Ndërlidhjet

Telekomi privatizohet këtë vit


Posta dhe Telekomi i Kosovës
Posta dhe Telekomi i Kosovës
Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka prezantuar të premten të arriturat e kësaj ministrie gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti dhe planet rreth projekteve, të cilat kjo ministri synon t`i realizojë në të ardhmen. Ministri Besim Beqaj ka theksuar se brenda kësaj periudhe është bërë një punë e mirë në realizimin e projekteve të caktuara.

Beqaj ka theksuar se brenda këtij viti do të shpallet kompania fituese për privatizimin Postë-Telekomit të Kosovës, derisa në fillim të muajit shtator pret të nënshkruhet kontrata me kompaninë “Limak& Çalik”, e cila doli fituese në privatizimin e distribucionit të energjisë elektrike.

Ai ka theksuar se privatizimi i Postë-Telekomit, do të realizohet në mënyrë të përgjegjshme.

“Para përfundimit të vitit ne do të shpallim fituesin dhe do të fillojnë negociatat për përmbylljen e këtij transaksioni, por punët tona varen nga gatishmëria e investitorëve për t’u përgjigjur në afatet kohore. Ne duk do të rrezikojmë transaksionin në asnjë moment, për shkak të afateve të caktuara, sepse dëshirojmë ta realizojmë në mënyrë të përgjegjshme. Nuk jemi as në presion kohor, as në presion financiar për të privatizuar Telekomin. Do ta privatizojmë vetëm atëherë kur konsiderohet nga Qeveria dhe Komiteti që është e arsyeshme për të vazhduar me një proces të tillë”, ka thënë Beqaj.

Procesi i privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës kishte dështuar vitin e kaluar, dhe këtë vit kanë filluar procedurat e reja.

Por, tani siç ka theksuar ministri Beqaj, prapa emrave zyrtarë që kanë aplikuar për para-kualifikim për blerjen e 75 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës, qëndrojnë kompani të forta ndërkombëtare të sektorit të telekomunikacionit.

Një projekt mjaft i përfolur në Kosova është ndërtimi i termocentralit Kosova e Re.

Projekti i termocentralit të ri i quajtur “Kosova e Re” së fundi nga Komiteti Drejtues për Privatizim, kishte pësuar ndryshime, duke u bërë ndarja e termocentralit “Kosova B” nga pakoja tenderuese e projektit “Kosova e Re”.

Kjo ndarje, sipas ministrit Beqaj, është mjaft e rëndësishme,

“Përgatitjet kanë filluar. Tashmë e kemi njësinë për implementim dhe këshilltarin e transaksionit që janë duke analizuar aplikacionet e mundshme. Shumë shpejt do të kemi një takim të Komitetit drejtues të projektit ‘Kosova e re’, ku do të marrim vendim për hapat e mëtutjeshëm dhe për themelim e njësisë së re, që merret me ‘Kosovën B’. Gjithashtu edhe për formën se si do t’i qasemi projektit ‘Kosova e Re’, a do të shkojmë ta hapim atë për investitorë të rinj, apo do të vazhdojmë më këta investitorë potencialë”, ka theksuar Beqaj.

Ministri Beqaj ka thënë se në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ka një avancim sa i përket fushës së legjislacionit në sektorin energjetik, dhe për ndërmarrjet publike. Ai, gjithashtu, ka shtuar se është rritur ulja e shpenzimeve operative te ndërmarrjet publike, ku vetëm gjatë këtij viti janë investuar rreth 8 milionë euro, derisa investimet e donatorëve te ndërmarrjet publike arrijnë shumën mbi 58 milionë euro.

Sidoqoftë, ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë kanë thënë se pavarësisht përpjekjeve që po bëhen, Kosova vazhdon të ketë zhvillim të ultë ekonomik.

Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është e pamundur që në një afat të shkurtër Kosova të ketë zhvillim të mirë ekonomik.

“Pavarësisht të gjitha përpjekjeve për një zhvillim ekonomik më të hovshëm, qoftë të institucioneve shtetërore apo private ekonomia e Kosovës nuk është duke ecur me hapa të shpejtë, të cilët janë të dëshiruar për të gjithë ne, por është duke ecur shumë ngadalë. Me këtë ritëm të ngadalshëm për një afat të shkurtër, është shumë vështirë të shohim zhvillim të mirë ekonomik”, ka vlerësuar Shahini.
XS
SM
MD
LG