Ndërlidhjet

Besimtarët myslimanë festojnë Bajramin


Prishtinë (Foto nga arkivi)
Prishtinë (Foto nga arkivi)
Besimtarët myslimanë në Kosovë po festojnë Fitër Bajramin. Shumë qytetarë në orët e hershme të ditë së sotme janë mbledhur në Xhaminë e Madhe – Sulltan Mehmet Fatih, në Prishtinë, për të falur Namazin e Bajramit.

Me këtë rast, besimtarëve myslimanë u është drejtuar myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili ka kërkuar nga qytetarët kultivimin e tolerancës, dashurisë ndër-njerëzore dhe të humanitetit.

“Shoqëria jonë ka nevojë për themele të shëndosha dhe duhet të ngrihet mbi bazën e punës së ndershme. Shoqëria jonë si asnjëherë deri më parë tash ka nevojë për vlera të mirëfillta shpirtërore. Prandaj, duke shfrytëzuar këtë rast, në këtë ditë të shenjtë, dhe ky vend i shenjtë, i ftoj besimtarët tanë, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të bashkëveprojnë drejt ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë të pastër e të ndershme dhe të mos lejojmë që në mesin tonë të depërtojë virusi degjenerues e devalvues”, ka thënë para besimtarëve myslimanë, Tërnava.

Tërnava ka thënë se festa e Fitëer Bajramit është e një rëndësie të veçantë për besimtarët që kanë agjëruar Muajin e Ramazanit, dhe që kanë shprehur përkushtim ndaj Krijuesit të Gjithësisë.

Ai ka bërë thirrje për solidaritet e bamirësi.

“Në mesin tonë kemi shumë jetimë, familje të varfra, skamnorë që nuk kanë ushqim ditor të mjaftueshëm, andaj së paku në këtë ditë feste të tregojmë se ne vetë jemi solidarë dhe t’i ndihmojmë nevojtarët”, është shprehur Tërnava.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, derisa ka uruar qytetarët me rastin e Fitër Bajramit, ka uruar edhe për procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur dhe për njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

“Përmes kësaj feste, ju uroj për njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të pavarësisë së Kosovës. Zoti na ndihmoftë në realizimin e të gjitha dëshirave tona”, ka uruar myftiu Tërnava.

Me rastin e Fitër Bajramit qytetarët i kanë uruar edhe udhëheqësit e vendit.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës dhe ka uruar udhëheqjen e këtij institucioni dhe qytetarët me rastin e Fitër Bajramit.

“Kam ardhur sot këtu që t’ju uroj për këtë ditë të madhe, për këtë festë të besimit islam ditën e Bajramit. Ju dëshiroj ju, familjeve tuaja dhe mbarë popullit të Republike së Kosovës që këtë ditë të lume ta kalojmë në shëndet, gëzime begati në ndihmë të njëri-tjetrit në forcimin e besimit te Zoti, që të jetojmë në lumturi në paqe në harmoni dhe përparim të përgjithshëm”, ka thënë Jahjaga.

Duke folur për të arriturat e deritashme të vendit, presidentja Jahjaga para udhëheqjes se BIK-ut ka thënë se Kosova deri më tash ka kaluar nëpër sfida të mëdha.

Ajo ka theksuar se vendi mund të përparojë edhe më shumë duke kujtuar të kaluarën.

“Kosova sot ka një të ardhme të qartë. Kosova ka një të ardhme që ka plotësuar të gjitha ato kushte drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Po gjithsesi edhe në një miqësi të përjetshme të themi që e kemi zgjedhur vetë me SHBA-në. Rrugën, të cilën e kemi kaluar deri më sot nuk ka qenë një rrugë e lehtë ka qenë një rrugë jashtëzakonisht e vështirë dhe duhet të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjithë ne. E kaluara duhet të jetë një inkurajim dhe një shtytje që të punojmë më shumë dhe ndershëm dhe të punojmë për prosperitetin e popullit dhe vendit tonë”, është shprehur Jahajaga.

Kurse, në mesazhin e kryeministri thuhet: “Uniteti qytetar, harmonia, toleranca ndërfetare dhe ndëretnike është pasuri e Republikës së Kosovës. Kjo festë është një rast për të gjithë ne, si qytetarë të këtij vendi, të ndajmë mes vete gëzimet dhe urimet më të mira, dhe të punojmë për një të ardhme edhe më të mirë për vendin tonë”.

Ndryshe, veç mesazheve që kanë dërguar udhëheqësit e vendit për qytetarët e besimit islam, gjatë paradites Bashkësinë Islame të Kosovës e kanë vizituar përfaqësues të partive politike, dhe zyrtarë të tjerë institucioneve dhe bashkësive fetare në vend.
XS
SM
MD
LG