Ndërlidhjet

Kushti i parë për Serbinë drejt BE-së – Kosova


Ilustrim
Ilustrim
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksander Vuçiq, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, ka shfaqur shpresën se vendi i tij do të marrë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian kah mesi i vitit 2013.

Zyrtari serb, në një takim me gazetarët në Beograd, ka pranuar se Kosova është kushti i parë për aspiratat evropiane të Serbisë.

“Nëse më pyesni se cili do të jetë kushti kryesor për datën e fillimit të negociatave - do të jetë ajo që për ta ka më shumë rëndësi - Kosova, dhe mënyra se si do t’i zgjidhim problemet, sidomos në veri të Kosovës”, ka thënë Vuçiq.

Shtetet perëndimore, posaçërisht Gjermania, kanë kërkuar disa herë nga Serbia që t’i largojë strukturat paralele të sigurisë, të cilat funksionojnë në pjesën veriore të Kosovës.

Ditë më parë, zyrtarë gjermanë kanë kërkuar nga Serbia që të lidhë edhe kontratë me Kosovën për vendosjen e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore.

Vuçiq ka thënë se kushte të tjera për Serbisë janë edhe “çështja e terrorizmit ndërkufitar dhe Islami radikal”, ashtu si edhe goditja e korrupsionit.

“Nuk do të na lejojnë as t’i afrohemi BE-së pa krijimin e sistemeve dhe mekanizmave për luftë të ashpër kundër korrupsionit”, ka theksuar Vuçiq.

Kur bëhet fjalë për kushtet që nuk kanë të bëjnë me Kosovën, Vuçiq ka thënë se kritikat për mospërmbushjen e tyre do të ishin me vend, duke hedhur fajin tek autoritetet e mëparshme qeveritare në Serbi.

“Para nesh ka punë të mëdha që duhet t’i kryejmë, që të bëjmë përparim me vepra dhe jo me fjalë”, ka thënë Vuçiq.

Për kushtet e Serbisë drejt BE-së ka folur të premten edhe nënkryetarja e Qeverisë serbe për integrime evropiane, Suzana Grubjeshiq, duke vënë theksin mbi, siç ka thënë ajo, vazhdimin e dialogut teknik me Prishtinën.

Ajo ka kujtuar se ekzekutivi serb ka emëruar të mërkurën Dejan Paviçeviqin në krye të ekipit negociues.

“Pas shkuarjes së presidentit Nikolliq në New York do të qartësohet se në çfarë formati dhe mënyre do të vazhdojë dialogu”, ka thënë Grubjeshiq, duke aluduar në paralajmërimet për shndërrimin e bisedimeve nga teknike në politike.

Prishtina dhe Beogradi kanë nisur negociatat për çështjet teknike mes tyre në mars të vitit të kaluar. Dy palët kanë arritur shtatë marrëveshje, porse zbatimi i tyre lë për të dëshiruar.

Së fundmi, po zhvillohen debate për nisjen e një dialogu politik mes Kosovës e Serbisë, ndërsa autoritetet e të dyja vendeve janë në kërkim të konsensusit ndërpartiak për bisedimet e tilla.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG