Ndërlidhjet

Turizmi i harruar në Kosovë


Pamje nga Brezovica
Pamje nga Brezovica
Sektori i turizmit vazhdon të mbetet një nga sektorët më të pazhvilluar në Kosovë. Autoritetet e Kosovës, ende nuk kanë ndonjë strategji për zhvillimin e turizmit, vlerësojnë përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe ekspertë të turizmit.

Në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, ata kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të bëjnë përpjekje më të mëdha për përmirësimin e infrastrukturës turistike.

Nga hulumtimet që ata kanë bërë thuhet se Kosova ka rreth 1000 vende të cilat janë atraktive për t’u vizituar.

Rexhep Myftari, përfaqësues i projektit “Tung Kosova”, i cili ka për qëllim promovimin e 100 vendeve më të mira për t'i vizituar në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto 100 vende janë vende ku mund të zhvillohet turizmi.

Kur kemi vendosur të punojmë në këtë projekt, shumë herë na kanë pyetur njerëzit se a ekzistojnë në Kosovë 100 vende për t’i vizituar. Në Kosovë jo që ekzistojnë 100 vende, por, sipas një liste që ne e kemi bërë, janë mbi 934 vende ku janë të listuar si vende të trashëgimisë kulturore dhe vende për zhvillim të turizmit”, thekson ai.

Rajonet turistike në Kosovë konsiderohen Malet e Sharrit, Bjeshkët e Nemuna, ku dallohen Brezovica e Rugova si qendra skijimi dhe rekreacioni, Maja e Lubotenit, Maja e Gjeravicës, e cila njihet si maja më e lartë në Kosovë që arrin lartësinë 2.656 metra etj.

Kosova është e pasur dhe e njohur edhe me atraksione të tjera turistike, siç janë: Burimi i Drinit të Bardhë, Ujëvara e Mirushës, një numër i konsiderueshëm shpellash, duke veçuar Shpellën e Gadimës, dhe bifurkacioni i Lumit të Nerodimes. Ndërkaq si burime termale është e njohur Banja e Kllokotit dhe Banja e Pejës.

Eksperti i çështjeve të turizmit, Zekë Çeku thotë për Radion Evropa e Lirë, se për këto vende turistike duhen investime në infrastrukturë, pasi që si të tilla, po dëmtohen.

Ne në Kosovë vendet më atraktive i kemi në zonat më pasive, në zonat më të pazhvilluara. Ato kanë mbetur të pazhvilluara për shkak të një qasjeje të pakoordinuar dhe pa strategji”, shprehet ai.

Institucionet e Kosovës, thekson zoti Çeku, i japin shumë pak rëndësi zhvillimit të turizmit. Ky sektor, sipas tij, nëse do të kishte zhvillim më të shpejtë, do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të vendit.

Fatkeqësisht, në Kosovë turizmi fare nuk përfillet, ekziston një vetëdijesim i ultë në të gjitha çarqet vendimmarrëse, një vetëdije e ultë lidhur me rolin dhe rëndësinë e turizmit eksiton edhe në publik”, bën të ditur Çeku.

Në vitin 2011, kompania ndërkombëtare “Skyscanner”, e cila merret me përgjimin e turizmit në tërë botën, Kosovën e kishte radhitur mirë në listën e vendeve më të vizituara në botë.

Sikur Kosova të ketë edhe në muajt e ardhshëm një vëllim të tillë, atëherë, ajo vetëm brenda dy vjetëve do të arrinte në top-listën e vendeve më të vizituara në botë”, ishte thënë në një njoftimin të kësaj kompanie.

Ndryshe, Dita Botërore e Turizmit ka për qëllim forcimin e rëndësisë së turizmit dhe vlerat sociale, ekonomike, kulturore dhe politike që turizmi sjell.

Po ashtu, kjo ditë synon të adresojë sfidat globale të përfshira në Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara, duke u fokusuar në kontributin që turizmi ka në arritjen e këtyre objektivave.

XS
SM
MD
LG