Ndërlidhjet

UNICEF: Bie vdekshmëria e fëmijëve nën 5 vjeç


UNICEF
UNICEF
Numri i fëmijëve që vdesin para moshës 5-vjeçare ka qenë në rënie të vazhdueshme gjatë dy dekadave të fundit, vlerëson Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara në raportin për vitin 2012.

Të dhënat e publikuara të enjten nga UNICEF-i tregojnë se shifra globale ka rënë nga 12 milionë, sa ka qenë në vitin 1990, në 6.9 milionë më 2011.

Sëmundjet e parandaluara

Si shkaqe të reduktimit të vdekjeve, raporti përmend ndihmat që kanë inkurajuar ushqimin me gji dhe imunizimin kundër sëmundjeve të zakonshme.

“Luftimi i sëmundjeve ka merita të mëdha për arritjet në dy dekadat e fundit. Çdo ditë vdesin rreth 14,000 fëmijë më pak, krahasuar me rastet e 21 vjetëve më parë. E gjithë kjo, për shkak të hapave të mëdhenj në trajtimin e poliomielitit, fruthit dhe malaries”, vlerëson UNICEF-i.

Megjithatë, pavarësisht miliona jetëve të shpëtuara, gati 19,000 fëmijë nën 5 vjeç vdesin çdo ditë nga sëmundjet që mund të parandalohen.

Andaj, UNICEF-i dhe partnerët e tij kanë vendosur fokusin në sëmundjet e tilla.

Jemi duke përqendruar energjitë tona në vendet, ku mbesin sfida të mëdha. Jemi rifokusuar te vrasësit e fëmijëve që nuk kanë marrë ende vëmendjen e duhur”, ka thënë shefi i shëndetësisë në UNICEF, Jan Pet.

Këta vrasës, sipas tij, përfshijnë pneumoninë, e cila kontribuon në 18 për qind të vdekjeve të fëmijëve nën moshën 5-vjeçare, dhe diarrenë, e cila është përgjegjëse për 11 për qind të vdekjeve.

Rajonet e cenueshme dhe popullatat e rrezikuara

Raporti i Agjencisë së OKB-së tregon se marrëdhëniet rajonale të një vendi dhe statusi i tij ekonomik nuk paraqesin pengesa për reduktimin e vdekjeve të fëmijëve. Si vendet me të ardhura të ulëta, ashtu edhe ato me të ardhura të mesme dhe të larta kanë bërë përparim në reduktimin e vdekshmërisë së fëmijëve, thuhet në raport.

Megjithatë, vdekjet nën 5 vjeç mbesin të larta në Afrikën nënsahariane dhe në Azinë e Jugut. Një në nëntë fëmijë në Afrikën nënsahariane vdes para moshës 5-vjeçare, bën të ditur UNICEF-i. Sipas agjencisë, kequshqyerja është faktor në çdo të treten vdekje.

Agjencia bën thirrje për adresimin e saj me sukses, ashtu si edhe të çështjeve më të gjera, që përfshijnë: furnizimin me ujë, kanalizimin, higjienën dhe edukimin.

“Është e rëndësishme që ne kemi objektiv banorët më të cenueshëm në të gjitha vendet. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me ofrimin e shërbimeve shëndetësore, por edhe me përcaktuesit kryesorë të rezultateve shëndetësore, si: edukimi i nënave, infrastruktura më e mirë dhe qeverisja më e mirë”, ka thënë Pet.

Adresimi i Premtimit për Riparim

Raporti, po ashtu, i jep shtysë një lëvizjeje globale për të parandaluar vdekjet e fëmijëve. Në qershor të këtij viti, konferenca “Mbijetesa e fëmijëve: Një thirrje për veprim”, u ka bërë thirrje qeverive dhe partnerëve të nënshkruajnë Premtimin e Riparimit – një zotim për të punuar drejt mbijetesës më të madhe të fëmijëve.

Premtimi i Riparimit është pjesë e Lëvizjes së Kombeve të Bashkuara “Çdo grua, çdo fëmijë”, e lansuar nga sekretari i përgjithshëm, Ban Ki-mun.

Deri më tani, 104 vende - më shumë se gjysma e vendeve të botës - kanë nënshkruar zotimin, së bashku me 174 organizata të shoqërisë civile dhe me më shumë se 250 udhëheqës të grupeve fetare.

“Mbetet ende rrugë e gjatë. Ambicia jonë është të mos shohim asnjë vend, i cili ka shkallën e vdekjes së fëmijëve nën 5 vjeç më shumë se 20 për 1,000 lindje. Ne tani jemi në gjysmë të rrugës”, ka thënë Pet.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i UNICEF-it, Antoni Llejk, ka deklaruar se “rënia globale e vdekshmërisë së fëmijëve nën moshën 5-vjeçare është një sukses i rëndësishëm, i cili paraqet testament për punën dhe përkushtimin e shumë faktorëve, përfshirë qeveritë, donatorët, agjencitë dhe familjet”.

“...por, ka ende punë pa u mbaruar. Miliona fëmijë nën 5 vjeç vazhdojnë të vdesin çdo ditë nga shkaqe të parandaluara”, ka thënë Llejk.

Sipas tij, këto jetë do të mund të shpëtoheshin me vaksina, të ushqyer adekuat dhe kujdes të duhur mjekësor.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG