Ndërlidhjet

Nikolliqi merret me çështje të mbyllura


Prishtina
Prishtina
Deklaratat që kohët e fundit i ka bërë kreu i shtetit serb Tomisllav Nikoliq, për siç thuhet një “konsensus kombëtar” serb, si dhe ofertat për shqiptarët e Kosovës, sipas modelit analog “gjermanët në Itali” ose “gjermanët në Belgjikë”, janë të vonuara, jo reale dhe nuk i shërbejnë stabilitetit dhe krijimit të një fqinjësie të mirë, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë.

Analisti i çështjeve politike, Ardian Arifaj, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave - KIPRED, thotë se kryetari serb Nikolliq vazhdon të jetë paradoksal dhe kontravers, duke u përpjekur të nxjerrë në tavolinë çështje, të cilat, siç thotë ai, tashmë janë mbyllur.

“Deklaratat e fundit të presidentit Nikolliq, qoftë për akomodimin e shqiptarëve, por qoftë edhe për gjetjen e një zgjidhjeje për akomodimin e serbëve në Kosovë, janë të vonuara, pasi që ato çështje tashmë janë të përmbyllura. Ekziston plani gjithëpërfshirës i Ahtisarit, i cili jo vetëm që e ka sjellë pavarësinë e Kosovës, por edhe është një kornizë më e mira e mundshme në Evropë për akomodimin e të gjitha komuniteteve, përfshirë këtu edhe serbët e Kosovës”, thotë Arifaj.

Analisti tjetër i çështjeve politike, Ismajl Hasani, e quan të gabuar kinse “ofertën” që Nikolliq ua bën kosovarëve, për faktin se ai nuk po u drejtohet shtetasve të tij, por të një shteti tjetër. Kjo politikë, sipas Hasanit, është aventuriere.
Nikolliq është i shquar për politikë aventureske dhe konsumi i deklaratave të tij është kah fundi.


“Nikolliq është i shquar për politikë aventureske dhe konsumi i deklaratave të tij është kah fundi. Pikërisht, nga kjo, nuk mund të flitet për analogji, nuk mund të flitet për ofertat, të cilat ai mund t’ia bëjë popullsisë së një shteti tjetër, shtet ndaj të cilit ai duhet të kujdeset që t’i rregullojë raportet fqinjësore, përfshirë edhe përgatitjet për bisedimet, të cilat janë të pashmangshme, si për palën kosovare ashtu edhe për palën serbe, në vjeshtën e hershme të këtij viti”, vlerëson Hasani.

Ndryshe, të dy këta analistë vlerësojnë se vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë i pashmangshëm, ashtu sikurse edhe mundësia që ky dialog të evoluojë në formatin politik.

Analisti Arifaj nuk përjashton mundësinë që Serbia të përpiqet që të imponojë të ashtuquajturin “planin gjashtë-pikësh të Ban Ki-munit”, por edhe opsione të tjera që mund të jenë tejet të dëmshme dhe rrezikshme për Kosovën.
Duket qartë si diçka që çon për copëtimin e Kosovës, për marrjen e veriut ose për të nxjerrë diçka më shumë se sa ‘Ahtisari’ në veri...

“Duket qartë si diçka që çon për copëtimin e Kosovës, për marrjen e veriut ose për të nxjerrë diçka më shumë se sa ‘Ahtisari’ në veri. Duhet pasur parasysh - ndonëse edhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare ka treguar simpati ndaj këtyre rekomandimeve – se çfarëdo zgjidhje që e tejkalon atë që është arritur me Planin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari, mundet dhe ka shumë gjasa që ta cenojë shtetësinë dhe integritetin e Kosovës".

"Pra, ta kthejë Kosovën në një shtet jofunksional, i cili, në fund të fundit, nuk do të jetë i mirë as për qytetarët, por as për komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë, por sigurisht se do të jetë i mirë për politikën e Serbisë”
, thekson Arifaj.

Po, analisti Hasani thotë se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë formën që vazhdimin e eventual të dialogut, ta kthejë në favor të vetin, ndonëse qëllimet e Serbisë dhe kryetarit të saj Nikolliq, të cilin ai e quan “Shesheli i moderuar”, sipas tij, tashmë janë të njohura.

“Këto ‘leksione’, të cilat ky ‘Shesheli i moderuar’ përpiqet që t’ia imponojë Brukselit dhe faktorit ndërkombëtar, mendoj se janë të pabazuara. Është më se normale që Qeveria e Kosovës nuk guxon që të paragjykojë, që bisedimet politike t’i kualifikojë si bisedime për veriun, sepse ka shumë çështje që janë të natyrës politike, që duhet të bisedohen në bisedimet e ardhshme, por që nuk kuptojnë cenimin e statusit dhe të integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, shton Hasani.

Ndryshe, zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës e kanë ripërsëritur se nuk do të ketë bisedime që cenojnë Kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Analisti Arifaj i quan mjaft kurajuese deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës. Por, bazuar në përvojën e deritashme, siç thotë ai, ekziston droja se politikanët kosovarë mund të përkulen para presionit të bashkësisë ndërkombëtare dhe të pranojnë diçka që nuk është më e mira për Kosovën.
XS
SM
MD
LG