Ndërlidhjet

Një dietë e re, bazuar në praktikat e njeriut në Epokën e Gurit


Fruta të thara, ilustrim
Fruta të thara, ilustrim
Kaja Baum, Zëri i Amerikës


Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se obeziteti në shkallë globale është dyfishuar që nga viti 1980. Për të luftuar këtë problem, shumë njerëz kanë zgjedhur një dietë që thonë se bazohet në gastronominë e njeriut parahistorik.

Me zgjerimin e klasës së mesme në botë, po rritet konsumi i ushqimeve të përpunuara, konservave, produkteve ushqimore me përqindje të lartë sheqeri – pra një dietë e mbushur me kalori por e varfër në vlera ushqyese.

Një nga mënyrat për të luftuar këtë problem, e praktikuar kohët e fundit në Shtetet e Bashkuara është dieta Paleo, e cila bazohet tek ushqimet natyrore. Praktikuesit e kësaj diete bazohen në idenë se njeriu është i përshtatur gjenetikisht për të ngrënë mish, produkte deti, zarzavate, fruta, arra, farë dhe zhardhokë të ndryshëm.

Çfarë mungon në këtë dietë? Dieta Paleo nuk përfshin drithëra dhe mban në minimum sheqerin, nishestenë dhe eliminon bulmetin.

Robb Wolf, ish-studiues dhe autor i librit Zgjidhja Paleo – Dieta Origjinale e Njeriut, shpjegon:

“Njeriu evoloi si qenie që grumbullonte zahiré dhe gjuante kafshë për mish. Kjo ndodhi gjatë miliona vjetësh. Vetëm gjatë mijëvjeçarëve të fundit kemi filluar tranzicionin në një shoqëri agrare që bazohet në produktet e prodhuara nga bujqësia”.

Njeriu në Epokën e Gurit, mbi 10 mijë vjet më parë, merrej me gjueti dhe mblidhte fruta e zarzavate të egra. Autori Wolf thotë se duke ndjekur këtë dietë, njeriu do të jetë më i shëndetshëm se po të konsumojë drithëra.

42-vjeçari Sean Beliveau e përqafoi këtë dietë, pasi kishte dështuar me dietat e tjera. Dieta Paleo dha rezultat për të:

“Pasi e fillova këtë dietë rashë afro 23 kile në pesë muajt e parë. Kam tani një stil jetese që është mjaft i lehtë të zbatohet”.

Beliveau thotë se ka vërejtur një rënie të ndjeshme të tensionit dhe kolesterinës dhe është në gjendje të përgjithshme shumë më të mirë shëndetësore.

Autori Wolf thotë se dieta Paleo sjell lehtësimin e shumë problemeve shëndetësore, përfshirë diabetin e tipit 2 dhe shqetësime zemre. Duke eliminuar drithërat, thotë ai, mund të lehtësohen probleme si reumatizma, megjithëse nuk ka studime shkencore që e mbështesin këtë pretendim.

Rob Wolf fajëson përfshirjen e drithërave në dietën e njeriut, si shkaktare për shumë sëmundje. Ai thotë se shumë drithëra janë toksike dhe të rënda për sistemin e tretjes:

“Drithërat irritojnë sistemin e imunitetit, pasi janë elementi i riprodhimit të bimës. Nëse nuk do të kishin një lloj kimikati që pengon tretjen, atëherë farat do të zhbëheshin në sistemin e tretjes dhe bima nuk do të arrinte të riprodhohej”.

Por Deborah Jeffrey, e certifikuar si dietologe dhe specialiste ushqimi, thotë se është e vërtetë që gruri, mistri dhe disa drithëra të tjerë krijojnë disa acarime, por jo tek të gjithë njerëzit:

“Nuk shoh prova që tregojnë se shumica e popullatës ka probleme. Shqetësimet lindin kur njerëzit konsumojnë më shumë se duhet drithëra dhe grurë të përpunuar dhe si rezultat nxjerrin përfundime përgjithësuese që këto produkte duhen eliminuar plotësisht”.

Por ata që praktikojnë dietën Paleo mund të kenë mungesa karbohidratesh, vitaminash dhe fibre. Këtë shqetësim ngre dietologia Pat Compton:

“Ajo që kemi theksuar gjithmonë për çdo dietë janë balanca, shumëllojshmëria dhe sasia e moderuar. Dieta Paleo nuk t’i ofron këto”.

Dietologia thotë se njeriu i Epokës së Gurit nuk konsumnte drithëra, pasi nuk ia dinte vlerën.

Specialistë të tjerë thonë se dieta Paleo mund të shërbejë si bazë e një diete të shëndetshme, por shtojnë se shumë njerëz nuk e ndjekin një dietë për një kohë të gjatë, pasi është e vështirë të jetosh me kufizime.

Por Robb Wolf thotë se nuk është e vështirë të gjesh produkte që zëvendësojnë drithërat. Ai sjell si shembull patatet e ëmbla, si dhe zhardhokë të tjerë.

“Të krahasojmë një dietë me 2000 kalori që bazohet në drithëra, bimë bishtajore dhe bulmet, me dietën Paleo me 2000 kalori. Personi do të konsumojë po aq vitamina, minerale dhe anti-oksidantë”.

Dieta Paleo ka njohur një rritje në popullaritet në vitet e fundit, veçanërisht në radhët e sportistëve. Por përkrahësit e dietës thonë se ajo mund t’i shërbejë kujtdo që synon të zgjedhë një mënyrë më të shëndetshme jetese.

* Ky material fillimisht u transmetua në VOA

XS
SM
MD
LG