Ndërlidhjet

Lunaçek: Bashkësia ndërkombëtare t’i mundësojë Kosovës integrim


Ndërtesa e Parlamentit Evropian
Ndërtesa e Parlamentit Evropian
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, ka përshëndetur të premten vendimin për të përfunduar mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës, që do të ndodhë të hënën në Prishtinë.

Ajo ka thënë se kjo do të jetë një ditë historike për Kosovën dhe qytetarët e saj dhe se tash, në këtë mënyrë, katër vjet e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë kjo fazë po përmbyllet dhe, sipas saj, Kosova do të jetë tërësisht e pavarur.

Lunaçek, po ashtu, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i mundësojë Kosovës integrime në strukturat ndërkombëtare, qoftë ato sportive, kulturore apo politike.

Lunaçek ka theksuar se duhet të vazhdojë procesi i njohjeve të pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që Kosova të sigurojë edhe përfaqësim të duhur ndërkombëtar.

Në këtë aspekt, sipas saj, pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, duhet të prijnë duke e njohur Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur. Lidhur me këtë, Ulrike Lunaçek ka vlerësuar lart edhe deklaratën e fundit të kryetarit të Parlamentit Evropian, Martin Shulz, i cili ka thënë se në një afat të gjatë si kusht për t’u integruar në Bashkimi Evropian, Serbia dhe Kosova duhet ta njohin njëra-tjetrën.

Ulrike Lunaçek, po ashtu, ka potencuar se Kosova, edhe pas përmbylljes së kësaj faze, do të përballet me shumë sfida, ndërsa u ka bërë ftesë autoriteteve të Kosovës që të bëjnë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Edhe pse EULEX-i do të ketë një rol në këtë fushë, ajo ka thënë se përgjegjësia kryesore bie mbi autoritetet e Kosovës.

Po ashtu, Lunaçek ka porositur edhe serbët e Kosovës se nuk kanë nevojë t’i frikësohen pavarësisë së plotë të Kosovës, sepse Kosova ka dëshmuar deri më tani se dëshiron t’i integrojë edhe serbët si qytetarë të saj të plotë.

Ajo i ka bërë thirrje edhe Beogradit që sa më parë t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet, të cilat janë arritur deri më tani në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka shprehur shpresën se Kosova, në raportet me Bashkimin Evropian do të arrijë përparim sa më të shpejtë edhe në procesin e liberalizimit të vizave, sikurse dhe në mundësinë e lidhjeve të kontratave, përfshirë edhe një Marrëveshje të Stabilizim-Asociimit, për të cilën pritet studimi i Fizibilitetit së shpejti.(a.p.)
XS
SM
MD
LG