, që kishte nisur si ide në vitin 2007, dhe që kishte nisur të realizohet me hapjen e gropës për gurë-themelin në vitin 2009, ka stagnuar dhe është ngrirë.

Këtë e konfirmojnë zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Qeverinë e Kosovës, të cilët thonë se kostoja për realizimin e këtij projekti është e papërballueshme.

Shasivar Haxhijaj, këshilltar i lartë i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kostoja e përllogaritur për realizimin e projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Operës dhe Baletit, arrin shumën 30 milionë euro.

Në anën tjetër, sipas tij, ministria përgjegjëse për kulturën, bazuar në buxhetin e ulët të saj, nuk mund të investojë më shumë se 1 milion euro në vit, për realizimin e këtij projekti, gjë që sjell në përfundim se do të duheshin 30 vjet që projekti të përfundohej.

Përveç këtij fakti, sipas tij, ndërkohë është konstatuar se vetë projekti përmban në vete mjaft defekte, të cilat e bëjnë atë të parealizueshëm.

Projekti, siç e quan Haxhijaj, “me probleme”, është trashëguar nga mandatarët e kaluar të kësaj ministrie, ndërkohë që aktualisht, zyrtarët e ministrisë janë para dilemave se si duhet t’i qasen këtij problemi.

“Ne kemi qenë para dy dilemave. E para, të vazhdohet me këtë trend, që është në njëfarë forme bllokim i projektit, të ndahen për çdo vit nga 1 milion euro dhe të mos punohet asgjë dhe të rrezikohet që të gjitha ato mjete që investohen, të shkojnë huq”.

“Ndërsa, është edhe zgjidhja tjetër, që ma merr mendja që është zgjidhja më e pranueshme dhe që besoj që ne do ta zgjedhim këtë të dytën, që është, ne të hapim një konkurs të ri, për një projekt të ri për këtë objekt”
, thotë Haxhijaj.

Në anën tjetër, dy institucionet kulturore, Baleti i Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës, në vazhdimësi kanë potencuar nevojën për një objekt, siç do të ishte Shtëpia e Operës dhe Baletit. Drejtuesit e këtyre dy institucioneve thonë se ato vazhdojnë të punojnë në kushte aspak të kënaqshme për veprimtarinë e tyre.

Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit të Kosovës, thotë se nevoja për një objekt të ri që i përmbush kushtet e punës dhe ato të zhvillimit, ka qenë e nevojshme tash e 40 vjet.

“Baleti ka pasur nevojë që nga viti 1972 që ta ketë një skenë më të gjerë, më të madhe dhe me kushte që i duhen. Kurse, ndërtimi i ndërtesës të Teatrit të ri të Baletit dhe Operës është i domosdoshëm jo vetëm për baletin, por për Prishtinën dhe për Kosovën, sepse siç dihet, Kosova nuk ka ndonjë objekt ku mund të bëhen aktivitete të mirëfillta, do të thotë edhe për teatër, operë, balet dhe filarmoni”, shprehet Brahimaj.

Baki Jashari, drejtor i Filharmonisë së Kosovës, thekson që nëse mungesa e një objekti të mirëfilltë, ku do ta zhvillonte punën ky institucion, do të zgjaste vetëm edhe 5 vjet, kjo do të ishte goditje për këtë institucion.

“Kjo do të jetë pengesë e madhe për evoluimin e mëtejmë të Filharmonisë, për rritjen. Ne qysh tash, përgatitjen e koncerteve të mëdha simfonike e kemi problem, dhe provat është pamundur të realizohen në ato pak metra katrorë që i kemi”.

“Andaj, pritja prej pesë vjetësh, e ndoshta edhe më shumë, do të jetë shumë e rëndë për ne, por nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të presim dhe të bëjmë presion pozitiv në institucionet përkatëse që çështja e sallës koncertale dhe Shtëpisë së Operës të ndërtohet sa më parë që është e mundshme”,
thekson Jashari.

Por, sipas Haxhijajt, tash për tash, paraqitja e ndonjë afati se për sa kohë mund të realizohet një projekt i ri për Shtëpinë e Operës dhe Baletit, mund të kuptohet si spekulim. Megjithatë, ai shfaq shpresën se kjo mund të ndodhë brenda pesë vjetësh. Në anën tjetër, as kostoja eventuale e një projekti të ri, sipas Haxhijajt, nuk mund të supozohet.

“Është e vështirë të thuhet se sa do të kushtojë hartimi i një projekti, sepse ai do të jetë një konkurs ndërkombëtar dhe ku do të kenë mundësi të ofertojnë kompani që janë me renome dhe kjo me qëllimin më të mirë që të bëhet një projekt sa më i mirë i mundshëm dhe jo të bëhet një projekt siç ka qenë. Ndërsa, pasi që ta përfundojmë këtë, patjetër që ne do të mundohemi që t’i shikojmë të gjitha mundësitë edhe për gjetjen e donatorëve të mundshëm”, sqaron Haxhijaj.

Ndryshe, Haxhijaj thotë se konkursi për projektin e ri për Shtëpinë e Operës dhe Baletit do të hapet brenda këtij viti.
XS
SM
MD
LG