Ndërlidhjet

Këshilli i Sigurimit diskuton për krizën në Siri


Siri...
Siri...
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka mbajtur një takim të nivelit të lartë për krizën në Siri.

Kryengritja kundër presidentit sirian, Bashar al-Assad, është përshkallëzuar në konflikt të armatosur, në të cilin, sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, kanë humbur jetën mbi 27 mijë persona.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka paralajmëruar Këshillin e Sigurimit se nëse nuk gjendet zgjidhja, kriza mund të shndërrohet në konflikt të gjerë.

Në Siri, konflikti është bërë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Tragjedia njerëzore po shpaloset në mënyrë të plotë, por edhe në errësirat e burgjeve, nën rrënojat e lagjeve të tëra dhe në mendjet e fëmijëve të traumatizuar. U bëj thirrje të gjithëve atyre me ndikim që t’i bindin palët se nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë krizë”, ka thënë Ban.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka kujtuar se Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar me 100 milionë dollarë për të ndihmuar popullin sirian.

Në Siri, fatkeqësisht, pushteti i Bashar al-Assadit dhe fushata e tij e brutalitetit kanë shkaktuar krizë humanitare. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë më shumë se 100 milionë dollarë për të ndihmuar popullin sirian. Do të vazhdojmë të insistojmë se dhuna duhet të ndalojë dhe t’i hapet rruga tranzicionit politik pa Assadin”, ka thënë Clinton.

Rusia dhe Kina u kanë vënë veto tre rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbështetura nga Perëndimi dhe shtetet arabe. Rezolutat do të rrisnin presionin ndaj Assadit për të ndaluar gjakderdhjen.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se insistimi në Asadin që të japë dorëheqje, është një qasje “joreale” për zgjidhjen e krizë.

Grindjet në botën arabe janë përqendruar në situatën në Siri. Ne dënojmë çdo akt të dhunës, çdo shkelje të të drejtave të njeriut dhe të ligjit ndërkombëtar, cilido qoftë dhunuesi, Qeveria siriane ose opozita e armatosur”.

Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e përgjegjësisë për vazhdimin e gjakderdhjes bie mbi shtetet që nxisin kundërshtarët e Bashar al-Assadit të refuzojnë armëpushimin dhe dialogun dhe, në të njëjtën kohë, kërkojnë kapitullimin pa kushte të regjimit. Një qasje e tillë është joreale dhe, në fakt, nxit metodat terroriste, të cilat po përdoren gjithnjë e më shpesh nga opozita e armatosur”, ka thënë Lavrov.

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, ka cilësuar si shokues mosveprimin e Këshillit të Sigurimit. Ky mekanizëm është mbledhur në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila po zhvillon punimet në Nju Jork.(v.t.)
XS
SM
MD
LG