Ndërlidhjet

MASHT lavdëron veten: Deputetët kërkojnë rezultate


Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka prezantuar të mërkurën të arriturat e kësaj ministrie gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Ministri Ramë Buja ka deklaruar se brenda kësaj periudhe janë realizuar mbi 90 për qind e objektivave të paralajmëruar.

Një pjesë e aktiviteteve të kësaj ministrie, siç ka thënë Buja, kanë pasur për qëllim arritjen e disa objektivave të arsimit, si ngritja e përfshirjes dhe cilësisë në arsimin parauniversitar.



Si të arritur të kësaj periudhe, ministri i Arsimit, Buja, ka përmendur botimin e Abetares së përbashkët Shqipëri - Kosovë dhe një mori aktivitetesh tjera.

“Janë bërë përgatitje për fillimin e trajnimit të edukatorëve për zbatimin e standardeve të zhvillimit dhe të mësuarit në fëmijërinë e hershme. Në bazë të kërkesave të drejtorive komunale të arsimit, janë themeluar rreth 15 shkolla, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme të larta. Në përkrahjen e Bankës Botërore, 207 shkolla kanë përfituar grante shkollore në vlerë 1.600.000 euro. Është mbajtur provimi i maturës shtetërore në dy ditë dhe testi i arritshmërisë, të cilat kanë qenë të suksesshme”, ka thënë Buja.

Sidoqoftë, Kosova në vazhdimësi është kritikuar për cilësi të dobët të arsimit. Pavarësisht se autoritetet kompetente cilësinë në arsim e kishin shpallur si prioritet, deri më tani nuk është treguar asnjë rezultat.

Mjaft kritik për sistemin arsimor në Kosovë është shprehur edhe Sadri Ferati, nga Komisioni Parlamentar për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, dhe aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ferati ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht lëshimeve që janë bërë, testin e maturës e kanë kaluar vetëm 53 për qind. Sikur të kishte pasur rigorozitet, sipas Feratit, atëherë më shumë se 40 për qind nuk e kishin kaluar testin e maturës.

“Sa i përket arsimit superior, aty gjendja është edhe më e rëndë. Ne se fundi po e shohim gjendjen në fakultete, pranimin e studentëve në fakultet, konkurrenca, pa vlerësimi, dyfishimi siç është testi i maturës edhe provimi në fakultet. Gjithë kjo e tregon një kaos dhe në këtë drejtim ne jemi akoma shumë larg”, është shprehur Ferati.

Sidoqoftë, në prezantimin e punës gjashtëmujore të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ministri Ramë Buja ka theksuar se gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë një varg aktivitetesh dhe zhvillimesh të reja në sistemin arsimor të Kosovës, drejt reformave në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional, me qëllim të përmirësimit të cilësisë, përmirësimit të mundësive për punësim dhe perspektivë në karrierën e të rinjve në tregun e punës.

“Mbi 90 për qind e objektivave që janë paralajmëruar në fillim të këtij viti, janë arritur. Do të donim që të ishte 100 për qind”, ka theksuar Buja.

Nisur nga këto të arritura që i ka përmendur ministri Buja, Sadri Ferati, nga Komisioni Parlamentarë për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, ka thënë se është pritur të ketë rezultate më të mëdha në fushën e arsimit.

Rezultate më të mëdha, sipas Feratit, janë pritur në modernizmin e arsimit, në përcjelljen e të arriturave shkencore, si dhe në metodologjinë e mësimdhënies.

“Unë nuk e di se në cilat rezultate konkrete është thirrur Ministria e Arsimit, por unë mendoj që Kosova në arsim akoma e ka të paqartë se cila është rruga dhe rezultatet afatshkurta, afatmesme dhe afatgjate”, ka shtuar Ferati.

Disa nga sfidat, me të cilat vazhdon të përballet sistemi i arsimit në Kosovë, ndër të tjera, vlerësohet të jenë analfabetizmi, braktisja e shkollave nga nxënësit dhe procesi i reformave, sikurse në nivelin universitar, ashtu dhe në atë parauniversitar.
XS
SM
MD
LG