Ndërlidhjet

Gjërat që duhen ditur për Konventën Republikane


Partia Republikane e Shteteve të Bashkuara mban këtë javë konventën e saj në Tampa të Florisës, ku Mit Romni do të zgjidhet zyrtarisht sfiduesi i presidentit Barak Obama. Fillimisht ishte planifikuar të niste të hënën, por stuhia Ajsak ka detyruar organizatorët ta shtyjnë hapjen për të martën.

Sa herë është mbajtur Konventa?

Çdo katër vjet, në përputhje me kalendarin e zgjedhjeve presidenciale. Qyteti nikoqir është çdo herë i ndryshëm dhe zgjidhet shumë kohë përpara.

Kush e ndjek Konventën?

Rreth 5,000 delegatë të partive kombëtare dhe zëvendës, të cilët përfaqësojnë secilin shtet. Tre herë më shumë gazetarë e mbulojnë ngjarjen, e cila ndiqet edhe nga mijëra anëtarë republikanë të Kongresit, guvernatorë, ligjvënës shtetërorë dhe donatorë të partive. Në një llogaritje më të thjeshtë, numri i pjesëmarrësve këtë vit do të jetë rreth 50,000.

Çfarë ndodh në Konventë?

Ngjarja kryesore është emërimi zyrtar i Mit Romnit si kandidat presidencial i Partisë Republikane. Kjo do të ndodhë të martën në mbrëmje. Delegatët po ashtu do të pajtohen zyrtarisht për platformën e Partisë Republikane. Ajo është jodetyruese dhe paraqet qëndrimin e partisë mbi çdo gjë.

Gjatë tre netëve, republikanë të famshëm dhe jo aq të famshëm do të dalin në skenë për të lavdëruar aftësitë e Romnit si biznesmen dhe lider, për t’iu bërë jehonë cilësive të tij si familjar dhe besimtar i devotshëm dhe, mbi të gjitha, asaj se si do të jetë një president i mrekullueshëm.

Ata po ashtu do të kritikojnë Obamën dhe do ta fajësojnë për çdo gjë të keqe në Amerikë – atë dhe Partinë Demokratike.

Kur do ta bëjë Romni fjalimin për pranim?

Të enjten në mbrëmje. Udhëheqësit e Partisë Republikane thonë se fjalimi i tij, para një audience televizive kombëtare, do të jetë “riparaqitje” e tij në mesin e votuesve amerikanë dhe do të fshijë imazhet negative, që fushata e Obamës ka bërë përpjekje t’i krijojë për të.

Kush tjetër do të flasë?

Shumë politikanë dhe kandidatë të shquar të Partisë Republikane. Kandidati i Romnit për nënpresident, Pol Rajan, do të mbajë fjalimin të mërkurën në orën 22:00 – sipas kohës lokale.

Të tjerë para mikrofonit do të jenë disa nga sfiduesit e deritashëm të Romnit, si Njut Gingriç dhe Rik Santorum.

Disa olimpikë amerikanë do të shfaqen po ashtu për t’i kujtuar popullit se Romni ka organizuar Lojërat Olimpike Dimërore në Ljejk Siti, më 2002.

Interesante është se as ish-presidenti Xhorxh Bush dhe as babai i tij, po ashtu ish-president, nuk do të flasin në Konventë. Kjo është një largim nga tradita, e cila rishfaq ish-presidentët duke i dhënë mbështetje kandidatit të caktuar. Edhe Bushi i ri, edhe i vjetri kanë miratuar Romnin muaj më parë, por, megjithatë, ka kohë që nuk janë dëgjuar.

Është publiku i interesuar për këtë? Sa njerëz ndjekin aktualisht konventat përmes kanaleve televizive?

Jo aq shumë si më parë. Këtë vit, tre rrjetet kryesore kanë shkurtuar sasinë e kohës për të transmetuar drejtpërdrejt të dyja konventat. Secila parti do të ketë një orë në natë nga mbulesa kombëtare. Në vitin 2008, rreth 40 milionë njerëz kanë ndjekur Xhon Mekkejnin kur ka pranuar emërimin nga Partia Republikane. Rreth 1.5 milion më pak kanë ndjekur Obamën kur ka bërë të njëjtën gjë nga Partia Demokratike.

Çfarë ndodh pas Konventës?

Me nominimin zyrtar të Romnit, Partia Republikane lëshon më shumë se 100 milionë dollarë për fushatën e tij.

Gazetarët që mbulojnë ngjarjen do të udhëtojnë rreth 800 kilometra në bregun lindor të Karolinës Veriore, ku, tre ditë më vonë, do të nisë Konventa e Partisë Demokratike.(v.t.)
XS
SM
MD
LG