Ndërlidhjet

BQE me program të ri për krizën në Eurozonë


Banka Qendrore Evropiane
Banka Qendrore Evropiane
Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka shpallur të enjten programin për blerjen e bonove nga ekonomitë e trazuara, si Spanja dhe Italia, në përpjekje për të ulur koston e tyre të huamarrjes dhe për të zvogëluar frikën e shpërbërjes së euros.

Programi për të blerë bonot sovrane në tregun sekondar është quajtur “Transaksionet e Plota Monetare”.

"Nën kushtet e duhura, ne do të kemi një ndalje efektive të skenarëve shkatërrues që do të paraqisnin sfida të egra për stabilitetin e çmimeve në Eurozonë”, ka thënë Mario Dragi, president i Bankës Qendrore Evropiane.

Ai ka bërë të qartë se vendet që duan shitjen e bonove, duhet së pari të kërkojnë ndihmë nga fondet evropiane të ndihmave dhe të pajtohen për politika “të rrepta dhe efektive” për reduktimin e borxheve.

Dragi ka thënë se Fondi Monetar Ndërkombëtar do të ndihmojë në monitorimin e qeverive, nëse ato përmbushin ose jo kushtet e caktuara.

Megjithatë, programi i bonove i Bankës Qendrore Evropiane ka kundërshtarë të fuqishëm – në veçanti politikanë në Gjermani dhe presidentin e Bundestagut.

Kritikët thonë se pa presion të fuqishëm ndaj tregjeve, vendet nuk do të disiplinohen për realizimin e obligimeve të tyre, që përfshijnë shkurtimin e shpenzimeve dhe reduktimin e deficitit.

Tre vende të Eurozonës – Irlanda, Portugalia dhe Greqia – tanimë kanë marrë paketa të ndihmës financiare nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilat kapin vlerën e qindra miliardave euro.

Greqia aktualisht bën përpjekje të negociojë kushtet për paketën e dytë të ndihmës. Nëse nuk arrin të ketë qasje në të, Greqia rrezikon të largohet nga Eurozona, me mundësinë për të shkaktuar kriza të freskëta globale dhe rënie të mëtejshme të ekonomisë së bllokut 17-anëtarësh.

Ka shqetësime se çdo kërkesë e ardhshme për ndihmë nga Spanja dhe Italia mund të jetë më shumë seç mund të sigurojnë partnerët e Eurozonës.

Spanjës tashmë i janë premtuar deri në 100 miliardë euro për bankat e saj në krizë.

Nëse Madridi kërkon më shumë ndihmë, qeveria duhet të pajtohet për masa më të ashpra të kursimit, ndërkohë që vendi vazhdon të luftojë me 25 për qind papunësi dhe me një recesion të tejzgjatur.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka takuar të enjten në Madrid kryeministrin e Spanjës, Mariano Rajoi. Ajo ka thënë se ka “respekt të madh” për reformat e ndërmarra ekonomike. Por, Merkel ka paralajmëruar se rezultatet mund të marrin kohë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG