Ndërlidhjet

Tariq Ali: Feja është politizuar


Tariq Ali
Tariq Ali

Derisa bota myslimane vazhdon të reagojë, nganjëherë dhunshëm, ndaj filmit që portretizon Profetin Muhamed në një dritë negative, vëzhguesit po i peshojnë arsyet që qëndrojnë prapa zemërimit mysliman. Një nga ta është Tariq Ali, një historian ushtarak britanik, i lindur në Pakistan, autor dhe gazetar që ka shkruar gjerësisht mbi islamin politik dhe Lindjen e Mesme. Radio Evropa e Lirë e ka intervistuar atë në serinë e intervistave me njohësit e islamit, pas protestave në botën myslimane.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse “Pafajësia e Myslimanëve”, filmi me buxhet të ulët, që satirizon Profetin Muhamed dhe Islamin, shkaktoi aq shumë zemërim të dhunshëm? A ka një shpjegim historik, fetar, apo politik, se pse shpifja mbi fenë në botën myslimane shpesh çon në dhunë, krahasuar me rajone dhe fetë tjera?

TARIQ ALI
Pyetja që ju duhet të bëni është se përse këto karikatura dhe filma po bëhen pikërisht në këtë kohë. Përse nuk u bënë në shekullin e kaluar? Arsyet se përse po bëhen këta filma, janë pikërisht për shkak të pushtimit të botës myslimane nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, gjë që ka krijuar një atmosferë të islamofobisë së skajshme.

Ju keni, nganjëherë, liberalët, por zakonisht të djathtët dhe të djathtën ekstreme, që mendojnë se është gjë e mirë provokimi (i ekstremistëve në Lindjen e Mesme). Kjo është arsyeja pse ata e bëjnë këtë. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me fjalën e lirë. Reagimi mysliman është po aq i njëjtë sa edhe ai që e bëjnë këta njerëz. Ata ndihen të pushtuar, ata janë të zemëruar, dhe bota arabe është e trazuar. Pra, ata reagojnë në këtë mënyrë. Ju nuk mund ta izoloni këtë nga politika botërore.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket të jetë një supozim i përgjithshëm se përshkrimi i Profetit Muhamed është “jo-islamik”. Sa është kjo e vërtetë dhe sa është një mit i krijuar nga elementet ekstremiste?

TARIQ ALI
Vënia në pikëpyetje e Profetit Muhamed nuk tolerohet. Ekziston një formë e idhujtarimit të profetit, që në fakt është kundër frymës së Islamit, i cili kundërshton tërësisht idhujtarinë. Pra, njerëzit reagojnë ndaj këtyre sulmeve mbi profetin si të ishte një sulm ndaj kulturës së tyre. Ata e dinë se ata janë duke u provokuar dhe provokohen.

Në të kaluarën unë kam shkruar se mënyra më e mirë për ta ndaluar këtë është që të injorohen këto gjëra, por bota tani është shumë e paqëndrueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thoni se ankesat lokale në botën myslimane kundër Perëndimit, dhe në veçanti kundër Shteteve të Bashkuara, kanë një rol të madh në demonstratat e dhunshme. Nëse është kështu, çfarë ngjarjesh kanë çuar drejt kësaj?

TARIQ ALI
Ju keni një situatë ku sot Shtetet e Bashkuara kanë okupuar një numër të vendeve në botën arabe (si) Katarin, Arabinë Saudite, Libinë, e cila është një protektorat i NATO-s, dhe janë shumë të afërt me ushtrinë e Egjiptit. Pra, kjo krijon një ambient të ri, dhe është arsyeja pse njerëzit reagojnë në këtë mënyrë, pa dyshim (ankesat lokale kundër Perëndimit luajnë një rol të madh në këto protesta).

Feja është politizuar. Arsyeja për këtë, natyrisht, është se gjatë Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara i mbështetën shumicën e këtyre grupeve (ekstremiste islamike) për ta luftuar komunizmin në të gjithë botën, veçanërisht në botën myslimane. Predikuesit vehabistë u dërguan me miratimin amerikan në Arabinë Saudite për të krijuar atë që ne tani e njohim si islam politik. Ata e bënë këtë dhe tani po e paguajnë çmimin. Perëndimi e krijoi këtë përbindësh.
RADIO EVROPA E LIRË
A do të vazhdojnë këto demonstrata të dhunshme si reagim ndaj shpifjes mbi islamin? Si e shihni ju rrugën përpara?

TARIQ ALI
Duhet krijuar një mënyrë të jetesës, jo vetëm në botën myslimane, por në botën në përgjithësi, në të cilën njerëzit janë hisedarë të botës, në të cilën jetojnë. Në këtë moment, demokracia po gërryhet gjithnjë e më shumë në botën perëndimore, e lëre më në vendet tjera. Kështu që njerëzit, për të mbushur vakuumin, disa po lëvizin drejt nacionalizmit, si në Kinë, dhe të tjerët drejt fesë, si në botën arabe. (a. i.)
XS
SM
MD
LG