Ndërlidhjet

Kosovë: Sulmohen dy vetura zyrtare në veri


Veri
Veri
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë sulmuar dy vetura zyrtare në mëngjesin e së premtes në veri të Kosovës, përkatësisht në rrugën magjistrale që çon për në Zubin Potok.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i tha Radios Evropa e Lirë se bëhet fjalë për një veturë të Policisë së Kosovës dhe një të misionit evropian për sundimin e ligjit.

“Sot, rreth orës 9 të mëngjesit, në rrugën magjistrale për në Zubin Potok janë sulmuar dy automjete zyrtare - një i Policisë së Kosovës dhe një i EULEX-it”, ka bërë të ditur Kelani.

Motivi i sulmit ndaj veturave mbetet i panjohur, ndërsa merret vesh se mund të jetë lënduar një person, i cili gjendej në njërën nga veturat.

Incidenti në veri të Mitrovicës vjen në kohën kur në Kosovë po qëndron Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin.

Ky i fundit ka paralajmëruar mundësinë e anulimit të vizitës në disa pjesë të tjera të vendit për shkak të ngjarjeve të mëngjesit të sotëm në veri.

Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet vatër tensionesh për shkak të kundërshtimeve të banorëve lokalë ndaj autoritetit shtetëror të Kosovës.(v.t.)
XS
SM
MD
LG