Ndërlidhjet

Në pritje të Odave të Mjekëve...


Emergjenca...
Emergjenca...
Kosova nuk ka oda të profesionistëve shëndetësorë, andaj si nevojë për to, Ministria e Shëndetësisë ka marrë iniciativë për themelimin e tyre. Është paraparë formimi i 4 odave , asaj të mjekëve, stomatologëve, farmacistëve dhe infermierëve.

Projektligji për odat e profesionistëve shëndetësorë, tashmë ka kaluar në Qeverinë e Kosovës dhe brenda këtij muaji pritet të dalë për shqyrtimin e parë edhe në Kuvend.

Faik Hoti, drejtor për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, deklaron se me krijimin e odave të mjekëve, ato kompetenca i ka Ministria e Shëndetësisë. Ky projektligj, krijon një lloj vetëqeverisje për komunitetin mjekësor në Kosovë.

“Odat, pas kalimit të ligjit në Parlament, pritet të miratohen në pranverën e vitit të ardhshëm. Ky do të jetë një hap shumë pozitiv, sa i përket riorganizimit të komunitetit të mjekëve, gjegjësisht profesionistëve shëndetësorë, sepse ata do të kenë mandate të vendosin për shumë çështje, e që tash për tash ato kompetenca i ka Ministria e Shëndetësisë”, thotë Hoti.

Ai, gjithashtu, shton se roli i odave të profesionistëve shëndetësorë është që të prezantojnë interesat profesionale të komunitetit shëndetësor, të sigurojnë standardet e larta të kodit të etikës, të promovojnë dhe mbrojnë veprimtarinë e profesionistëve shëndetësorë në institucionet shëndetësore publike dhe private, si dhe të kryejnë disa funksione siç janë procesi i specializimeve, regjistrimi dhe licencimi i profesionistëve shëndetësorë etj. - çështje këto, me të cilat tash merret Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkaq, vetë profesionistët shëndetësorë flasin për rëndësinë e formimit të Odës së Mjekëve. Basri Lenjani, i cili udhëheq Qendrën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, bën të ditur se themelimi i odave të profesionistëve shëndetësorë, do të ndihmojë që obligimet, të cilat i ka pasur Ministria e Shëndetësisë, të kalojnë në Odën e Mjekëve dhe mjekët do t’i gëzojnë përgjegjësitë në anën e tyre profesionale.

“Do të krijohet organi legjislativ, administrativ, ekzekutiv dhe shpresoj që në këtë mënyrë do të bëhet rritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe përgjegjësia e stafit shëndetësor do të jetë në nivel të duhur”, thekson Lenjani.

Themelimin e këtyre odave e ka mbështetur Oda Federale e Mjekëve nga Gjermania.

Njëri nga profesionistët e Odës Federale të Mjekëve të Gjermanisë, dr. Ramin Parsi, ka pohuar se projektligji i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë ka krijuar fundamentin për punën e mëtejme të profesionistëve shëndetësorë në Kosovë, ndërsa me këtë projektligj, ministria u ka dhënë atyre shumë fuqi veprimi, gjë që, sipas tij, në shumë vende të tjera nuk ekziston.

Parsi, gjithashtu, ka shtuar se odat e mjekëve do të integrohen në të gjitha organizatat ndërkombëtare të kësaj natyre.
XS
SM
MD
LG