Ndërlidhjet

Vendosmërisht kundër bisedimeve politike me Serbinë


Ilustrim
Ilustrim
Derisa në Bruksel po përgatitet plani për nisjen e takimeve të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, partitë politike opozitare i quajnë këto bisedime të paarsyeshme, duke thënë se Kosova nuk ka çfarë të bisedojë me Beogradin për çështjet e saja të brendshme.




Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri thotë se nuk ka ndonjë arsye që të ketë bisedime me Serbinë, derisa Kosova tashmë e ka të zgjidhur çështjen e sovranitetin dhe integritetit të saj.

Në këto rrethana nuk ka arsye që të bisedohet me Serbinë, aq më tepër të ketë bisedime politike siç po thuhet, sepse statusi i Kosovës dhe çdo gjë që ka të bëjë me, nëse mund të thuhet, çështjet e statusit, është përfunduar në Vjenë dhe nuk ka arsye që më këtë shtet fqinj të bisedohet për diçka, siç përmendet veriu”, tha Beqiri.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, deri në fillim të këtij viti janë zhvilluar negociata teknike mes Kosovës e Serbisë, ku gjatë nëntë raundeve janë arritur 7 marrëveshje, por të panënshkruara nga palët.

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ishte i, siç thuhet, natyrës teknike, ndërsa pritet që në javët dhe muajt e ardhshëm të marrë karakter politik.

Lëvizja Vetëvendosje gjithashtu shpreh kundërshtimin e saj për nevojën e zhvillimit të bisedimeve me palën serbe - qofshin ato të natyrës teknike apo politike.

Ky subjekt politik në vazhdimësi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të refuzojë dialogun politik me Serbinë, pavarësisht kërkesës së faktorit ndërkombëtar.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se mungesa e një refuzimi kategorik në Prishtinë ndaj zhvillimit të këtij procesi do të bëjë që bisedimet të përfundojnë të dëmshme, kur bëhet fjalë për territorin e Kosovës.

Në tavolinën e negociatave do të vendoset veriu i Kosovës. Me vetë faktin që këto bisedime janë të njëanshme dhe po problematizojnë vetëm çështje të brendshme të Republikës së Kosovës, doemos që rezultati përfundimtar është mëse i parashikuar".

"E ky do të jetë koncesioni i cili do të jetë vetëm në anën e Kosovës, apo se çfarë mase apo niveli të autonomisë politike dhe vetëqeverisjes do ta këtë një pjesë e territorit të Kosovës
”, tha Konjufca.

Megjithëkëtë, BE-ja ka vazhduar insistimin për vazhdimin e dialogut.

Shefja për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, në një fjalim mbajtur para Parlamentit Evropian në Strasburg, ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që të përkushtohen për vazhdimin e dialogut.

Ashton, së fundi ka deklaruar se si Prishtina, ashtu edhe Beogradi, duhet të përgatiten për vendime të vështira gjatë bisedimeve.

Duke komentuar këtë deklaratë, Konjufca u shpreh:

Vendim të vështirë për Serbinë, po e konsiderojnë nëse i zbaton marrëveshjet e arritura - ato marrëveshje që janë arritur gjatë procesit të kaluar negociator".

"Kurse, për Kosovën vështirësi po e quajnë këtë çështjen që çfarë lloji të autonomisë politike t’i japë veriut të Kosovës, e kjo është vështirësia e vërtetë mendoj unë dhe dëmi maksimal që mund t’i shkaktohet Kosovës. Të mos mashtrohemi që vështirësinë do ta ndajmë më Serbinë në mënyrë të barabartë
”, tha Konjufca.

Nga ana tjetër, qeveria dhe partia më e madhe në pushtet, kanë kërkuar nga subjektet politike formimin e një ekipi të unitetit para nisjes eventuale të bisedimeve dhe takimeve në nivele të larta politike me Serbinë.

Mirëpo, partitë opozitare i janë përgjigjur negativisht thirrjeve të qeverisë duke deklaruar se qeveria ketë thirrje e ka bërë si përpjekje për shpërndarjen e përgjegjësisë pas bisedimeve teknike, të cilat, sipas opozitës, i sollën vetëm dëme Kosovës.

Sa i takon fillimit të dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, kanë deklaruar se tash për tash ende nuk ka ndonjë platformë konkrete.
XS
SM
MD
LG