Ndërlidhjet

Banka britanike i refuzon akuzat amerikane


Standard Chartered Bank
Standard Chartered Bank
Banka britanike, Standard Chartered Bank, me seli në Londër, e akuzuar për shkeljen e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, i ka hedhur poshtë akuzat dhe njoftoi se tashmë po bashkëpunonte me rregullatorët amerikanë.

Më tutje, kjo bankë tha se në mënyrë vullnetare u është paraqitur agjencive të Shteteve të Bashkuara në vitin 2010, përfshirë edhe Departamentin shtetëror të shërbimeve të financave të Nju Jorkut, me regjistrin e transaksioneve me Iranin në periudhën 2001-2007.

Banka tha se këto të dhëna tregojnë se ajo ka synuar të bashkëpunojë dhe “në mënyrë gjithëpërfshirëse kishte bashkëpunuar”, me të gjitha ligjet amerikane për parandalimin e financimit për programin bërthamor iranian dhe për grupet terroriste.

Banka theksoi se ishte e befasuar nga akuzat e djeshme të Benxhamin Lauskit, super-intenadant i shërbimeve financiare të shtetit Nju Jork.

Zoti Lauski tha se banka Standard Chartered Bank kishte bashkëpunuar me qeverinë iraniane për pastrimin e 250 miliardë dollarëve prej vitit 2001 e deri në vitin 2007, duke e lënë sistemin financiar të Shteteve të Bashkuara “të pambrojtur nga terroristët”.

Sipas zotit Lauski, nëntë muaj të hetimeve, me më se 30 mijë faqe të dokumenteve, përfshirë edhe email-et e brendshëm nga kjo bankë, ky institucion financiar ka krijuar dëme “qindra miliona dollarë në pagesa”.

Banka, që operon në përmasa globale, është ballafaquar me kërcënime për pezullim të mundshëm të licencës për të operuar në Nju Jork, që është qendra kryesore e industrisë financiare të Shteteve të Bashkuara, nëse nuk i shpjegon transaksionet.

Akuzat, po ashtu, e kanë tërhequr edhe firmën globale të kontabilitetit dhe konsultimeve, Deloitte, në qendër të një skandali të ndërlidhur.

Shërbimet e financave të Departamentit Shtetëror të Nju Jorkut thanë se konsultuesit e firmës Deloitte, i kanë fshehur detajet nga rregullatorët për transaksionet e Standard Chartered Bank me klientët iranianë.

Është thënë se Deloitte “i ka lënë pas dore ndërkombëtarisht informatat kritike” në raportin për rregullatorët në rishqyrtimin e saj të pavarur të bankës.

Ky rishikim ishte bërë nga grupi këshillues financiar i firmës Deloitte, që është një trupë e ndarë nga auditimi.

Në një pikë, tha Benxhamin Lauski, Standard Chartered Bank ka kërkuar nga Deloitte për t’i fshirë nga propozim-raporti çfarëdo reference për pagesat që mund t’i zbulojnë praktikat e bankës me involvimin e entiteteve iraniane.

Lauski e citoi një email për këtë propozim – raport në të cilin partneri i kompanisë Deloitte tha se “ne u pajtuam” me kërkesën e bankës, pasi “kjo është çështje shumë e ndjeshme politike për Standard Chartered Bank dhe Deloitte” dhe shpjegon se për këtë arsye është paraqitur një propozim tjetër.

Lauski tha se duke e përdorur këtë raport me të dhëna të rrejshme, banka i ka mashtruar rregullatorët e Nju Jorkut, për të besuar se ka rrjedhje korrekte financiare, por e vërteta ishte krejtësisht tjetër. (f. b.)
XS
SM
MD
LG