Ndërlidhjet

SHBA: Fushatë me kritika të ashpra


Barak Obama dhe Mit Romni
Barak Obama dhe Mit Romni
Kanë mbetur më pak se 80 ditë deri në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ndërsa fushata që po zhvillohet nga presidenti aktual Barak Obama, demokrat, dhe rivali i tij republikan, Mit Romni, është dominuar nga ripërtritja e dobët ekonomike dhe papunësia në shkallë kombëtare 8.3%.

Besohet se gara për president do të vendoset në 10 shtete, në të cilat është e paqartë se kah lëvizë elektorati.

Prandaj, është e kuptueshme se kandidatët po bëjnë fushatë në pesë prej këtyre shteteve, në momentin kur ajo ka filluar me kapacitet të plotë.

Pol Rajan, kandidat për zëvendëspresident i republikanit Mit Romnit, e ka sulmuar politikën ekonomike të presidentit Barak Obama, në fushatën e parë të tij në Ajova, ku u paraqit pa Romnin.

Mit Romni dhe Pol Rajan
Mit Romni dhe Pol Rajan

Në fjalimin e tij para mijëra mbështetësve në shtetin e Ajovës, që konsiderohet ndër më të rëndësishmit në zgjedhjet presidenciale, zoti Rajan, kongresmen 42 vjeçar, nga shteti Uiskonsin, e akuzoi Barak Obamën për “tkurrjen e së ardhmes për fëmijët".

Zoti Rajan i bëri asociacion edhe turneut të Obamës, i cili e ka filluar vizitën triditëshe në shtetin Ajova.

“Derisa po e shihni presidentin duke lëvizë në turneun e tij me autobus, ju mund t’ia bëni atij pyetjen e njejtë, që mua ma bëjnë njerëzit nga e gjithë Amerika”, tha Rajan dhe shtoi se kjo pyetje është “ku janë vendet e punës, zoti president”.

Siç raporton agjencia AP, megjithqë pritja nga publiku ishte në masë të madhe pozitive, protestuesit disa herë e kanë ndërprerë fjalimin e tij, duke brohoritur “ndaleni luftën kundër klasës së mesme”.

Zoti Rajan nuk i komentoi akuzat e presidentit Obama, se ai e kishte penguar një legjislacion të paraparë për t’i ndihmuar fermerët e goditur nga thatësia. Ai theksoi se me“këto çështje politike” do të merret më vonë.

Tubimi zgjedhor i Obamas në Ajova
Tubimi zgjedhor i Obamas në Ajova

“Për fat të keq, aktualisht shumë anëtarë të Kongresit po e bllokojnë legjislacionin për ferma dhe shndërrimin e tij në ligj. Pol Rajan, është njëri nga liderët në Kongres, që po qëndron në rrugë".

"Kam dëgjuar se ai është në Ajova gjatë këtyre ditëve dhe nëse e shihni kongresmenin Rajan, i thuani se sa i rëndësishëm është ky legjislacion për Ajovën dhe komunitetet rurale. Ne duhet ta lëmë politikën anash kur është çështja e ndërmarrjes së hapave të drejtë për Amerikën rurale dhe për Ajovën”,
tha Barak Obama, duke folur në Ajova.

Më vonë, ekipi i Mit Romnit, nëpërmjet një deklarate të shkurtër tha se “është e vërtetë se askush nuk do të punojë më shumë për t’i ndihmuar fermerët dhe bujqit se sa Romni dhe Rajan”.

Por, republikani Mit Romni, shkoi edhe mëtutje, duke vlerësuar se fushata e Obamës është “e papastër”.

“Fushata e presidentit është drejtuar kah një taktikë shumë e pazakonshme. Është njollosëse, është e papastër, është mashtruese, është jo e sinqertë. Kjo e ulë nivelin e zyrës së presidencës".

"Fushata që ne do ta bëjmë është e tillë që do të flitet se si do ta mbajmë Amerikën e fortë, për të krijuar më tepër vende pune, për ta balancuar buxhetin tonë, për t’i vendosë amerikanët në shtëpia, që ata mund t’i përballojnë”, t
ha Mit Romni, duke folur në St. Augustine të Floridës.

Në këtë fushatë, me intensitet të plotë është aktivizuar edhe zëvendës presidenti aktual, Xhoe Bajden, i cili e ka kritikuar planin për buxhet të kongresmenit republikan, Pol Rajan, që ishte miratuar nga Dhoma Përfaqësuese, me shumicë republikane.

Fjalimi i tij në Karolinën Veriore u ndoq nga afro 900 mbështetës të tij.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG