Ndërlidhjet

Largohen 1300 familje nga asistenca sociale


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Në Kosovë janë rreth 35 mijë familje me 182 mijë anëtarë që përfitojnë ndihmë sociale prej 40 deri në 80 euro në muaj. Kërkesa e familjeve të tilla, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, nuk ka shënuar rritje.

Muhamet Gjocaj, drejtor i Departamentit të Mirëqenies Sociale që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë kontrollit të të dhënave të këtyre familjeve, në qershor të këtij viti janë evidentuar se 1300 familje nuk kanë përmbushur kriteret për të hyrë në mbrojtje sociale.

“Numri i familjeve që marrin asistencë sociale ndryshon nga muaji në muaj, por aktualisht sillet 35 mijë familje, tani kemi një zvogëlim të familjeve që 1300 familjeve për shkak se kemi gjetur familje, të cilat e kanë marrë këtë ndihmë pa meritë”, thotë Gjocaj.

Asistenca sociale prej 40 deri në 80 euro në muaj, vazhdon të mbetet e pamjaftueshme për t'i mbuluar shpenzimet mujore të një familjeje. Njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë thonë se shuma e mjeteve financiare, të cilat këto familje marrin, nuk përmbush nevojat elementare të një familjeje.

Situata ekonomike e familjeve kosovare vlerësohet të jetë vështirësuar edhe më shumë gjatë viteve të fundit, kur në tregun e Kosovës janë shënuar ngritje të çmimeve të produkteve elementare, ndërsa vlera e asistencës sociale ka mbetur e njëjtë.

Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, jep më shumë hollësi:

“Asistenca sociale që merret, është tejet e ulët për kokë banori. Sipas mesatares po llogariti që është 95 centë. Pra, është nën 1 euro për frymë banori, e që është shumë e ulët për t’i përmbushur nevojat elementare”, thekson Tahiri.

Kosova ka krijuar një bazë të politikave sociale, që përbëhet kryesisht nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve, ku përfshihen pensionet e pleqërisë dhe kontribut-dhënëse, pastaj pensionet e personave me aftësi të kufizuara dhe pensionet e Trepçës

Muhamet Gjocaj nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë tani se janë bërë disa ndryshime në favor të familjeve të varfra.

“Gjatë këtij viti Kuvendi i Kosovës e ka bërë miratim e plotësim-ndryshimit të këtij ligji, me çka do të paguhen tani familjet. Pas gjashtë muajve të hyrjes në fuqi nëse kemi kursime, do të paguhen familjet me më shumë se 7 anëtarë deri në 15 anëtarë. Janë bërë disa ndryshime progresive në favor të familjeve të varfra. Do të ketë rritje për familjet që kanë fëmijë. Do të ketë kushtëzime për familjet që hyjnë në kategorinë e dytë, që patjetër të shkojnë në tregun e punës kur ka punë”, shpjegon Gjocaj.

Ndryshe, në vitet e fundit në Kosovë nuk ka pasur ulje të shkallës së papunësisë. Supozohet se tregu i punës në Kosovë i absorbon nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit, ndërsa pjesa tjetër mbesin të papunë dhe potencialisht mund të shndërrohen në persona të varfër.
XS
SM
MD
LG