Ndërlidhjet

Ahtisari s'mbështet "kurrfarë negociatash" për veriun


Marti Ahtisari
Marti Ahtisari
Ish-i dërguari i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në negociatat për statusin Kosovës, Marti Ahtisari, ka thënë se nuk ndjehet fajtor që Serbia e ka humbur “të drejtën” për të qeverisur me Kosovën.

"Nuk ndjej kurrfarë faji. Pse? Pyetja është e ngjashme me atë nëse Rusia duhet të ketë ndikim në Finlandë? Jo. Dy vendet janë të pavarura dhe ashtu duhet të sillen me njëra-tjetrën”, ka thënë Ahtisaari për gazetën serbe “Vesti”, e cila botohet në Frankfurt.

Ahtisari ka thënë se me planin e tij çdo gjë është në rregull dhe se të gjithë e kanë ditur se çfarë do të ofrojë qysh në fillim të vitit 2006.

"Pas takimit më 31 janar të vitit 2006 në Londër, i kam lutur anëtarët e Grupit të Kontaktit që t’iu dërgojnë mesazhe private Beogradit, Prishtinës dhe serbëve të Kosovës. Pika e parë e atyre tetë mesazheve private ka qenë shumë e qartë: Në dritën e asaj që ka ndodhur në Kosovë, për shkak të aksioneve të Serbisë, kthimi i Kosovës në Serbi nuk është opsion i qëndrueshëm”, ka thënë Ahtisari.

Si i dëgruar i OKB-së, Ahtisari ka hartuar Propozimin Gjithëpërfshirës, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës më 17 shkurt të 2008-ës.

Kur bëhet fjalë për dialogun Prishtinë-Beograd, Ahtisari ka thënë se “në vend që të bisedohet, duhet që së pari të zbatohet ajo për të cilën është rënë dakord”.

Për veriun e Kosovës, ai ka thënë se nuk mbështet nisjen e kurrfarë negociatash të reja, sepse “kufijtë janë ata që janë”.

“...megjithatë, Plani duhet të zbatohet”, ka thënë Ahtisari, duke shtuar se në shumicën e komunave në jug të Ibrit, ai funksionin mirë. (v.t.)
XS
SM
MD
LG