Ndërlidhjet

QKUK: Drejtorët nisin punën, me gjithë mospajtimet


Ilustrim
Ilustrim
Të gjitha klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë udhëhequr me ushtrues detyre të drejtorëve, për më shumë se dy vjet. Edhe pse ishin shpallur emrat e udhëheqësve, konkursi ishte anuluar me datën 18 janar, një ditë pasi që ishin shpallur emrat e drejtorëve.

Javë më parë është marrë sërish një hap që të emërohen drejtorë brenda QKUK-së, derisa dy ditë më parë kanë filluar punën gjashtëmbëdhjetë drejtorë të rinj të klinikave dhe shërbimeve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Gani Shabani, ushtrues detyre i sekretarit te përgjithshëm në MSH thotë se tashmë kanë filluar punën 16 drejtorë të klinikave, pavarësisht asaj se ka pasur ankesa.

“Drejtorët i kanë marrë vendimet nga drejtori i QKUK së, gjatë kësaj jave. Ndërkaq, ankesat ende nuk janë shqyrtuar”, thotë Shabani.

Por, zgjedhja e drejtorëve të klinikave edhe kësaj radhe ka shkaktuar mospajtime, si nga kandidatët që nuk arritën të përzgjidhen në krye të klinikave, po ashtu edhe nga sindikalistë të shëndetësisë, duke e vlerësuar se gjatë përzgjedhjes së kandidatëve ka pasur shkelje ligjore.

Blerim Syla, kryetar i sindikatës së Shëndetësisë, thotë se me gjithë ankesat e sindikatës, drejtorët në fjalë janë emëruar si udhëheqës klinikash.

“Shihet qartë se sa po respektohet ligji dhe rendi në Kosovë. Edhe përkundër vërejtjeve tona dhe vërejtjeve ligjore, prapë se prapë janë emëruar drejtorët. Shihet se nuk duan t’i respektojnë ligjet aktuale dhe kjo edhe më tej do ta thellojë krizën shëndetësore”, shprehet Syla.

Shpend Fazliu, zëdhënës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, deklaron se tashmë kanë filluar punën 16 drejtorë klinikash me procedurë të rregullt.

“Ministria e Shëndetësisë ka formuar një komision që ka bërë inspektimin e procedurave të intervistimit të kandidatëve për drejtorë dhe pas inspektimit, është konstatuar se 16 prej kandidatëve të zgjedhur për drejtorë janë emëruar dhe u janë shpërndarë kontratat e punës”, konfirmon Fazliu.

Por, i njëjti komision brenda Ministrisë së Shëndetësisë ka konstatuar se në 14 klinika, do të ketë përsëritje të intervistave gojore të kandidatëve.

Lidhur me këtë, Gani Shabani jep më shumë hollësi:

“Pasi që është aprovuar lista në Ministrinë e Shëndetësisë, është formuar edhe një komision për t’i shqyrtuar parregullsitë dhe ka rezultuar se 14 vende të pozitave të drejtorëve, duhet të përsëriten, dhe jemi duke i pritur rezultatet”.

Ndërkaq, sa i përket ankesave, sipas zyrtarëve në QKUK, ato nuk kanë qenë të mbështetura në argumente.

“Është normale që pas çdo konkursi të ketë edhe pakënaqësi. Por, ata që kanë argumente dhe mund t’i paraqesin ankesat të mbështetura në argumente, do të shqyrtohen. Ankesa ka pasur, por komisioni i ankesave që vepron në kuadër të QKUK-së, i ka hedhur si të pabazuara dhe të paargumentuara”, sqaron Shpend Fazliu.
XS
SM
MD
LG