Ndërlidhjet

Tregimi për dy azilkërkues: Asanzh dhe Barankou


Xhulian Asanzh dhe Aleksander Barankou
Xhulian Asanzh dhe Aleksander Barankou
Në shikim të parë, Xhulian Asanzh dhe Aleksander Barankou nuk duket se kanë shumë të përbashkëta, por, megjithatë, dy burrat i bashkon një gjë: të dyve u është dhënë azili politik nga Ekuadori.

Përderisa ky shtet është zotuar se nuk heq dorë nga azili për Asanzhin, me gjithë presionin e Britanisë së Madhe dhe të Suedisë, Barankou mund të mos jetë aq me fat. Atij i është dhënë azili politik në vitin 2010.

Por, vetëm disa javë para se presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, të vizitonte Ekuadorin, më 29 qershor, Barankou është arrestuar. Ai ndodhet në një burg të kryeqytetit Kueto dhe pret vendimin e gjykatës rreth kërkesës së re të autoriteteve bjelloruse për ekstradim.

Pas seancës dëgjimore të 9 gushtit, Barankou u ka thënë mediave lokale se jeta e tij do të ishte në rrezik nëse dërgohet në Bjellorusi – vendin e vetëm evropian që ende përdor dënimin me vdekje.

Nëse më ekstradojnë, unë do të përballem me torturë dhe dënim me vdekje”, ka thënë Barankou.

Ai ka arritur në Ekuador më 2009. Barankou thotë se ka dashur të bëjë publik korrupsionin në mes të zyrtarëve bjellorusë, por Minsku e akuzon për marrje ryshfeti dhe mashtrim, si dhe e ka vënë në listën e të kërkuarve të Interpolit.

Historia e tij mbetet e paqartë. Disa burime thonë se Barankou ka qenë oficer i policisë, por e dashura e tij nga Ekuadori, Mabel Andrejd, pohon se ai ka punuar në ushtri dhe ka qenë pjesë e një organi që vëzhgon korrupsionin në qeveri.

Autoritetet bjelloruse, megjithatë, thonë se Barankou është një kriminel i zakonshëm.

Barankou ka nxjerrë ryshfete nga biznesmenët. Ai dhe bashkëpunëtorët kanë mbledhur material komprometues për biznesmenët dhe u kanë thënë atyre se janë duke u hetuar. U kanë kërkuar të paguajnë, nëse donin t’i shihnin hetimet të mbyllura”, thotë zëdhënësi i Komitetit bjellorus për Sigurinë Shtetërore (KGB), Aleksander Antanoviç.

Përpjekjet e ripërtërira të Bjellorusisë për të ekstraduar Barankoun vijnë në kohën kur presidenti i Ekuadorit, Rafael Korea, është në kërkim të lidhjeve më të ngushta me vendet si: Irani, Rusia dhe Kina.

Gjatë takimit të fundit, Lukashenko dhe Korea janë pajtuar për forcimin e lidhjeve ushtarake, tregtare dhe diplomatike.

Avokati i Barankout, Fernando Lara, thotë se arrestimi i klientit të tij lidhet direkt me vizitën e Lukashenkos.

E dashura e tij, Mabel, ka apeluar te Komisioni Amerikan për të Drejtat e Njeriut, duke thënë se Barankou do të përballet me tortura dhe dënim me vdekje nëse kthehet në Bjellorusi.

Të gjitha ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare janë në anën e Barankout. Ai është një i ikur dhe nuk mund të ekstradohet. Shpresoj që të ketë drejtësi në këtë rast dhe që Ekuadori t’i ofrojë mbrojtjen që i ka dhënë për dy vjet”, thotë Mabel.

Gjykata pritej të merrte vendimin tre ditë pas seancës dëgjimore të 9 gushtit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Në pritje është edhe themeluesi i Wikileaks-it, Xhulian Asanzh, pasi autoritetet britanike kanë thënë se nuk do të lejojnë largimin e tij nga ambasada e Ekuadorit në Londër. Suedia e kërkon atë nën akuzat për abuzime seksuale, ndërsa fati i Asanzhit në Ekuador mbetet të shihet.(v.t.)
XS
SM
MD
LG