Ndërlidhjet

QKUK-ja vazhdon të funksionojë pa barna


Ilustrim
Ilustrim
Qendra Klinike Universitare e Kosovës po vazhdon të përballet me mungesë të theksuar të barnave nga lista esenciale.

Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK, ka bërë të ditur se ky institucion, edhe pse ditëve të fundit ka pasur përmirësime, po vazhdon edhe më tej të ketë mungesë të barnave të listës esenciale.

Kohët e fundit jemi furnizuar shumë pak me barna dhe material shpenzues nga Ministria e Shëndetësisë, por që për shkak të buxhetit të limituar që e ka ministria dhe për shkak të procedurave të prokurimit, vazhdon të ketë mungesa, sicc janë infuzionet dhe disa të tjera. Shërbimet emergjente i kemi të mbuluara, emergjencën, mjekimin intensiv dhe sallat e operacionit, por ka mungesa të barnave”, bën të ditur Fazliu për Radion Evropa e Lirë.

Megjithëse pacientët po kurohen në QKUK, shumicën e barnave u duhet t’i sigurojnë vetë.

Gëzime Hajrushi, paciente e cila vuan nga kanceri në gji, pohon në klinikën e onkologjisë mungojnë shumë barna esenciale.

Ka pasur probleme disa herë. Furnizimi është bërë më vonë. Por tek unë mungesa e barnave është e ndjeshme dhe nëse e humbas më shumë se 1 javë, duhet të filloj ri-programimi. E disa prej barnave nuk janë edhe aq të shtrenjta që t’i blejnë vetë pacientët, por kjo që e përdori unë është më së vështiri të sigurohet”, shprehet Hajrushi.

Edhe drejtuesi i klinikës së anesteziologjisë, Nehat Baftiu, thotë se megjithëse punët po kryhen në klinikën në fjalë, shumicën e barnave duhet pacientët ta blejnë vetë.

Gjendja është pak më mirë se sa që ka qenë. Unë ballafaqohem me mungesë të barnave. Ka mungesë. Puna kryhet, nuk ka pasur ndonjë problem, janë kryer operacionet, por krejt ccka mungojnë janë barnat, të cilët i blejnë vetë pacientët”, thekson Baftiu.

Derisa vetë drejtori i informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se ka pasur probleme të theksuara me furnizim me barna kohët e fundit, meqë buxheti i këtij institucioni është i limituar.

Aktualisht gjendja me furnizim është e ngjashme si më herët, ku ka pasur disa probleme, mirëpo ato përkohësisht janë tejkaluar me furnizime emergjente. Buxheti është i njëjtë si vitin e kaluar dhe zgjerimi i listës esenciale, natyrisht që ka shtuar kërkesat për më shumë barna, ndërkohë që buxheti ka mbetur i njëjtë”, thotë Hoti.

Ai shton se furnizimi po bëhet në bazë të prioriteteve, në mënyrë që pacientët me nevoja emergjente t’i posedojnë disa barna esenciale.

Për shembull mjekimi intensiv, emergjenca, po bëhen furnizime të rregullta, derisa në reparte tjera kohë pas kohe për shkak të kufizimeve të ndryshme buxhetore, po u duhet t’i sigurojnë vetë barnat”, thekson Hoti.

Ndryshe, vetë drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Njazi Gashi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se nuk janë të kënaqur me furnizimin me barna të listës esenciale, derisa ka pohuar se problemi qëndron te procedurat e tenderëve për furnizim, përpos buxhetit të limituar.
XS
SM
MD
LG