Ndërlidhjet

Kosova e përfshirë nga zjarret


Zjarret në Shqipëri
Zjarret në Shqipëri
Në shumë rajone të Kosovës, pjesët malore janë përfshirë nga zjarri, i cili ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, vlerësojnë zyrtarët e agjencive përkatëse për përkujdesjen ndaj pyjeve, si dhe atyre për menaxhimin e emergjencave.

Aktualisht, Qendra e Bashkuar Fushore, e themeluar në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, po përballet me dy vatra aktive të zjarrit, në komunën e Dragashit, si dhe në malet e Koretnikut, të cilat ndonëse po mbahen nën kontroll, rrezikojnë të dalin jashtë tij.

Hajriz Sejdiu, koordinator i Qendrës së Bashkuar Fushore, e cila vepron e koordinuar me Agjencionin e Menaxhimit të Emergjencave, thotë se aktualisht kjo qendër është ngritur në dy fshatra të komunës së Dragashit, fshatin Rapçë, i banuar me komunitetin goran, si dhe fshatin Buqë, i banuar me komunitetin shqiptar.

Për shuarjen e zjarrit, sipas Sejdiut janë të angazhuar njësitë e zjarrfikësve, agjencioni i pyjeve, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe një numër i qytetarëve.

Këtu e kemi ngritur Qendrën e Bashkuar Fushore, mirëpo i kemi dy vatra të zjarrit. Njëra është ajo vatra e parë, që kemi punuar tash e një javë ditë, e që është në malet e Koretnikut. Është një pyll i dendur me pisha dhe atje janë duke punuar disa njësi. Kurse, këtu e kemi postëkomandën e incidentit”.

Është komandanti i incidentit, i cili po e menaxhon situatën mbi këto dy fshatra, për shkak se po frikohemi se mos po eskalon zjarri në pjesën e Opojës. Kështu që, jemi munduar që ta bëjmë një rreth, ta fusim zjarrin në rreth dhe sa të mundemi ta lokalizojmë. Është terreni shumë i vështirë. Kemi probleme për furnizim me ujë. Kemi probleme me njësi të zjarrfikësve ose kemi pak kapacitete, sepse thuajse në të gjithë Kosovën ka vtra të zjarrit”, bën të ditur Sejdiu.

Ahmet Zejnullahu, kryeshef i Agjencionit Pyjor të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, thotë se aktualisht zjarre aktive ka në të gjitha regjionet e Kosovës, përvecc në regjionin e Gjilanit dhe atë të Mitrovicës, ku zjarret janë izoluar dhe fikur.

Dëmet materiale në pyje, të shkaktuara nga zjarri, sipas tij ende nuk janë vlerësuar në tërësi, por pritet që ato të jenë disa milionëshe.

Me siguri se dëmet janë të shumëfishta, por dëmet pyjore janë mbi 10 milionë (euro). Me siguri se edhe dëmet ambientale dhe të gjitha dëmet, i kalojnë mbi 15 milionë euro”.

Në shumicën e rasteve, shkaktarë të zjarreve janë dora e njeriut, sepse, temperaturat edhe pse kanë qenë të larta, nuk kanë qenë temperatura që mund ta shkaktojnë këtë ose vetëm një numër shumë i vogël i tyre kanë mundur të shkaktohen nga temperaturat e larta. Mirëpo, kemi pasur zjarre që janë bartur edhe nga shtetet tjera, por gjithsesi dëmet më së shumti shkaktohen nga pakujdesia e njerëzve të papërgjegjshëm”, thekson Zejnullahu.

Në anën tjetër, zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se janë duke i zhvilluar hetimet lidhur me zjarret që kanë shpërthyer në rajonet e ndryshme të Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj policie, Baki Kelani thotë se kanë ndaluar persona të dyshimtë, por, sa i përket zjarreve në zonat malore, ende nuk ka ndonjë person të arrestuar.

Kryesisht, rastet për të cilat ne i kemi ndaluar personat e dyshuar, kanë të bëjnë me rastet që kanë djegur apo u kanë vënë zjarrin pronave të tyre private, kryesisht fushave ku i kanë pasur të mbjellat. Sa u përket rasteve të zjarreve nëpër pjesët malore, nuk mund të themi se kemi ndonjë person të arrestuar, mirëpo jemi duke bërë hetime intensive për të kuptuar se a mund të qëndroj ndonjë person i dyshuar që mund ta ketë vënë zjarrin prapa tyre apo jo”.

Por, kryeshefi i Agjencionit Pyjor të Kosovës, vlerëson se një pjesë të përgjegjësisë për shpërthimin e zjarrit e mbajnë edhe rojet e pyjeve, numri i të cilëve është rreth 230 dhe të cilët janë nën kompetenca të komunave.

Zejnullahu thotë se ata nuk kanë qenë mjaft të vëmendshëm për përgjegjësitë që kanë, që nënkupton edhe informimin e shpejtë për shpërthimet eventuale të zjarrit në zonat ku i kanë përgjegjësitë.

Ai gjithashtu ka theksuar se kapacitetet e njësive të zjarrfikësve janë të pakta, në krahasim me situatat me të cilat u duhet të përballen, sidomos në raste kur, siç thotë ai, në rajone të ndryshme të Kosovës janë aktive mbi 60 vatra të zjarrit.

Megjithatë, sipas tij, njësitë e zjarrfikësve kanë qenë, siç thotë ai, për çdo lëvdatë.

Stafi nuk është i mjaftueshëm, duke pasur parasysh që në të njëjtën kohë, mund të ndodhë që në Kosovë përnjëherë i kemi 60 deri 70 vatra të zjarreve, kur kihet parasysh që në disa raste duhet ta kenë edhe një staf rezervë, sepse mund të ketë zjarre edhe nëpër shtëpi dhe mund të rrezikojnë edhe njerëzit, banorët e ndryshëm ose pasuri shumë të madhe”.

Atëherë, vërtet, këta, me kapacitetet dhe përgatitjet që i kanë, por edhe me mjetet që i kanë në dispozicion, kanë bërë gjithçka që është e mundur për të marrë pjesë në shuarjen e zjarrit”.

Ndryshe, njësitë e zjarrfikësve në rajonet e ndryshme të Kosovës janë duke u përpjekur që t’i shuajnë zjarret.

Më pas, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me pushtetet komunale pritet të themelojë komisionet, të cilat do t’i evidencojnë dhe vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga zjarret, qoftë dëmet në drunjtë, qoftë ato ambientale, të cilat së bashku pritet të kalojnë shifrat prej dhjetëra milionë euro.
XS
SM
MD
LG