Ndërlidhjet

Kosovë: Shtohen rastet e shkeljes së të drejtave të njeriut


Ilustrim
Ilustrim
Edhe pse Kosova ka mekanizma ligjorë dhe institucionalë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, ato vazhdojnë të mos respektohen në masë të duhur.

Kjo gjendje ka ardhur për shkak të joefikasitetit të mekanizmave ekzistues si dhe mosangazhimi i mjaftueshme i institucioneve publike në zbatimin e ligjeve që janë në fuqi.

Kështu ka deklaruar avokati i popullit Sami Kurteshi, derisa ka folur në komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, për raportin vjetor të viti të kaluar.

Avokati Kurteshi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se trendi i shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovës edhe gjatë vitit 2012 po vazhdon.

Edhe në vitin 2012, po flas për rastet janar - korrik kemi një rritje të numrit të rasteve. Ccdo rast që vjen te ne është e sigurt që vjen se ka probleme, dhe ka probleme me institucionet e Republikës së Kosovës. Ne vërejmë ndryshime pozitive, po ndryshimet pozitive janë pika, do të thotë se nuk vërejmë ndonjë ndryshim pozitiv frontal. Bazuar në statistikat tona, mendojmë se gjendja nuk jep shenja përmirësimi”, tha Kurteshi.

Ai tha po ashtu se qindra raste që i drejtohen institucionit të Ombudspersonit në vend, kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të njeriut në sistemin e drejtësisë.

Numri më i madh i ankesave vazhdon të jetë kundër gjykatave në të gjitha nivelet, dhe për shkak të moszgjidhjeve të problemeve nga institucionet që janë kompetente. Ne kemi raste kur ka ngatërresa, kur ka konflikte ndër njerëzore me pasoja fatale, për shkak të mungesës së dorës së shtetit, edhe fatkeqësia është se ngadalë njerëzit po i kthehen metodave të vjetra të zgjidhjes së problemeve, që ne mendojmë që është rreziku më i madh”, theksoi Kurteshi.

Avokati i Popullit u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse që të ndërmarrin një varg masash për të përmirësuar gjendjen në sistemin e gjyqësorit.

Ndryshe, Republika e Kosovës, me Kushtetutën e saj ka siguruar bazë solide normative për të drejtat e njeriut në pajtim të plotë me shumicën e standardeve ndërkombëtare.

Avokati i Popullit tha se ndër sfidat kryesore me të cilat po përballet Kosova edhe me tej janë moszbatimi efektiv i standardeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ligjeve në fuqi, konsolidimi i sistemit të gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsioni.

Nga ana tjetër, edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, Behxhet Shala, tha se në Kosovë vazhdon të ketë shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut.

Sipas Shalës, shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovës ekziston në të gjitha kategoritë.

E kemi një gjendje katastrofave ekonomike, sociale, me një papunësi afër 65%, me një varfëri 70 %, është absurde të flasim për të drejta të njeriut sipas standardeve evropiane. Evropa ne na ka ngarkuar me gjera të cilat ne thjesht nuk kemi kapacitet as t’i mbajmë e as t’i realizojmë, sepse të drejtat e njeriut që janë në Evropë nuk mund të zbatohen në Kosovë”, tha Shala.

Për vite me radhë institucioni i Avokatit të Popullit përgatit raport me rekomandime për Kuvendin e Kosovës, Qeverinë dhe institucionet e tjera, por deri me tash, siç bëri të ditur Kurteshi, ato rekomandime nuk merren parasysh.

Nuk kemi asnjë fakt, asnjë përgjigje se rekomandimet tona janë marrë parasysh ose janë zbatuar”, tha ai.

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në raportet e tyre kanë thënë se në Kosovë ka shkelje të të drejtave të njeriut.

Ato madje e kanë radhitur Kosovën në pjesën e vendeve që pjesërisht janë të lira.
XS
SM
MD
LG